Pse ungjillorët e Sola Scriptura-s festojnë Krishtlindjen në një datë jo-biblike? Një përgjigje për Arjan Currin

0
2720

Nga Kaon Serjani

Personazhet publike që bisedojnë për tema shpirtërore në ekranet shqiptare janë shumë të rrallë, ndaj, sado polemizues të jenë, Arjan Curri dhe Akil Pano (dhe disa të tjerë) duhen përgëzuar sepse, në ato pak raste, shërbejnë si oaze mediatike për çështjet e shpirtit, përkundrejt emisioneve të fokusuara tek vulgariteti, kronika e drogës apo shterpësia e politikës.

Më tërhoqi biseda e fundit mes tyre për datën e lindjes së Krishtit në emisionin “Zona e Lirë” të gazetarit Arjan Çani.

Gjatë bisedës z. Curri paraqiti një sfidë për pastorin: Pse Kisha Ungjillore (jo thjesht ajo shqiptare), në themel të së cilës qëndron kredoja Sola Scriptura  (Vetëm Shkrimi), pranon të festojë ditëlindjen e Krishtit në një datë që nuk mbështetet në Bibël?

Pra, nëse ungjillorët afirmojnë Sola Scriptura  (Vetëm Shkrimin), a nuk janë kundërthënës kur festojnë Krishtlindjen në 25 Dhjetor, kur kjo datë nuk është marrë nga Shkrimi, por nga një vendim ekumenik i traditës së krishterë?

Sipas logjikës së z.Curri, të shprehur disa herë gjatë emisionit, parimi Sola Scriptura  do duhet të detyrojë që të praktikohet vetëm ajo që mëson Shkrimi dhe, rrjedhimisht, të përjashtojë atë që mëson tradita e krishterë.

Mendoj se për ta analizuar nëse z.Curri ka të drejtë ta prezantojë si kundërthënëse praktikën ungjillore, lind nevoja të shpjegohet se çfarë kanë kuptuar me Sola Scriptura  teologët e reformacionit, nga i cili rrjedh ungjillorizmi.

Dua të permend këtu, shkurtimisht, tri aspekte bazë që studiuesit e teologjisë ungjillore kanë pranuar dhe vazhdojnë të pranojnë, kur i referohen këtij slogani. (Këto tri aspekte i kam huazuar nga Marty Foord, profesor i teologjisë).

Së pari, në kohën e reformacionit Sola Scriptura  nënkuptonte që Shkrimi është autoriteti përfundimtar mbi jetën shpirtërore të besimtarit dhe mbi kishën. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Shkrimi është i vetmi autoritet. Luteri, Kalvini dhe reformatorët e tjerë përdorën autoritete të tjera përveç Shkrimit. Për shembull, mjafton të themi se ata vet zhvilluan argumente duke përdorur logjikën (arsyen) dhe mësuan nga shkrimet e të krishterëve të hershem (tradita) ndërsa hulumtonin dhe predikonin Biblën.

Nuk bësoj se z.Curri do ta mohonte këtë fakt. Mjafton të shfletohet libri i Kalvinit Institutet e Fesë së Krishterë. Pra, reformatorët nuk kundështuar traditën në vetvete, por “protestuan” kur tradita pranohej si autoritet mbi Shkrimin. Edhe pse ata përdorën mësimet e të krishterëve të hershëm, dhe arsyetimin njerëzor, ata njëzëri pohuan se Bibla ishte autoriteti suprem që sundon arsyen dhe traditën. Kjo sepse ata pohonin se vetëm Shkrimi është i pagabueshëm pasi është Fjala e Zotit. Të gjithë autoritetet e tjera (përfshirë udhëheqësinë e kishës) janë të gabueshëm dhe duhet t’i nënshtrohen Shkrimit të Shenjtë.

