Rrjedhojat etike të Darvinizmit: “së shpejti do të flasim për të drejtat e baktereve”

0
69

Shkëputur nga intervista me Dr. Stephen Meyer dhënë për IFCE- Institute for Faith and Cultural Engagement. 

Dr. Meyer mori gradën Doktor (Ph.D.) në filozofinë e shkencës nga Universiteti i Kembrixhit. Ai ka qenë gjeofizikan dhe profesor kolegji, dhe tani drejton Qendrën për Shkencë dhe Kulturë në Institutin Zbulimi (Discovery Institute) në Siatëll.

K. Serjani (IFCE): Dr. Meyer, çfarë mendoni për aspektin etik të deklaratave të Darvinit, si kjo për shembull: “Nuk ka asnjë ndryshim themelor midis njeriut dhe gjitarëve më të lartë në aftësitë e tyre mendore.”

Dr. Meyer: Po, kjo ka qenë një rrjedhojë etike, ose të paktën një rrjedhojë metafizike e Darvinizmit që në fillim. Në mënyrë që teoria darviniane të funksionojë, duhet të mohosh një ide të lashtë filozofike të quajtur esencializëm. Ideja se ka dallime thelbësore (esenciale) ose cilësore midis formave të ndryshme të jetës, dhe veçanërisht midis njerëzve dhe kafshëve më të ulëta. Dhe e përdor fjalën më të ulëta qëllimisht. Ka dallime cilësore që janë të dukshme për vëzhgimin tonë. Primatët më të lartë nuk përdorin matematikë, nuk tregojnë barcaleta, nuk projektojnë sisteme shumëpjesësh, nuk përdorin gjuhën, nuk krijojnë simfoni. Ata nuk na studiojnë ne – ne i studiojmë ata. Ka dallime të qarta cilësore që janë të dukshme, që i bëjnë njerëzit të ndryshëm nga kafshët e tjera.

Darvinizmi e mohon se ka dallime thelbësore. Ai pohon se të gjitha format biologjike janë pafundësisht elastike dhe të punueshme. Është një kusht i domosdoshëm për të qenë në proces evolucionar me kalimin e kohës. Dhe kështu që, p.sh., Peter Singer, një bioeticien në Universitetin e Princtonit, ka argumentuar se, për shembull, një foshnjë e porsalindur ka më pak vlerë se një qen, ose një mace tre vjeçare, sepse padyshim që fëmija është më i varur, dhe qeni, ose macja mund të kryejë disa funksione për ne në atë moshë. Dhe kështu ai mohon një ndryshim cilësor në vlerë të njerëzve dhe kafshëve.

Dhe e shohim këtë të ndodhë në fushën bioetike në të gjithë disiplinat në lidhje me të gjithë speciet. Një Tomas Xhouk, një shkencëtar i Berkeley-t në vitet ’70 tha se së shpejti do të flasim për të drejtat e baktereve, sepse ndryshimi i vetëm midis nesh dhe tyre është ndryshimi në gjatësinë e sekuencave të ADN-ve tona. Dhe kështu kemi këtë lloj pikëpamjeje reduksioniste materialiste të jetës që përfundon duke reduktuar vlerën njerëzore dhe shpesh duke ngritur vlerën e kafshëve.

Singer ishte mjaft i qartë për bazën e pretendimeve të tij për këto gjëra. Ai tha: “Gjithçka që po bëjmë është të arrijmë në një hap me Darvinin. Dikur mendonim se kishte një ndarje të pakalueshme mes nesh dhe atyre, dhe tani e dimë se kjo nuk është e vërtetë.”

Kështu që unë mendoj se darvinizmi çon në një zvogëlim të vlerës së qenieve njerëzore në mendjen e njerëzve që i përmbahen asaj teorie. Dhe mendoj se kjo është tragjike. Unë mendoj se ne duhet të afirmojmë vlerën e qenësishme të qenieve njerëzore në një kuptim moral, dhe mendoj se kuadri etik judeo-kristian e bën këtë, ndërsa ai darvinian mendoj se e asgjëson besimin tonë në dinjitetin e qenësishëm të qenieve njerëzore.

Përktheu: Blerta Myrteza.