Ku është Albert Kamy?

0
141


Albert Kamy, mendimtari i shquar ekzistencialist, luftonte me çështjet fetare, si kuptimi i jetës, bazat e moralit, problemi i vuajtjes dhe i së keqes, dhe me dëshirën për jetë të përjetshme. Romanet e tij më të famshëm, “I huaji” (1942), “Murtaja” (1947), “Rënia” (1956) shfaqnin bindjet e tij se Zoti nuk ekziston dhe se bota është pa kuptim.

Zhgënjimet më të mëdha të Kamysë vinin nga çështja e vuatjes dhe e së keqes. Duke parë vuajtjen dhe dhimbjen rreth e rrotull tij, ai nuk mund të besonte se një Zot që është i mirë dhe i gjithëfuqishëm do të rrinte pa bërë gjë po të shikonte ngjarje te tilla. Ndjente se një Zot i tillë nuk ishte i denjë për t’u besuar.

Kamyja nuk mund të ulej dhe të vëzhgonte vuajtjet e asaj që ai e ndjente se ishte një botë pa kuptim. Ai u përpoq të krijonte kuptim, duke treguar dhembshuri ndaj atyre që vuanin dhe duke inkurajuar të tjerët të bënin të njëjtën gjë.

Hauard Muma, një pastor metodist, ishte i ftuar në kishën amerikane në Paris gjatë verës në fundin e viteve 1950. Gjatë kësaj kohe Kamyja iu afrua atij. Muma i ishte betuar për konfidencë në atë kohë dhe bisedat e tij me Kamynë ishin të çrregullta dhe rastësore, por ato patën ndikim. Muma pa një njeri që kishte pyetje dhe dyshime për bindjet e tij.

Një herë Kamyja i thotë atij: “Unë po kërkoj diçka që nuk e kam, diçka të cilën nuk jam i sigurt nëse mund ta përkufizoj”. Muma, në vend që të përpiqej të nxirrte në pah dobësite e filozofisë së Kamysë, e ngushëlloi dhe i tregoi paaftësinë e vet për të kuptuar botën, ekzistencën e njeriut dhe qëllimin e tij.

Ndërsa bisedat e tyre vazhdonin, Kamyja filloi te lexonte Biblën që i kishte dhënë Muma. Ndërsa po lexonte, diçka u qartësua në mendimet e Kamysë!

Në një takim të mëvonshëm, Kamyja papritmas e pyet: “Hauard, a bën pagëzime ti?” E pyeti edhe se çfarë do të thotë të rilindesh. Muma i shpjegoi se pagëzimi është një përkushtim simbolik ndaj Zotit dhe rilindja është të hysh prapë, përsëri, në procesin e rritjes shpirterore….të marrësh faljen, sepse i ke kërkuar Zotit të të falë gjithë mëkatet e tua. Kamyja u përgjigj: “Hauard jam gati, këtë dua.”

Kamyja donte një pagëzim të fshehtë, por Muma nuk ishte dakord me këtë gjë. I sugjeroi që të vazhdonte të studionte Biblën dhe ta shtynte pagëzimin derisa të dy të binin dakord për mënyrën e pagëzimit.

Ata u ndanë për atë periudhë me fjalët e Kamysë: “Miku im, mon cher, falemnderit,….. Do të vazhdoj të këmbëngul për besimin.”

Disa muaj me vonë, më 4 janar 1960, Kamyja u vra në një aksident me makinë!

Marrë nga “The One Year Book of Christian History”

Perktheu për unebesoj.org: Danjela Serjani

Reflektim:

  1. A PRISNI TA TAKONI ALBERT KAMYNË NË PARAJSË?

  2. NËSE DO KISHIT QENË HAUARD MUMA, A DO TË KISHIT BËRË NDONJË GJË NDRYSHE?

“Sepse është shkruar: “Do të bëj të humbasë dituria e të diturve, dhe do ta asgjësoj zgjuarësinë e të zgjuarve.” Ku është i dituri? Ku është skribi? Ku është debatuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri të marrë Perëndia diturinë e kësaj bote? Sepse, duke qenë se nëpërmjet diturisë së Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me urtinë e vet, Perëndisë i pëlqeu të shpëtojë ata që besojnë nëpërmjet marrëzisë së predikimit.”1 Korintasve 1:19-21 (Bibla)