A është Jezusi Perëndi apo Bir i Perëndisë?

0
311

Nga Dr.Trent Hyatt,

Ph.D. Universitaet Basel
Instituti për Studime Biblike dhe Teologjike 
Europa Lindore dhe Rusia

Kjo pyetje është pak a shumë si pyetja a je njeri apo bir njeriu.Sigurisht që jam të dyja, por ka një keqkuptim gjerësisht të përhapur për sa i përket kuptimit të termit “Biri i Perëndisë”.Termi “Bir i Perëndisë” që i atribuohet Jezusit nuk ka të bëjë fare me pasardhjen fizike, sikur Ati të kishte pasur marrëdhënie me një qenie njerëzore dhe Jezusi të ishte pasardhësi. Nuk është fare rasti.

Termi “Bir i Perëndisë” është një term respekti dhe nderi për një pozicion të lartë dhe, në fakt, ky term zbatohej për Jezusin përpara lindjes së Tij fizike në Tokë.Ai ishte tashmë Biri. Në fakt, Ai është Biri i Përjetshëm që ka ekzistuar gjithmonë.Interesant është fakti se termi “Bir i Perëndisë” mund të përdoret dhe për qeniet njerëzore.

Për shembull, unë i referohem vetes si një bir i Perëndisë, por i tillë jam bërë duke vendosur besimin te Jezusi, pra statusi im si bir i Perëndisë është ndryshe nga statusi i Jezusit si Biri unik i Perëndisë.Kjo bëhet shumë e qartë në një nga deklaratat që bëri Jezusi e që është regjistruar për ne në kapitullin e 17të të Ungjillit të Gjonit.

Në një lutje në vargun e pestë, Ai thotë: ‘‘Tani, pra, më përlëvdo, o Atë, pranë Teje, me lavdinë që Unë e kisha pranë Teje para se të bëhej bota.’’Kjo është qartësisht një deklaratë për ekzistencën e Tij të përjetshme, pra se Ai e kishte këtë lavdi me Atin përpara krijimit, gjë që kjo na çon pas në kohën para kohës.

Në vargu 58 të kapitullin 8 të Ungjillit të Gjonit, në një nga bashkëveprimet dhe debatet me hebrenjtë, Jezusi deklaron: ‘‘Në të vërtetë, në të vërtetë Unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, Unë jam.’’Kjo është një deklaratë interesante, intriguese.

Gramatikisht, duket si gabim sintaksor të thuash diçka të tillë, por Ai e thotë këtë për të theksuar përjetësinë ose para-ekzistencën Tij të mëparshme. Kështu, Ai nuk tha përpara se Abrahami të ishte, Unë isha.Ai tha përpara se Abrahami të ishte, Unë jam, gjë që pasqyron emrin e Zotit në Dhiatën e Vjetër: Jahve.

“Jahve” është e lidhur me fjalën hebraike “të jesh, unë jam”. Kështu pra, kur Jezusi thotë “përpara se Abrahami të ishte, Unë jam”, Ai po nënvizon ekzistencën e Tij të përjetshme si Perëndia i shfaqur në Dhiatën e Vjetër, si Jahve.Ky nuk ishte i vetmi vend ku Jezusi shpreh deklarata të tilla, ku pohon se është Perëndia.

Te Gjoni 10, vargu 30, në një bashkëbisedim me hebrenjtë, Ai tha: ‘‘Unë dhe Ati jemi një’’, duke shprehur unitetin me Atin.Hebrenjtë menjëherë e kuptuan, dhe e dini si reaguan? U përkulën dhe morën gurë për ta goditur për vdekje.Dhe Jezusi pyeti ‘‘Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati Im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?’’

Dhe përgjigja e tyre ishte: ‘‘Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse Ti, duke qenë njeri, e bën Veten Perëndi”Pra, me fjalë të tjera, hebrenjtë e kuptonin shumë mirë çfarë po deklaronte Ai.

Dhe ata e kuptonin këtë njëlloj siç e kuptojmë ne të krishterët, se Ai po bënte një pohim për natyrën e Tij hyjnore. Por sigurisht ndryshimi qëndron në faktin se ata e refuzuan dhe e mohuan Atë, ndërsa ne si të krishterë e pranojmë këtë, se Ai na ka dhënë tërë ato arsye në deklaratën e Tij se kush është.

Prandaj, pyetja a është Jezusi Biri i Perëndisë apo Zoti, ka si përgjigje “Po, të dyja”.

Përktheu për unëbesoj.org: Çeljeta (Saraçi) Manko