Nëse Jezusi ishte Perëndi i gjithëdijshëm, pse Ai nuk e dinte se kur do të ndodhë fundi i botës ?

0
252

Nga Dr.Trent Hyatt,

Ph.D. Universitaet Basel
Instituti për Studime Biblike dhe Teologjike 
Europa Lindore dhe Rusia

Kjo është një pyetje interesante, nga ato pyetje që nuk mund t’u përgjigjesh pa u kthyer pas në kohë e pa u përqendruar në faktin se hyjnia e Krishtit është një shtyllë qendrore e krishterimit.Pa natyrën hyjnore të Krishtit nuk mund të ketë krishterim.Pra, si mund të justifikohet një deklaratë kaq mahnitëse në lidhje me natyrën e Tij hyjnore?A s’do të ishte krishterimi më mirë sikur të kishte vetëm një sistem etik në vend të besimit te një njeri hyjnor në Tokë?

Shume njerëz e kanë menduar këtë, por, po të shohësh provat, zbulon se Jezusi e ka deklaruar Vetë natyrën e Tij hyjnore, deklarata që nuk mund të interpretohen veçse si deklarata të një personi hyjnor.

Për pasojë, ne gjendemi në pozitën që ose do të besojmë se po thotë të vërtetën, që në këtë rast do të thotë se Ai është Zot; ose që po na gënjen, gjë që do ta shkatërronte plotësisht besueshmërinë e Tij; ose që Ai s’ishte i ekuilibruar mendërisht, një person me probleme psikologjike.

Dy mundësitë e fundit, çekuilibri psikologjik ose të qenët gënjeshtar, nuk janë të pranueshme nëse shohim provat për llojin e personit që ishte Jezusi, prova që na çojnë në përfundimin se Ai po na thotë të vërtetën.Si të krishterë, ne e pranojmë lirisht se ky është një mister. Ideja se dikush mund të jetë plotësisht njeri e plotësisht Perëndi në të njëjtën kohë sfidon logjikën.Nuk është diçka që mund të shpjegohet në mënyrë logjike.

Vërtet në botën fizike ekziston një listë analogjish. Për shembull, fizikanët thonë se drita shfaq njëkohësisht vetitë e grimcave dhe të valëve. Fizikanët i referohen kësaj si dualitet. Pra, të paktën ka një analogji sesi diçka mund të jetë dy gjëra të ndryshme njëkohësisht.

Unë mendoj se ky është një krahasim i arsyeshëm me natyrën njëkohësisht hyjnore dhe njerëzore të Krishtit.Ne e konfirmojmë plotësisht se kjo nuk është diçka që mund të shpjegohet në mënyrë logjikë, se është mister, por ama i vërtetë.Kjo është një çështje kryesore: pse u bë Zoti njeri?

Është e vërtetë se në Dhiatën e Vjetër ka profeci rreth një Mesie që duhej të vinte e që do t’u zbulonte Zotin njerëzve e do të kryente çlirimin e popullit të Izraelit, por gjetja e arsyes pse Zoti u bë njeri kërkon që të shohim jo vetëm çfarë ka bërë Zoti, por edhe çfarë i nevojitet njeriut.

Kur shohim njerëzimin, zbulojmë se është i zënë në mëkat dhe vuajtje. Kjo është arsyeja pse Zoti u bë njeri, që ta shpengonte njeriun nga gjendja e tij, nga të qenët i bllokuar në mëkat dhe vuajtje.Kështu pra, fakti që Zoti të shkonte aq larg sa të mishërohej, të bëhej njeri, do të thotë se Krijuesi hyri në krijimin e Tij. Çfarë mendimi i mrekullueshëm!

Por, nëse Ai e donte krijimin e Tij, kjo do t’i jepte motivimin për ta bërë këtë. Megjithatë, që të bëhej njeri, natyra e Tij hyjnore duhej mbuluar, që, në njëfarë mënyre, do të thotë të fshihej.Kështu, si njeri, Jezusi pati uri, u lodh, mund të rrihej dhe mund të vritej. Në të gjitha gjërat, Ai tregoi anën e Tij njerëzore, por njëkohësisht edhe anën e Tij hyjnore me anë të veprave të fuqishme, mirësisë së Tij dhe, në fund, me anë të vdekjes në kryq dhe ringjalljes së Tij.

Të gjitha konfirmojnë se Ai nuk ishte vetëm njeri, por edhe Zot.Epo, nëse kjo ka qenë diçka që Zoti vërtet e ka bërë në histori, pra që u mishërua në personin e Jezusit nga Nazareti, Ai e fshehu natyrën e Tij hyjnore, që do të thotë se Ai pranoi vullnetarisht shumë prej kufizimeve të njerëzimit, gjë që e shohim në pohimin e Tij se vetëm Ati e dinte kohën e mbarimit të botës.

Kjo ishte gjatë periudhës kohore kur Ai pranoi vullnetarisht kufizime në natyrën e Tij hyjnore.Kjo nuk do të thotë se Ai pushoi së qeni Perëndi.Perëndia nuk mund të pushojë kurrë së qeni Perëndi. Nëse është Perëndi, gjithmonë do të jetë Perëndi.Këto kufizime ndaj shprehjes së Tij si hyjni u hoqën kur Ai u ringjall prej së vdekurish.

Jezusi është tërësisht ose saktësisht i gjithëdijshëm sa Ati. Çdo person i Trinisë di gjithçka, përfshirë këtu Jezusin si i Ringjalluri, që ndryshon nga Jezusi i mishëruar në Tokë, në historinë hapësirë-kohë.

Përktheu për unëbesoj.org: Çeljeta (Saraçi) Manko