Çfarë e shkaktoi BIG BANG-un?

0
88

Nga Danjela Serjani

Pse ka diçka dhe jo asgjë? A është kjo diçka e përjetshme apo ka filluar të ekzistojë? Emra të mirënjohurr në fushën e filozofisë si Heideggeri dhe Leibnizi, mendojnë që kjo është pyetja më themeltare e filozofisë. Në antikitet mendimi dominues ishte ai i një universi të perjetshëm. Gjatë mesjetës mendimi ndryshoi drejt një universi që ka filluar të ekzistojë kryesisht bazuar në premisa teologjike dhe filozofike.  Gjatë periudhës postmoderne të shekujve 17 dhe 18, mendimi u rikthye drejt një universi të perjetshëm për shkak të rënies se autoritetit të kishës dhe si rrjedhojë të narrativës biblike të krijimit. 

Por në epokën postmoderne të shekullit të 20, zbulimet shkencore do të rikthenin idenë e një universi të fundëm që ka filluar të ekzistojë.  I pari që kontribuoi për këtë ishte Einstein me teorinë e relativitetit në vitin 1917. Ekuacionet e tij matematikore, të edituara nga dy fizikante të tjerë të mirënjohur, Aleksander Friedman dhe George Lemetré, pergjatë viteve 20 treguan që universi po zgjerohej. 

Më pas, në 1929, ishte Edwin Hubble me teleskopin e tij 100 inch i cili vertetoi ekuacionin e korigjuar të Einstein që universi po zgjerohej. Në fakt ishte Lemetre ai që i bashkoi këto gjetje të astronomisë dhe fizikës në një model kozmologjik për origjinën e universit që do të pagezohej Big Bang. Ky model pohon që universi ka filluar të ekzistojë në të shkuarën e fundme nga asgjëja ose të paktën nga asgjë materiale, hapësinore, kohore dhe energjie. 

Gjatë  gjysmës së dytë të shek të 20, ishte Teorema e Singularitetit, nga fizikanti i famshëm Steven Hawking që shërbeu si një indikator i fuqishëm për teorinë e Big Bang-ut. Gjithashtu, në vitin 1965, Arno Penzias dhe Robert Wilson, pikasën rrezatimin mikrovale në sfondin e universit, rrezatimi dhe shkelqimi që do të duhej të mbetej nëse vertet kishte pasur një shpërthim të fuqishëm dhe të zjarrtë si Big Bang. Kjo, thotë astronomja Wendy Friedman, na jep mundesinë të bëjmë matje që na tregojnë që ishte vërtet një fillim i flaktë ku elementet e lehta si hidrogjen dhe helium mund të prodhohen dhe në fakt ato janë prezente në ato milisekonda.

Në vitin 1989 ishte Programi COBE  i cili dedektoi variacione të vogla në intensitetin e këtij rrezatimi kozmik në fazat e para të krijimit të universit. Këto variacione përputhen me periudhën e formimit të galaksive sipas modelit të big bang. George Smoot, Drejtori i programit COBE,  për të cilin ai edhe fitoi çmimin Nobel në vitin 2006, është shprehur kështu rreth variacioneve të rrezatimit kozmik, “Nëse je fetar, është si të shohësh Zotin”.  

Kështu, gjatë viteve 80’-90’ shumica e shkencëtarëve e pranonin Big Bang-un si shpjegimin më të mirë për origjinën e Universit.  Teoritë rivale të Big Bang-ut  që janë propozuar për shpjegimin e origjinës së Universit si ajo e Universit të Ekuilibruar, ajo e Universit Llastikë dhe ajo e Fryerjes nuk  mund të zgjaten mbrapa në kohë në menyrë të pafundme.

William Lane Craig konkludon: “E them me bindje që NUK ka ndonjë model tjetër shkencor perveç Big Bang-utqë të jetë konsistent nga ana matematikore dhe dhe të japë një shpjegim realist për universin në të cilin jetojmë.

Por ajo që vulosi fatin e saj në menyrë solide ishte Teorema BGV. Ne vitin 2003, Fizikantet, Arvind Borde, Alan Guth dhe Aleksandër Vilenkin zhvilluan një provë për fillimin e universit që bazohej vetëm në argumenta gjeometrike që vijnë nga fizika teorike. Teorema BGV pohon që çdo univers që është duke u zgjeruar është i paplotë në të shkuarën, dmth jo i pafundëm. Pra duhet të ketë pasur një fillim. Me fjalë të tjera, nëse dikush ndjek trajektoren e kohës dhe hapesirës mbrapa në kohë, çdo univers që po zgjerohet duhet të ketë një pikë startimi të zgjerimit të tij gjë që nënkupton fillimin e universit. 

Prandaj, argumenton Vilenki, evidencat për një fillim tani janë pothuajse të pashmangshme. “Me këtë provë në dorë siç është teorema BGV, kozmologët nuk mund të fshihen më pas mundesisë së një universi të perjetshëm. S’kanë nga t’ia mbajnë më. Ata duhet të përballen me problemin e një fillimi kozmik”.

