Si dashuron dashuria?

0
366
Secili prej nesh ka një shprehje të preferuar për dashurinë, por e vërteta është që dashuria është një gjë e vështirë për t’u shpjeguar mirë. Së pari duhen evidentuar tre aspekte të dashurisë : natyra, shkallët dhe llojet e dashurisë Kur flasim për natyrën e dashurisë në përgjithësi, unë i referohem këtij aspekti si ‘forma’ e dashurisë. Megjithëse ky aspekt meriton një libër më vete ne këtu do mjaftohemi duke thënë se natyra e dashurisë është dhënia e vehtes.

Një përkufizim i dashurisë në këtë aspekt është dhënia e më të mirës nga vehtja për një tjetër pa pritur asgjë në kthim’.

Së dyti, duhet mbajtur parasysh që dashuria ka edhe shkallë të madhësisë së saj duke filluar nga një buzëqeshje ,apo një fjalë e mirë e deri tek nje akt sublim vetësakrifice për personin e dashur që arrin kështu në shkallën më të lartë të dashurisë. Edhe për këtë aspekt nuk do ndalemi per të diskutuar gjatë sot, sepse ajo që neglizhohet apo kuptohet më pak është aspekti i tretë dashurisë që ka të bëjë me llojet e dashurisë.
Duke ndjekur autorin tim te preferuar në këtë aspekt, C.S.Lewis, unë do të përpiqem të shpjegoj katër llojet e dashurisë; afeksioni, miqësia, erosi dhe agape. Një mënyre që besoj se ndihmon për të kuptuar llojet e ndryshme të dashurisë është t’i krahasojme ato me katër lloj frutash të ndryshme dhe kështu nëse dashuria është një frutnajë atëherë ajo ka katër fruta; dardhën, rrushin, shegën dhe mollën.

1. Afeksioni

 Unë kam një arsye pse e kam zgjedhur dardhën për t’iu referuar llojit të parë te dashurisë; afeksionit. Shprehja ‘dardha nën dardhë bie’ do të na kujtojë konceptin e afërsisë që thekson afeksioni. Afeksioni në kuptimin e këtushem përkthen fjalën greke ‘storge’ dhe i referohet asaj lloj dashurie që shfaqet në shoqërizimin e afërt, në dashurinë e natyrshme të gjërave të njohura apo të afërta me të cilat je familjarizuar natyrshëm dhe janë bërë pjesë e ritmit të zakonshëm te jetës.
Afeksioni do ti referohej dashurisë për anëtarët e familjes tënde, për vëllanë e motrën apo prindërit ,por edhe asaj ndjenje që ndjen për macen tënde apo qoftë edhe për komshiun apo bashkëfshatarin tënd kur e takon papritur në një aeroport diku nëpër botë. Afeksioni pra mund të kuptohet si një dashuri e qetë, e natyrshme, e përgjithshme ose si nje dashuri bazë mbi të cilën mund të vendosen edhe dashuri të llojeve të tjera. Një mënyre për ta perceptuar diferencimin e kësaj dashurie është në dallimin e puthjes së afeksionit; puthjes së nënës, nga puthja e llojit tjetër të dashurisë që përfaqëson erosi.
Dallimi nuk është në intensitetin e puthjes ,por në llojin e saj.

2. Miqësia

Nuk ka dashuri më të keqkuptuar sot se miqësia dhe nuk ka humbje me të madhe në fushën e dashurisë se sa ngatërrimi i miqësisë me erosin apo dashurinë seksuale. Miqesia këtu përkthen fjalën greke ‘fileo’ dhe i referohet asaj dashurie që shfaqet midis shokëve ose shoqeve të një grupi që bëjnë lloj lloj aktivitetesh bashkë, por nuk konsiston thjesht në afërsinë e shoqërizimit. Është si një lloj zbulimi i dikujt që e sheh një gjë nga këndvështrimi yt.
Ti luan futboll me shume shokë, shkon ne kinema me shume shokë të ndryshëm, merr pjesë nëpër kurse te ndryshme me disa syresh, por në nje aspekt të rëndësishëm për ty del njëri që ka të njëjtën shije apo perceptim. Është dikush që e zbulon kur ti thua ‘edhe ti mendon kështu? Kujtova se unë isha i vetmi në botë që e shikoja këtë në këtë mënyrë’. Dikush ka thënë se pa erosin askush nuk do të kishte lindur kurse pa afeksionin askush nuk do të ishte rritur dhe në këtë këndvështrim ndryshe nga dashuritë e tjera

miqësia është biologjikisht e panevojshme dhe prandaj e kanë quajtur dashuria ëngjëllore.

