Apologjetika Klasike vs Apologjetika Presupozuese

0
6

Nga Kaon Serjani 

Artikulli vijues krahason shkurtimisht dy metoda të apologjetikës së krishterë të përdorur nga dy apologjetë të njohur, përkatësisht William Lane Craig dhe Cornelius Van Til.

(Shënim: Apologetika ka të bëjë me shpjegimin dhe mbrojtjen e arsyeshme të besimit të krishterë – shih 1 Pjetrit 3:15)

Apologjetika Klasike e William Lane Craig

  • Kjo metodë është një përqasje që fillon duke përdorur teologjinë natyrore për të vendosur teizmin si botëkuptimin e saktë dhe më pas kalon në një prezantim të fakteve historike për besimin e krishterë. 
  • Quhet metoda “klasike” sepse supozohet se kjo është metoda që përdoret nga apologjetët më  të mirënjohur të shekujve të mëparshëm.  
  • Gjithsesi, Kreigu pranon që një apologjet mund ta kalojë një person nga mosbesimi në besim në Krishtin thjesht duke paraqitur prova historike për ringjalljen.
  • Në argumentimin e tij për këtë metodë Kreigu thekson dallimin midis teologjisë natyrore dhe zbulesës së përgjithshme. Ai thotë që në zbulesën e përgjithshme janë tiparet e Zotit si krijues, reflektuar në krijimin e Tij, ndërkohë që argumentet e teologjisë natyrore janë produktet njerëzore të reflektimit natyral mbi zbulesën e përgjithshme. 
  • Pasi ndërton çështjen e teizmit, Kreigu kalon në prova të mëtejshme mbi ringjalljen e Jezusit për të vërtetuar krishtërimin. Përqasja e Kreigut këtu është duke siguruar shpjegimin më të mirë të fakteve që janë në dispozicion, të cilat janë: (1) varri i Jezusit u gjet i zbrazët në ditën e parë të javës pas kryqëzimit të tij; (2) individë dhe grupe të ndryshme panë shfaqjen e Jezusit të gjallë pas kryqëzimit të tij; dhe (3) dishepujt e parë u bindën plotësisht se Jezusi ishte ringjallur prej të vdekurish. 
  • Duke qenë se këto tre fakte pranohen si historike nga shumica e kritikëve të Dhiatës së Re sot, dhe duke patur parasysh që shpjegimet alternative natyraliste për këto fakte janë të paqëndrueshme, shpjegimi më i mirë është që Perëndia e ringjalli Jezusin nga vdekja. 
  • Kur shpjegon këtë metodë, Kreigu bën një dallim midis asaj se si dikush mund të dijë që krishtërimi është i vërtetë dhe se si dikush mund të tregojë që krishtërimi është i vërtetë, që me pak fjalë mund të përmblidhet si më poshtë: Terreni i duhur për njohjen e krishtërimit si i vërtetë është puna e brendshme e Shpirtit të Shenjtë brenda nesh (Rom. 8:16). Për Kreigun, roli i argumenteve këtu është të pohojnë dhe të japin siguri për atë që tashmë dikush e beson. Për të argumentet racionale dhe provat luajnë një rol thelbësor për të treguar vërtetësinë e krishtërimit, ndërkohë që roli i Shpirtit të Shenjtë është parësor për të hapur zemrat e jobesimtarit rezistent të bindur nga argumentimi.

 

Komente 

  1. Përqasja klasike është një metodë të arsyeshme të apologjetikës, sepse ajo mund t’u adresohet llojeve të ndryshme të audiencave.
  2. Lejon fleksibilitet për të mos përdorur argumentet e teologjisë natyrore kur nuk është e nevojshme dhe të kalojmë direkt tek provat për besimin e krishterë. 
  3. Vlerëson logjikën dhe argumentimin si bazë e përbashkët me jobesimtarët. 

Apologjetika Presupozuese  e Cornelius Van Til

Kornelius Van Tili argumenton që, kur një besimtar ndeshet me kundërshtime objektive intelektuale ose sfida ndaj besimit të krishterë nga jobesimtarët, mosmarrëveshja midis tyre gjenerohet pothuajse gjithmonë dhe do të kontrollohet nga supozimet e tyre të ndryshme themelore –presupozimet e tyre. Bindjet bazë që kanë njerëzit përcaktojnë si do të jetojnë ata dhe si do t’i përdorin mendjet e tyre.