Pra, për ungjillorët, vërtet Shkrimi ka autoritetin përfundimtar por edhe tradita ka vendin e vet. Që do të thotë se, nëse ndonjë praktikë apo mësim i traditës nuk kundërshton një doktrinë të krishterë të afirmuar nga Shkrimi, mësim apo praktika pranohen. Por nëse mësimi apo praktika bien ndesh me doktrinën biblike, mësimi specifik hidhet poshtë nga ungjillorët por nuk hidhet tradita si e tërë. (Këtu mendoj se qëndron keqkuptimi i z.Curri në lidhje me çështjen në fjalë, siç do e shtjelloj me poshtë).

Një aspekt i dytë i Sola Scriptura  është mjaftueshmëria e Shkrimit. Për t’i dhënë kontekst këtij pohimi, duhet theksuar se Kisha Katolike në shekullin e gjashtëmbëdhjetë pohonte se Shkrimi kishte nevojë për plotësime me rituale të ndryshme dhe besime që nuk gjenden në Shkrimin e Shenjtë.

Si përgjigje, reformatorët argumentuan se, ndërsa ka shumë të vërteta të shkencës dhe historisë që nuk gjenden tek Shkrimi, Bibla është e mjaftueshme në mësimin e saj për shpëtimin e njeriut. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që Shkrimi i pajisë besimtarët me gjithçka që nevojitet të dinë për t’u shpëtuar. Ata e bazuan qëndrimin e tyre tek pëmbledhja që bën apostulli Gjon në Ungjillin që mban emrin e tij: Jezusi bëri edhe shumë shenja të tjera në prezencën e dishepujve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër. Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij (Gjoni 20: 30–31). Pra, Bibla mjafton për të na shpjeguar se çfarë na duhet të dimë për Jezusin dhe të këmi jetën e përjetshme në emër të tij.

Një element i tretë i Sola Scriptura-s  është qartësia e Shkrimit. Kjo nuk do të thotë se i gjithë Shkrimi është i qartë për çdo të krishterë. As nuk nënkupton që nuk nevojiten mesues për të ndihmuar grigjën të kuptojë Shkrimin. Në fakt, vet Bibla afirmon se Zoti ngre mësues në Kishë për rritje shpirtërore të besimtarëve (Efes. 4: 11-12). Ajo që qartësia e Shkrimit tregon është se çdo person mund të lexojë Shkrimin vet dhe, me ndihëm e Perëndisë, mund të zbulojë se çfarë duhet të besojë për t’u shpëtuar. Kjo nuk do të thotë aspak që Shkrimi nuk ka pjesë të vështira për t’u kuptuar. Por, këto fragmente nuk kërcënojnë parimin e qartësisë. Përkundrazi, pjesët e paqarta të Shkrimit mund të interpretohen në dritën e pjesëve të qarta të tij. Në të vërtetë, ishte qartësia e Shkrimit që i ndihmoi reformatorët të përkthenin Biblën në gjuhën e njerëzve të thjeshtë. Dhe këtyre të fundit u kërkohej që t’i mbanin predikuesit të përgjegjshëm duke mbajtur në dorë një Bibël të hapur.

Duke marr parasysh tri aspektet e mësiperme, tani le të ngremë përsëri pyetjen e z.Curri: A cënohet parimi Sola Scriptura  kur ungjillorët festojnë Krishtlindjen në një datë që nuk përmendet në Bibël?

Duke qenë se festimi i lindjes se Jezusit në një datë jo të mbështetur në Bibël nuk implikon aspektin e mjaftueshmërinë së Shkrimit (si burim i mjatueshëm për të na treguar për shpëtimin e njeriut) dhe as qartësinë e Shkrimit (si burim përmes të cilit individi vet mund të kuptojë pa ndonjë vështirësi domethënëse të vërtetat shpirtërore), mbetet të shikojmë nëse festa në një datë të pambështetur në Bibël bie ndesh me aspektin e pare të Sola Scritpura-s: që Shkrimi është autoriteti përfundimtar mbi jetën shpirtërore të besimtarit dhe mbi kishën.