Dashuria e llojit miqësi dallohet pikërisht për këtë ajër pastërtie e thjeshtësie që nuk e ka fokusin tek personi tjetër, por tek aventura e përbashkët. Dallimi mund të duket edhe në pasionin që të dashuruarit e erosit kanë për njëri-tjetrin dhe gjithmonë i gjen përballë njëri-tjetrit sy më sy dhe pandërprerë duke folur për dashurinë e tyre për njëri-tjetrin kurse miqësia i vendos shokët krah për krah duke folur për fokusin apo hobin apo aventurën e përbashkët.
Arsyeja pse unë kam zgjedhur rrushin për të prezantuar këtë lloj dashurie është se në këtë lloj dashurie sa më shumë shokë të kesh që ndajnë me ty këtë interes të përbashkët aq më shumë rritet kjo dashuri. Ashtu si një vile rrushi ka shumë kokrra, ashtu edhe ne themi për miqësine ‘trimi i mirë me shokë shumë’.
Në fakt shumica e gjërave më të mira apo shpikjeve të medha, por edhe shumë probleme në botë kanë ardhur si rezultat i një grupi shokësh dhe për mua është tragjedi të humbim nga sytë këtë lloj dashurie duke lejuar ngatërrimin me seksin dhe futjen e homoseksualitetit. Ndoshta një nga dobësitë më të medha të kohes sonë është se nuk dimë të ruajmë dhe kultivojmë shijen e pakrahasueshme të miqësisë.

3. Erosi

 Kur flasim për miqësi kryesisht bëhet fjalë për një djalë me nje djalë ose nje vajzë me një vajzë, sepse pothuajse gjithmonë nëse një djalë bëhet shok me një vajzë për arsye të interesit të njëjtë tek matematika apo tenisi, apo çfarëdo tjetër, herët ose vonë do të kapërcehet në emocione romantike, sepse erosi është një pjerrësi rënie e lehtë në distancën midis sekseve të kundërta. Dhe s’ka asgjë të keqe apo të çuditshme në këtë zhvillim të marrëdhënies, por kemi kaluar nga miqësia tek erosi. Nuk kemi thjesht shtim apo intensifikim të së njëjtës dashuri, por kemi kaluar në një lloj tjetër dashurie që duhet kuptuar në vecantinë e vet.
Fakti i mirënjohur i bashkëegzistencës së miqësisë dhe erosit tregon pikërisht dallimin midis tyre. Miqësia mund të jetë një bazë e mirë për dashurinë romantike ose dashuria romantike me martesën mund të na bëjë edhe miq me të dashurën, por keto dy dashuri janë të ndryshme prandaj kjo dashuri romantike përbën llojin e tretë të dashurisë. Erosin unë e prezantoj me frutin e shegës; fruti më misterioz me shumë dhoma të papritura, plot lëng të kuq që duhet ngrënë me kujdes, sepse njollat nuk hiqen dot. Erosi i referohet asaj lloj dashurie që nënkuptohet nga djali kur thotë se dashuron një vajzë. Ketu nuk po flasim kryesisht për seksualitetin që është vetëm një përbërës i kësaj dashurie, sepse aktiviteti seksual ndodh edhe pa erosin dhe erosi përfshin më shumë se aktivitetin seksual.
Erosi ndryshe nga seksi fizik është ajo dashuri që don personin jo kënaqësinë për veten që merr nga ai person, sepse kemi thënë që natyra e dashurisë nuk është marrja për vete, por dhënia e vehtes. Erosi në natyrën e vet admiruese të personit të dashur e bën njeriun të thotë “për ty jap jetën” dhe kjo është një gjendje përjetimi fisnikërues që premton përkushtim martesor të përjetshëm.
Kjo është maja e përkushtimit me deklarim publik ku duhet konsumuar shega, sepse shega ka njolla që nuk hiqen dhe supozohet të hahet me rroba të dedikuara kësaj ngrënie; me rrobat e martesës. Erosi fatkeqësisht nuk të mban dot në majën e dashurisë përgjithmonë, sepse zemra e njeriut është tepër e luhatshme dhe papritur e gjen të kthyer nga vetja duke kërkuar interesin e vet jo dhënien e vetes në dashuri prandaj nga lashtësia i këndohet kështu erosit: “Vajtoni vajza Erosin përmbi varr, se prej asgjëje vdiq këtu papritur. Në vdiq vërtet s’e them dot me karar, se ngjallet shpesh papritur e paditur”. Erosi ka nevojë për një dashuri tjetër.