Në 2012, Vilenki deklaroi sërish, “Gjithë të dhënat që kemi tregojnë që universi e ka patur një fillim”. Meqë universi ka filluar të ekzistojë, ateherë logjikisht rrjedh që një shkak e ka shkaktuar fillimin e tij, sepse gjithçka që fillon të ekzistojë e ka një shkak. 

Si duhet të jetë ky shkaktar që të shpjegojë ardhjen në ekzistencë të universit që njohim? 

William Lane Craig dhe J.P. Moreland në librin e tyre “Philosophical foundations” kanë argumentuar që shkaktari i fillimit të universit duhet të jetë me patjetër: 

  • I pavarur nga hapësira. Dmth  jo hapësinor.
  • I pavarur nga koha. Dmth jashtë  kohës.  Kjo çon që  ky shkatar është  edhe i pandryshueshëm dhe i pashkaktuar. 
  • I pavarur nga materia. Dmth jo material. 

I pavarur nga energjia. Jo i kufizuar në fuqi, pra, i plotëfuqishëm, 

Shkaktari i universit nuk mund të  jetë  i lidhur ose i varur nga hapësira, materia, koha apo energjia sepse këto kanë  filluar të  ekzistojne dikur për vete. Këto të  katërta kërkojnë  një  shkaktar për veten e tyre. Do ishte absurditet të  thonim që  ato kanë  shkaktuar vetveten kur ato nuk ekzistonin akoma.  

Atëherë  kjo na çon drejt një  botëkutimi Teist si alternativa më  e arsyeshme për shkaktarin e universit.  

Ja si e përmbledh idenë  William Lane Craig. “Meqë universi është i fundëm në  të shkuarën dhe ka pasur një fillim absolut atëherë universi duhet të ketë një  shkaktar transhedental / të  përtejsojetshëm, përtej këtij universi të  cilin ai e solli në jetë ” 

Douglas Groothuis, gjithashtu  konkludon që   “Një  shkaktar i mbinatyrshëm është  kandidati më  i përshtatshëm për universin”. Groothuis e rrit stekën e kualifikimeve për shkaktarin e Universit:  Ky shkaktar thotë  Groothuis duhet të  jetë  edhe:  

  • I vetëm, njëjës: sepse projekti ka dalë  i suksesshëm. Gjasa që dy persona e më  shumë të nxjerrin gjë në dritë  vjen duke u ulur. 
  • Personal: vetëm një  univers i përjetshëm mund të  kishte si shkak një shkaktar jopersonal. Mirëpo universi filloi të ekzistojë! Atëherë dikush zgjodhi ta shkaktonte? Vetëm një person mund të  zgjedhë të krijojë ”. Entitetet abstrakte si matematika nuk mund të ekzistojnë pa një agjent, person, prandaj ato nuk mund të  krijojnë. Vetëm mendjet mund të  marrin vendime. Dhe vetëm mendjet mund të  jenë imateriale dhe jashtë kohës. Prandaj shkaktari i universit është një person që  ka një mendje. 
  • I përjetshëm, i pambarueshëm, jo i kufizuar. Ai që  krijon nga ex-nihilo, nga asgjëja, detyrimisht si rrjedhojë është  vetë-ekzistent, i domosdoshëm, i pavarur. 
  • I plotëfuqishëm: A ka person më të  fuqishëm sesa ai që krijon gjithë  universin nga hiçi pa pasur më parë  hapësirë, materie, kohë dhe energji. 

Tani po guxoj dhe unë me shumë  modesti të  shtoj disa karakteristika për këtë  shkaktar të  përtejsojetshëm: 

  • Kur shohim një univers kaq të madh, kaq të  mirë-sinkronizuar për të mbështetur jetën, duhet të pranojmë që ai është  inteligjent sepse krijimi është shumë  kompleks dhe i mirë organizuar deri në  finitura që të heqin trurin.
  • Kur shohim që krijimi mbështet jetën, siguron për mbarë vajtjen dhe shijimin e jetës na duhet të pranojmë që është  i mirë. Ai nuk është një shkaktar inteligjent por arrogant, që thjesht ka krijuar gjëra funksionale. Gjërat funksionale të  këtij universi janë edhe gjëra që të japin kënaqësi. Ngrënia është e rëndësishme për të qënë gjallë, por është edhe kënaqësi. Kjo tregon për motivet e zemrës së këtij krijuesi. 

Një nga gjërat që më mahnit më shumë  në univers është  mbukuria. Mendoni lulet, fluturat, zogjtë, peshqit. Ky qenka atëherë edhe një shkaktar me shije estetike që e do të bukurën. 

 Me të gjitha këto karakteristika i bie që  shkaktari i Universit është ……Ah po, pikërisht ai që kemi dyshuar gjithmonë, Zoti.

Owen Jay Gingerich, profesor emeritus i astronomisë  dhe historisë  së  shkencës në Universitetin e Harvardit dhe gjithashtu astronom emeritus në observatorin Smithsonian të astrofizikës shprehet kështu:

‘Ka një  përputhje të habitshme mes kozmologjisë moderne dhe idesë biblike që universi erdhi papritur në  ekzistencë  në  të shkuarën, nga asgjëja”

Ashtu siç thotë Bibla në fillim e saj:

Zanafilla 1:1.1 Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.