Nëse ka Zot, pse ekziston e keqja?

0
31

Po sikur Perëndia të ketë një arsye pse e lejon të keqen? Po sikur Perëndia të jetë në proces të asgjësimit të së keqes. Dhe sigurisht është çështje kohe kur e keqja të asgjësohet. Pra, kjo është shumë e thjeshtë për të thënë që një argument i tillë nuk është i mjaftueshëm për të ardhur në konkluzionin që Perëndia nuk ekziston, ose që Perëndia nuk është i mirë. Ky nuk është një argument i ri, është një argument i përdorur nga njerëzit që janë të prekur nga e keqja, dhe ne të gjithë jemi të prekur nga e keqja, por nuk është konkluzioni i domosdoshëm që Perëndia nuk është i mirë, apo që nuk është i plotfuqishëm. Shembulli tipik i atyre që më vjen në mendje mua, që e kanë provuar në trupin e tyre, në jetën e tyre të keqen dhe përsëri kanë arritur, kanë mbajtur besimin e tyre te Perëndia, është Jobi. Jobi është ai që njifet si njeriu që ka duruar vuajtjen edhe kur ka qenë e kuptuar direkt si një problem i lidhur me Perëndinë dhe me Djallin. Kështu që kur vijmë tek Jobi dallojmë edhe një kontekst më të gjerë ku duhet parë kjo pyetje. Ne kujtojmë, ose shumica e njerëzve mendojnë që rehatia jonë personale është gjëja më e rëndësishme në këtë jetë. Ne mendojmë që lumturia jonë lidhet me rehatinë, me mungesën e vuajtjes, por ka gjëra më të rëndësishme në jetë. Ka gjëra më të rëndësishme siç janë karakteri për shembull, siç është formimi i një karakteri të mirë dhe ky nënkupton kalimin përmes sfidave dhe përmes vuajtjeve. Për shembull, ne nuk do donim, as nuk do ta respektonim një person që nuk ka përjetuar asnjëherë asnjë fatkeqësi. Është e rëndësishme për ne kur dëgjojmë për njerëz që kanë kaluar përmes vështirësive, përmes fatkeqësive dhe janë me një qëndrim fisnik. Kështu që edhe ata që nuk besojnë, e dinë vlerën e vuajtjes. Por, ka edhe një dimension tjetër që përsëri Jobi na ndihmon ta kuptojmë dhe ai është, lumturia e njeriut që lidhet me praninë e Perëndisë. Po ta shikojmë te libri i Jobit, është biseda e gjatë e Perëndisë me Jobin, që e bën Jobin të thotë ‘e mbylla gojën‘. Deri tani unë vetëm kisha dëgjuar për ty, – i thotë Perëndisë-tani unë të pashë. Dhe kjo është e mjaftueshme.’ Kështu që, vuajtja duhet parë në kontekstin e përkufizimit të lumturisë, ndryshe nga ajo që mendojnë njerëzit, ndryshe nga rehatia personale, apo nga pasuria, apo nga shëndeti. Më kupton? Lumturia është e bazuar mbi një lidhje tjetër dhe ky synim mund të jetë ai që Perëndia ka kur lejon vuajtje të ndryshme të vijnë në jetën tonë.