Pse Shkenca Moderne lulëzoi në Perëndimin e Krishterë?

0
58

Nga Kaon Serjani

A ke menduar ndonjëherë se pse Shkenca Moderne u zhvillua në Perendimin e Krishterë ne vitet 1500-1700 dhe jo në ndonjë qytetërim tjetër? Pse nuk u zhvillua, psh, në qytetërimin egjiptian, ose atë kinez, ose atë romak, ose në qytetërimin grek? Padyshim që këto kultura njihen për shpikjet dhe ndërtimet e sofistikuara siç janë piramidat e egjiptit, busulla kineze, ujsjellsat romak apo për analizat rreth natyrës që bënin filozofët grekë. Këtyre qytetërimeve të tjera nuk u mungonin as ato që historiani i shkencës i Universitetin të Oksfordit, Peter E. Hodgson (1928-2008) i quan elementet e domosdoshme që një qytetërim duhet të kishte për të bërë shkencë dhe që janë:

  • një mbështetje ekonomike për shkecëtarët
  • një minimum teknologjie për të bërë eksperimente
  • një sistem të shkruari 
  • një gjuhë simbolesh matematikore 

Meqenëse edhe qytetërime të tjera i kishin këto elemente, pse atëherë revolucioni rshkencor ndodhi vetëm në Europë? Një studiues tjetër i shkencës, Ian Barbour, thotë se “Shkenca në formën e saj moderne u zhvillua vetëm në qytetërimin perëndimor, mes gjithë kulturave të botës, sepse vetëm Perëndimi i krishterë kishte presupozimet intelektuale të domosdoshme si themeli mbi të cilin mund të ngrihej shkenca“.

Që të lulëzonte shkenca moderne duhej të ndodhte ajo që historianët e shkencës e quajnë “Shkëputja nga mendimi grek” kur vjen fjala për studimin e natyrës. Cili ishte mendimi Grek? Filozofët grekë nxitën një lloj të filozofuari mbi natyrën, si të thuash, “nga kolltuku”. Ata dilnin në konkluzione se si funksionon natyra duke u nisur nga presupozime filozofike pa u preukupuar për të bërë vëzhgime empirike.

Në astronomi, për shembull, Aristoteli dhe Ptolemeu, të dy supozuan se planetët duhet të lëvizin në orbita rrethore. Pse? Sepse meqenëse sipas kozmologjisë greke, planetët lëviznin në dimensionin e përsosur, dhe meqenëse, sipas tyre, forma më e përsosur e lëvizjes ishte rrethore, atëherë me siguri planetët duhet të lëvizin në orbita rrethore. Kepler vërtetoi në vitet 1609-1618 se ato lëvizin jo në orbita rrethore por në formë eliptike, dhe kete konkluzion ai e nxori nga vëzhgimet dhe matjet empirike.

Atëherë, kur filluan “filozofët e natyrës” të zhvillonin një qasje më empirike bazuar në evidenca? Kjo filloi të ndodhte vetëm kur ndryshoi mendimi se cili është burimi i rregullsisë që gjendet në natyrë. Historianët e shkencës bien dakort se ishte ritheksimi i disa doktrinave biblike gjatë mesjetës së vonë dhe sidomos gjatë reformimit protestant ajo që siguroi zhvendosjen e nevojshme të mendimit. Si ka kontribuar theksimi i këtyre doktrinave?