4. Agape

Kjo dashuri tjetër që duhet kuptuar dhe mbajtur në themel të dashurive ka në vetvete esencën e gjithë dashurive dhe lidhet me burimin e gjithë dashurisë: Dashuria agape ose dashuria e përtejkësojetshme. Kjo dashuri e katërt është më e veshtira për t’u shpjeguar dhe per t’u kuptuar mirë megjithëse ka ngjashmëri me llojet e tjera që diskutuam; ka paqtimin e afeksionit, pastërtinë e miqësisë, përkushtimin e erosit, por është pakthyeshmëria apo mosluhatja e zemrës që e bën të ndryshme.
Unë kam zgjedhur ta prezantoj këtë dashuri me mollen, sepse dua të mbajmë parasysh thënien ‘molla e mban larg mjekun’ duke nënkuptuar që kjo dashuri mban larg sëmundjen e egoizmit që është e kundërta e dashurisë. Kjo është dashuria e painteres dhe e përkushtuar pa kushte ndaj tjetrit. Një dimension i rëndesishëm i kësaj dashurie është vullneti që nuk mbështetet tek ndjenja (apo ndonjë nevojë qoftë edhe e pavetëdijshme për tjetrin), por është vullnet apo zgjedhje e lirë e pandryshueshme për të dashur tjetrin pamvarësisht nga çdo kosto edhe kur tjetri është i padëshirueshëm dhe jo i nevojshëm për ty.
Agape është fjala greke e përkthyer dhe e njohur më mirë nga ne në latinisht: Karitas, që ne e kuptojmë të lidhur me bamirësinë. Nëse kemi thënë që në natyrën e dashurisë është dhënia e vetes ndaj tjetrit kush do të përbënte burimin e dashurisë përveç dikujt që s’ka asnjë nevojë, por megjithatë është gjithnjë dhurues? Kuptueshëm vetëm Perëndia mund të jetë burimi i dashurisë në esencën e vet dhe dashuritë që gjejmë në jetën njerëzore janë reflektime të kësaj dashurie gjithmonë dhënëse;

Agape- dashuria e përtejkësojetshme.

Bibla meson se Perëndia aq shumë i deshi njerëzit saqë dha veten e tij në Jezusin që të gjithë ata që e pranojnë të jetojnë në këtë dashuri të përjetshme. Prandaj kur ne kuptojmë dhe përfshihemi në këtë lloj dashurie Agape, mësojmë shijen e dhënies së vetes ndaj kësaj dashurie që është Perëndia dhe kështu hajmë nga molla e shëndetit të dashurisë. Kur përfshihemi në këtë lloj dashurie pa interes, kur ushqehemi nga kjo mollë, jemi më të bukur, më të shijshëm për shoqërinë, sepse Perëndia është më i bukuri nga të gjithë dhe burimi i gjithë dashurisë.

Nevoja dhe dëshira për dashuri si edhe përfshirja në dashuri na tregojnë nevojën dhe dëshirën për Perëndinë dhe na përfshin në ngjashmërinë me Perëndinë, sepse Perëndia është Dashuri.

Ylli Doçi,

Pastor, Profesor i Etikës dhe Filozofisë