Problemi i atyre që nuk kanë dëgjuar kurrë për Krishtin

0
8

Të krishterët e hershëm shpallnin që Jezusi është rruga e vetme e shpëtimit, rruga e vetme e faljes dhe jetës së përjetshme. E vetmja mënyrë për të shkuar te Perëndia. Megjithatë, në epokën ku jetojmë shumë njerëz e konsiderojnë këtë të paparanueshme, madje edhe thellësisht ofenduese. Përse? A është e pamundur që Jezusi të jetë udha e vetme? Shumë njerëz kundërshtojnë duke thënë: nëse Jezusi është udha e vetme, atëhere çfarë ndodh me njerëzit që nuk kanë dëgjuar kurrë? Ata nuk kanë asnjë mundësi të shpëtohen. E vërteta është që ata kanë. Perëndia nuk është i padrejtë. Bibla thotë se Perëndia dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen. Ata që nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për Krishtin nuk do të gjykohen mbi bazën e diçkaje që nuk e dinë. Ata do të gjykohen bazuar në atë që dinë.

Pra, çfarë dinë njerëzit që nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për Krishtin? Ekzistojnë dy të vërteta, të cilat Perëndia ua ka zbuluar të gjithë njerëzve kudo që janë. Së pari, Ai ekziston. Ne e mësojmë këtë duke vëzhguar natyrën përreth nesh. Dhe e dyta, ekziston një ligj moral. Ne të gjithë jemi në dijeni të kësaj përmes përjetimit të ndërgjegjes sonë personale. Secili prej nesh ka një sens moral që na tregon të drejtën dhe të gabuarën. Kështu që, ata që nuk dëgjojnë kurrë për Krishtin, mund t’i përgjigjen Atij gjithsesi përmes informacionit që u është dhënë përmes natyrës dhe ndërgjegjes. Në bazë të njohurisë së tyre mbi Perëndinë dhe ligjit moral ata mund të kthehen te Perëndia për të marrë faljen e Tij dhe një jetë të re.

Njëlloj edhe si njerëzit që kanë jetuar para kohës së Krishtit. Ata mund të shpëtohen përmes Krishtit edhe pse nuk kanë dëgjuar për Krishtin.

Por çfarë ndodh me njerëzit që nuk i përgjigjen vetëzbulimit të Perëndisë përmes natyrës dhe ndërgjegjes? E vërteta është që ata e kanë ndarë me vetëzgjedhje veten nga Perëndia, duke e refuzuar vetëzbulimin e Tij ndaj tyre. Dhe Perëndia nuk do t’i detyrojë ata të besojnë, nëse ata vetë nuk duan. Por ndoshta ata do të kishin besuar te Krishti, sikur të kishin dëgjuar për të. A janë ata thjesht viktima të fatit të keq, të lindur në kohën dhe vendin e gabuar në histori? Jo, sepse sipas Biblës kohët dhe vendet në të cilat kanë lindur njerëzit nuk janë rezultat i një aksidenti. Perëndia vendos kur dhe ku do të jetojë çdo person. Pra, është e mundur që Perëndia e ka rregulluar botën në mënyrë të tillë, që kushdo që do të besonte te Krishti po të kishte dëgjuar për të, është krijuar në atë kohë dhe vend në histori, ku dëgjon për Të. Prandaj, asnjë nuk humbet përmes një aksidenti historik dhe gjeografik. Çdokush që dëshiron, apo do të dëshironte të shpëtohej, do të shpëtohet. Fati ynë i përjetshëm është vërtet në duart tona. Pra, çfarë do zgjedhësh ti?

“Dhe ai ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut, dhe caktoi kohërat me radhë dhe caqet e banimit të tyre, që të kërkojnë Zotin, mbase mund ta gjejnë duke prekur, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh.” Veprat e Apostujve 17:26-27.

Përktheu: Ana Llakaj