  1. Së pari, sipas tyre, doktrina biblike e krijimit thekson idenë se ekzistenca e natyrës është e kushtëzuar nga Ai që e ka krijuar. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që gjërat në natyrë nuk janë ashtu siç duhet të jenë sepse nuk mund të jenë ndryshe (duke u nisur nga disa parime logjike te domosdoshme siç mendonin disa filozofë grek), por ato janë ashtu siç Zoti ka dashur që të jete. Cili është implikimi këtu? Implikim është se filozofët e natyrës nuk duhet të nxjerrin perfundime për rregullsinë e natyrës thjesht duke u nisur nga parime logjike se si duhet të  jenë gjerat; por ata duhet të vëzhgojne natyrën me kujdes dhe sistematikisht. Këtë shpjegoi Robert Boyle, një nga figurat më të rëndësishme të revolucionit shkencor kur tha se Puna e filozofit të natyrës nuk është të pyes se çfarë duhet të kishte bërë Zoti, por çfarë bëri Zoti në të vërtetë.” 
  2. Së dyti, doktrina biblike e krijimit ndikoi në presupozimin intelektual që quhet “njohshmëria e natyrës”. Çfarë do të thotë ky presupozim? Meqenëse natyra është projektuar nga e njëjta mendje racionale që ka projektuar mendjen njerëzore, shkencëtarët e hershëm modernë thanë: “Kjo do të thotë se ne kemi kapacitet për ta njohur natyrën, prandaj hajde ta studiojme atë!” Këtë thotë filozofi i shkencës Steve Fuller kur shkruan se “Shkenca moderne bazohet në besimin se rendi natyror është produkt i të njëjtës inteligjencë nga e cila rrjedh edhe inteligjenca jonë”. Jo vetëm që shkencëtarët e hershëm modern filluan të besojnë se natyra është e kuptueshme, por edhe se përmes njohjes së natyrës, njeriu do të njihte më shumë Krijuesin. Kjo është ideja që perçon filozofi i shkencës Holmes Rolston III kur shkruan se “Pionierët e mëdhenj në fizikë – Njutoni, Galileo, Kepleri, Koperniku – besonin me devotshmëri se ishin të thirrur për të gjetur gjurmet e Zotit në botën fizike.” Po ashtu Johannes Kepler, një nga themeluesit e shkencës moderne (1571-1630), theksoi se “Perëndia donte që ne të njihnim ligjet natyrore dhe ai e bëri të mundur këtë duke na krijuar sipas shëmbëlltyrës së tij, në mënyrë që të mund të merrnim pjesë në mendimet e tij.” Autori britanik dhe kritiku letrar C. S. Lewis e permbledh mirë këtë presupozim intelektual kur thotë se “Njerezit u bënë shkencëtar sepse ata prisnin të gjenin ligjin në natyrë. Dhe ata e prisnin ligjin sepse besonin në një Ligjdhënës”.
  3. Së treti, një dokrinë tjetër biblike që ndikoi në zhvillimin e një qasjeje vëzhguese dhe eksperimentale në shkencë është doktrina e rënies së njeriut në mëkat. Në çkuptim e ka nxitur shkencën ideja biblike se njeriu është mëkatar? Të njëjtët shkencëtarë qe gjatë shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe të shtatëmbëdhjetë e shihnin arsyen njerëzore si një dhuratë nga Zoti, filluan të dyshonin nëse arsyeja njerezore është e pagabueshme. Në kohën e Reformimit Protestant, gjatë të cilit u rikuperua doktrina e mëkatit origjinal (që thotë se të gjithë njerëzit trashëgojnë një natyrë mekatare nga Adami), ideja se të gjithë njerëzit janë të gabueshem çoi në mendimin se shkencëtarët mund të gabojnë kur studiojnë natyrën.

Cili është implkimi i këtij mendimi?  Sipas historinëve të shkencës, implikimi është se shkencëtarët duhej të bënin kujdes të mos bazoheshin vetëm tek intuita njerezore, hamendjet apo hipotezat, përveç nëse ato do të testoheshin me kujdes përmes eksperimenteve dhe vëzhgimeve të kujdesshme. Steve Fuller, shkruan “Ne duhet të aspirojmë të kuptojmë të gjithë natyrën duke propozuar hipoteza të guximshme (diçka për të cilën ne jemi të aftë për shkak se jemi krijuar në imazhin e Perēndisë) por edhe të presim dhe të pranojmë gabimin (diçka për të cilën jemi të prirur për shkak të natyrës mëkatare).”

Për ta përmbledhur: Cilat ishin tre prezupozimet intelektuale që bënë të mundur lulëzimin e shkencës moderne në Perëndimin e Krishterë? Së pari, natyra nuk ekziston sipas ligjit të domosdoshmërisë (siç besonin Grekët) por siç e krijoi Zoti. Dhe implikimi këtu është: “Le ta studiojmë natyrën për të kuptuar se si e krijoi Zoti!”. Së dyti, natyra është e njohshme sepse e njëjta inteligjencë i krijoi të dyja: edhe natyrën edhe mendjen tonë. Dhe implikimi këtu është “Le ta studiojmë në mënyrë emprike sepse është e kuptueshme!”. Gjithashtu, u bë nxitje edhe motoja: “Nëse studiojmë krijimin mund të mësojmë më shumë për Krijuesin!”Dhe së treti, njeriu është i gabueshëm sepse trashëgon natyrën mëkatare të Adamit.  Dhe implikimi këtu është: “Gjatë studimit të natyrës, le të bëjmë kujdes me matjet dhe vëzhgimet sepse mund të dalim në përfunidme të pasakta!” Nëse presupozimet itelektuale që bënë të mundur lulëzimin e shkencës moderne janë fryt i ndikimit të doktrinave biblike, çfarët implikon kjo për Krishterimin në krahasim me botëkuptimet e tjera?

Shënim: Për këtë artikull jam mbështetur në librin Return of the God Hypothesis të Stephen Meyer, PhD.