Përkushtimi i krishterë ndaj Krishtit si Zoti i vet, e shtyn atë të shohë gjithçka nën dritën e asaj që Krishti është dhe çfarë ka zbuluar ai në Fjalën e tij. Përkushtimi i jo të krishterit ndaj vetvetes si autoriteti  i vet autonom e shtyn atë të shohë çdo gjë sipas modeleve të tij të interpretimit.  Prandaj, një apologjet duhet të mos e injorojë faktin që besimtarët dhe jobesimtarët veprojnë përmes grupeve të supozuara të presupozimeve, të cilat janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Argumenti midis të  dyjave nuk mund të ndiqet në një mënyrë “neutrale”.

Van Tili thotë se një metodë e duhur e apologjetikës do të presupozonte Zotin. Ai argumenton që,  nëse arsyeja dhe faktet nuk interpretohen sipas termave të Perëndisë, ato janë të pakuptueshme. “Arsyetimi dhe fakti nuk mund të bashkëveprojnë efektivisht me njëri-tjetrin përveçse mbi presupozimin e ekzistencës së Perëndisë dhe kontrollit të Tij mbi universin.” 

Për ta përmbledhur, Van Tili thotë

  1. Të gjithë njerëzit e interpretojnë universin përmes një skeme interpretuese. 
  2. Njerëzit nuk mund të “largohen” apo “t’i shpëtojnë” kësaj skeme interpretuese në mënyrë që ta krahasojnë atë me atë se si është realiteti. 
  3. Ata duhet ta presupozojnë Perëndinë, në mënyrë që arsyetimi të ketë kuptim dhe të ekspozohet vlera e krishterimit.  

Nëse sistemi i Van Tilit bazuar mbi këto pohime themelore është i vërtetë, atëhere apologjetika klasike duke përdorur argumente nga teologjia natyrore nuk është e mundur. 

Komente:

Pika të forta:

  • Thekson autoritetin e Fjalës së Perëndisë.
  • Nuk i jep terren jobesimtarit duke presupozuar që Zoti nuk ekziston.
  • Pranon faktin që të gjithë ne kemi paragjykime.

Pika të dobëta:

  • Nuk duket si një shpjegim i cili ka për synim të ndihmojë jobesimtarët të kuptojnë në mënyrë që t’i afrohen Zotit, por si një shpjegim që tregon si vepron botëkuptimi i krishterë në vetvete. Por përse duhet të dëgjojnë jobesimtarët një mbrojtje apologjetike, nëse qëllimi nuk është për t’i bindur ata për të vërtetën? 
  • Qasja presupozuese është një sistem i paplotë apologjetik. Ai dështon në aspektin më të rëndësishëm, në sigurimin e arsyeve pozitive për të besuar. Gjithsesi, ne dëshirojmë të tregojmë që teizmi i krishterë është i vërtetë mbi të gjitha alternativat e tjera.
  • Kjo qasje mbron duke presupozuar vërtetësinë e teizmit të krishterë në mënyrë që të provojë teizmin e krishterë. Duket si një arsyetim qerthullor: “Perëndia ekziston. Prandaj Perëndia ekziston.” 
  • Qasja presupozuese nuk kërkon terren të përbashkët me jobesimtarin, ose ateistin. Audienca duhet të presupozojë, dhe kjo është një pengesë. Por terreni i përbashkët ekziston, fakti që jobesimtarët gjithashtu janë krijuar në imazhin e Perëndisë, gjë e cila nuk është fshirë për shkak të rënies së njeriut. Përse të mos e përdorim këtë terren të përbashkët? 
  • Nëse logjika njerëzore nuk do të vlente për të argumentuar rreth Zotit, nuk do t’na mbetej asnjë gjë për të pohuar teologjikisht dhe asnjë gjë për të mbrojtur apologjetikisht.
  • Për shkak të efekteve noetike të mëkatit, apologjetika është më e vështirë, por nuk është e kotë.