A janë të besueshëm dhe të pandryshuar të gjithë librat që përbëjnë Biblën?

0
113

Nga Dr.Trent Hyatt,

Ph.D. Universitaet Basel
Instituti për Studime Biblike dhe Teologjike 
Europa Lindore dhe Rusia

66 librat e Biblës paraqesin shumëllojshmëri të madhe. Ata nuk janë të gjithë të të njëjtit zhanër. Kështu, për shembull, kemi libra të natyrës historike, si Zanafilla, Eksodi, ungjijtë, por edhe libra të mbushur me çfarë do të quanim ligje, libra që japin drejtim për mënyrën si duhet të kryhet adhurimi dhe për mënyrën si duhet të sillen njerëzit. Këto lloj shkrimesh i shohim te Levitiku dhe Ligji i Përtërirë. Gjithashtu, kemi libra që japin udhëzime për besimtarët e rinj. Sigurisht, këtu e kam fjalën veçanërisht për letrat e apostujve në Dhiatën e Re, letra që iu shkruan kishave të para. Por kemi edhe libra që merren me të ardhmen. Këta i quajmë libra profetikë, si libri i Danielit, ose libri i Zbulesës, libra që na tregojnë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, pati një opinion negativ mbizotërues për besueshmërinë e Biblës. Studiues, veçanërisht në Gjermani, por më pas në të njëjtët numra në Angli e madje në ShBA, ishin të mendimit se Bibla ishte goxha e pasaktë në gjërat që shpallte dhe goxha e pabesueshme në gjërat që mësonte. Megjithatë, shumë arkeologë në shekullin e nëntëmbëdhjetë e të njëzet kanë bërë shumë kërkime në Greqi, Turqi dhe tokën e shenjtë, dhe bënë shumë zbulime të natyrës arkeologjike, si edhe zbuluan shumë pjesë, fragmente, dorëshkrime të Biblës, që datonin në shekujt e parë pas Krishtit.

Një prej arkeologëve më aktivë të kësaj periudhe, pra në fillim të shekullit të njëzet, e në fakt ndër më të nderuarit në arkeologjinë moderne, ishte një burrë me emrin Nelson Glueck. Ai bëri disa deklarata shumë mbresëlënëse për gjërat që zbuloi me anë të arkeologjisë për sa i përket saktësisë së Biblës. Më lejoni t’ju lexoj se çfarë ka thënë:

“Mund të deklarohet në mënyrë kategorike se asnjë referencë biblike nuk është hedhur poshtë ndonjëherë nga asnjë zbulim arkeologjik. Qindra zbulime arkeologjike konfirmojnë në përvijim të qartë dhe detaje të sakta deklaratat historikë që gjenden në Bibël. Në të njëjtën mënyrë, vlerësimi i saktë i përshkrimeve biblike ka çuar shpesh në zbulime të mahnitshme.”

Kjo është një deklaratë mbresëlënëse, domethënia e qartë e së cilës është se, në fakt, skepticizmi mbizotërues i studiuesve të shekullit të nëntëmbëdhjetë e të njëzet është i pabazë; se referencat biblike ndaj ngjarjeve historike janë referenca të sakta ndaj ngjarjeve që kanë ndodhur në histori.

Sigurisht Bibla nuk është thjesht rrëfim historik, por edhe libër profetik. Ajo përmban jo vetëm referenca ndaj ngjarjeve historike, por edhe interpretimin dhe domethënien e këtyre ngjarjeve, si dhe profeci që kanë të bëjnë me ngjarje të së ardhmes.

Bibla na paralajmëron edhe për ngjarje të së ardhmes, për kohën kur Perëndia do të ndërhyjë në rrjedhën e historisë. Kështu, tregimet e Biblës nuk duhen parë vetëm nga pikëpamja e saktësisë historike, por edhe nga pikëpamja e mesazhit të saj më të gjerë, pretendimet e saj për të vërtetën e Perëndisë, Jezus Krishtin, natyrën frymore dhe morale të njeriut, dhe kërkesave të Perëndisë ndaj njeriut.

Besueshmëria historike e Biblës, pra, është më shumë se qëndrimi ndaj regjistrit historik. Ajo na nxit t’i marrim seriozisht pretendimet e saj për vërtetësi në lidhje me çështjet kyçe, për marrëdhënien e njeriut me Perëndinë dhe nevojën e njeriut për falje të mëkateve.

Njohja e saktësisë historike të Biblës duhet të na motivojë të hetojmë pretendimet e saj, të hetojmë pretendimet e Jezus Krishtit, i Cili i fton të gjithë njerëzit të vijnë tek Ai e të bëhen ndjekës të Tij.

Për sa i përket pyetjes a është ndryshuar çfarë u shkrua në fillim në Bibël nga autorët e saj, ne mund të jemi shumë të sigurt se kjo nuk ka ndodhur. Sigurisht, e gjithë Bibla është shkruar shumë kohë para shpikjes së shtypshkronjës, që do të thotë se të gjithë librat e Biblës, njëlloj si gjithë librat e lashtësisë, duhej të kopjoheshin me dorë.

Puna e skribëve, personat e përfshirë në punën e mundimshme të kopjimit të librave në papiruse ose pergamena, ishte një aktivitet shumë i rëndësishëm përgjatë pjesës më të madhe të lashtësisë. Kërkohej punë e kujdesshme dhe normalisht kryheshin testime shumë kërkues për t’u siguruar që dokumentet kopjoheshin me saktësi. Sigurisht, gabime të vogla tekstuale kalonin nëpër tekste, por këto ishin krahasimisht të lehtë për t’u shquar e, për më tepër, nuk ndryshonin domethënien ose thelbin e veprave që po kopjoheshin.

Në fakt, Bibla është një rast unik, për sa i përket shkrimeve nga lashtësia. Ndërsa dorëshkrimet e veprave të lashta të autorëve si Homeri ose autorëve klasikë të periudhës greko-romake janë vetëm disa, kopjet e fragmenteve dhe pjesëve të dorëshkrimeve të librave të Biblës janë me mijëra, dhjetëra mijëra.

Bollëku i kopjeve të dorëshkrimeve nga lashtësia i jep studiuesve të tekstit mundësinë të shqyrtojnë e krahasojnë kopjet ekzistuese e të vendosin me nivel shumë të lartë sigurie se çfarë thuhej në tekstet origjinale. Prandaj, kur marrim një kopje moderne të botuar të Biblës, po mbajmë në duar një vëllim unik.

Ky është një libër që është shkruar përgjatë një periudhe prej rreth një mijë e pesëqind vjetësh, nga rreth dyzet autorë të ndryshëm, në tri gjuhë të ndryshme: hebraisht, aramaisht dhe greqisht.

Ne tani kemi rreth njëzet e pesë mijë dorëshkrime, fragmente dhe pergamena të Biblës. Këto shfaqin përputhje të mahnitshme, që na lejojnë të pohojmë me shumë siguri se çfarë thuhej në tekstet origjinale.

Ka një mal me prova se, ato që kemi sot në Biblat tona, në fakt është pothuajse 99% a më shumë saktësisht çfarë u shkrua nga autorët origjinalë. Pra, për sa i përket çështjes së ndryshimit të Biblës nga koha kur u shkrua e deri tek kopjet që kemi tani, provat për këtë mungojnë tërësisht. Përkundrazi, ka shumë prova që tregojnë se kemi kopje shumë të sakta.

Përktheu për unëbesoj.org: Brunilda Rustani