Jam i mendimit se këtu mund të vëzhgojmë se data në të cilën festohet lindja e Jezusit (qoftë 25 Dhjetori apo qoftë një ditë tjetër) nuk është pjesë themelore e doktrinës së mishërimit të Perëndisë (çka është edhe thelbi i arsyes për të festuar në Krishtlindje). Nëse, pra, festimi në një datë ndryshe nga data kur Jezusi ka lindur, dhe e pambështetur nga Bibla, do të kompromentonte në një mënyrë domethënse doktrinën e mishërimit apo të hyjnisë së Krishtit, atëherë, jo vetëm ungjillorët, por as othodoksët dhe as katolikët nuk duhet ta festonin përveçse në datën e saktë dhe biblike.

Por, unë nuk di të ketë ndonjë analizë teologjike mbushamendëse që të argumentojë se festimi në një datë tjetër kompromenton këto doktrina themelore të krishterimit. Kjo duket se ka qenë lehtësia që kanë ndier edhe të krishterët më të hershëm, të cilët nuk kanë gjykuar se ndryshimi i datës së festimit (për të zëvendësuar një festë pagane) do të zvetënonte ndonjë nga doktrinat. Me këtë llogjik, festimi i Krishtlindjes në datën 25 Dhjetor nuk e kompromenton parimin Sola Scriptura , sepse një praktikë apo marrëveshje e traditës pranohet nga ungjillorët kur ajo nuk kundështon një doktrinë të afirmuar nga Shkrimi.

Curri besoj e di mirë se nëse Sola Scriptura do të kishte kuptimin që i reforeohet ai në bisedën me Pastor Akil Panon (që po u afirmua Sola Scriptura duhet refuzuar çdo gjë që vjen nga tradita), atëhere ungjillorët nuk do duhet të pranonin asnjë term apo koncept të traditës së krishterë nëse nuk thuhet tekstualisht ashtu në Bibël. Kjo do të thoshte se, sipas atij kuptimi, ungjillorët do të kishin probleme edhe më të mëdha sesa data e festimit të Krishtlindjes; do të kishin probleme në fushën doktrinare: P.sh. fjala Trinitet nuk gjendet në Bibël. Dhe ungjillorët do duhet të formulonin një fjalë të rë nëse nuk do të mbështeteshin tek tradita. Ky është një rast tjetër (siç ka plotë të tjerë) që një koncept apo formulim doktrinar i traditës së krishterë pranohet nga ungjillorët sepse, në këtë rast, jo vetëm që nuk kundështon doktrinën biblike, por, përkundrazi, e ngerthen mirë “tre-në-njëshin” e Perëndisë. Pra, ky është një shembull tjetër pse ungjillorët nuk dalin kundra traditës sa për të qenë “protestues”, por e kundështojnë vetëm kur tradita merr vlera që nuk e lejojnë Biblën të jetë autoriteti perfundimtar për doktrinat e krishtera dhe për shpëtimin e njeriut.

Si përfundim, ideja se ungjillorët me Sola Scritura nuk pranojnë asgjë nga tradita e krishterë është një mit. E vërteta është se ungjillorët pranojnë plot mësime dhe praktika të traditës që nuk bien ndesh me doktrinat themelore të afirmuara nga Shkrimi. Dhe festimi i ditëlindjes së Shpëtimtarit në 25 Dhjetor është një nga ato raste.

A është mirë, pra, që ungjillorët të festojnë Krishtlindjen në datën 25 Dhjetor? Unë mendoj se ungjillorët, duke pasur shpalljen e Ungjillit prioritet, bëjnë mirë që shfrytësojnë mundësinë që ofron konteksti kulturor i kultivuar nga tradita për të tërhequr vëmendjen e botës jobesimtare, në mënyrë që të bëjnë të dukshme dashurinë e Perëndisë të shfaqur në mishërimin e Personit të dytë të Trinisë, Birit.

Në fakt, do të kishte qenë jo-ungjillore nëse ky komunitet do të humbiste mundësinë për të përhapur Ungjillin, siç do të ishte refuzimi për ta festuar Krishtlindjen në një datë të pranuar universalisht nga të krishterët për kaq shumë kohë.