Themeli i sigurisë së besimtarit para Zotit

0
59

 

Nuk është intensiteti, por objekti i besimit tonë tek gjaku i Jezusit që na shpëton.

 

Nga Dr. D.A Carson

Imagjinoni dy hebrenj, të cilët quhen Smith dhe Braun, emra hebrenj mbresëlënës, ditën para Pashkës së parë të Judenjve. Ata po diskutonin me njëri-tjetrin në tokën e Goshenit. Smithi i thotë Braunit:
”Shoku, a ndihesh nervoz për atë që do të ndodhë sonte në mbrëmje?”
Brauni i përgjigjet: ”E përse? Zoti na ka treguar çfarë duhet të bëjmë përmes shërbëtorit të tij, Moisiut. Ti nuk ke përse të ndihesh nervoz. A e ke sakrifikuar qengjin? A i ke lyer shtalkat e portës, dhe a ke hedhur gjak mbi arkitraun e shtëpisë tënde? A i ke bërë të gjitha këto? A ke paketuar gjithçka dhe a je gati të shkosh? A do ta hash të gjithë ushqimin e Pashkës së bashku me familjen tënde?”
Smithi: Sigurisht që i kam bërë të gjitha këto! Unë nuk jam budalla! Megjithatë, është pak e frikshme kur mendon për të gjitha gjërat që kanë ndodhur këtu këto kohët e fundit si mushkonjat, uji i lumenjve i kthyer në gjak…është e tmerrshme. Dhe tani kërcënimi i vdekjes së të parëlindurit. Më vjen keq! Ti ke tre djem, por unë kam vetëm një. Unë e dua shumë Çarlin dhe…dhe…dhe…sonte këtej do të kalojë engjëlli i vdekjes. E di çfarë? Unë e di çfarë thotë Zoti, dhe e kam lyer portën me gjak, por është shumë e frikshme. Do të jem i gëzuar kur të marrë fund kjo natë.”
Dhe tjetri përgjigjet: “Mos bëj kështu tani, unë u besoj premtimeve të Zotit.”

Atë natë, në atë vend kaloi engjëlli i vdekjes. Cili prej këtyre të dyve e humbi birin e tij? Sigurisht përgjigja është: asnjëri. Sepse vdekja nuk kaloi përmes tyre, në tokën e besimit intensiv apo të pastër dhe të praktikuar, por në tokën e gjakut të Qengjit. Kjo ia mbyll gojën akuzuesit. Gjaku ia mbyll gojën akuzuesit të vëllezërve ndërsa ai na akuzon ne përpara Zotit. Ai bën të heshtin ndërgjegjet tona kur na akuzon ne drejtpërsëdrejti. Sa herë dridhemi në agoni duke pyetur veten nëse Zoti do të na dojë ndonjëherë mjaft, nëse Zoti do të kujdeset mjaft për ne pasi kemi bërë gjëra kaq të poshtra, rebeluese dhe mëkatare edhe pse kemi qenë të krishterë për dyzet vjet me rradhë? Çfarë do t’i thuash Atij: “Zot, ti e di që unë po përpiqem shumë, apo jo? Unë bëra aq sa munda, por ishte një moment i vështirë.” Jo, jo, jo, jo!

Unë nuk kam asnjë argument tjetër, unë nuk kam nevojë për asnjë shfajësim. Mjafton vdekja e Jezusit dhe fakti që Ai vdiq për mua. Ne e mundim akuzuesin përmes gjakut të Qengjit. Ky është themeli i gjithë sigurisë së njerëzimit para Zotit. Ky është themeli i besimit tonë. Nuk na shpëton intensiteti i besimit tonë të paqëndrueshëm, apo jo?! Nuk është intensiteti por objekti i besimit tonë që na shpëton. Njerëzimi e mposht akuzuesin në tokën e gjakut të Qengjit.

Përktheu për unebesoj.org: Ana Llakaj

Burimi: Gospelcoalition.com