Aroma e Krishtit

0
57

Nga Herri Foster

“Kryeprifti i ditëve të lashta duhet të ketë patur të paktën një grimë arome nga Shenjtërorja me vete kudo që shkonte. Edhe kur u largua nga Vendi i Shenjtë dhe u vendos në mes të shtresave të thjeshta, një pjesë e aromës së tij vazhdonte të ndihej. Ndoshta Kryeprifti ishte mësuar tashmë me këtë aromë dhe nuk e vinte më re që e kishte akoma, por të tjerët e dinin.

Kur dikush kthehet në shtëpi nga qyteti mund të sjellë me vete erën e tymit që e ka mbuluar kokë e këmbë. Ai nuk ka si të bëjë ndryshe; ata kanë udhëtuar në orën e pikut me transportin publik të mbipopulluar, pa patur mundësi t’i shmangen tymit. Ai ka aromën e një ‘bote tjetër’ dhe ky është një tregues që ky person ka qenë diku tjetër. Ajo është një aromë që mund ta gjesh vetëm në Shenjtërore. Nuk mund të gjendet askund tjetër. Në shumicën e rasteve personi që e ka mund të mos jetë i vetëdijshëm për të. Por të tjerët e vënë re.

Në tipologjinë e Dhjatës së Vjetër, aroma e temjanit në Shenjtërore ishte një ‘hije’ e ‘Aromës’ së vërtetë që do të vinte. Nuk mund të ketë asnjë dyshim për aromën e Zotit Jezus. Kudo që shkonte, çfarëdo që bënte, çfarëdo që thoshte, parfumi i shtrenjtë i një ‘bote tjetër’e shoqëronte Atë. Ishte, në kuptimin e plotë të fjalës, aroma e atmosferës së Parajsës. . .parfumi i ëmbël i lavdisë së përjetshme . . . një ëmbëlsi e qëndrueshme . . . një atmosferë e prezencës së Perëndisë.

Turmat nuk u tërhoqën thjesht nga fjalët që Ai tha apo nga veprat që Ai kreu. Ata u tërhoqën nga ‘diçka’ e papërcaktuar, që mund të përshkruhet vetëm si aroma e parajsës. Dhe kjo aromë nuk zgjoi vetëm nevojat dhe dëshirat në zemrat e atyre që ishin në kërkim, por duket sikur frymëzoi shpresë.

Askush nuk mund ta imitojë atë sepse është aromë natyre. Jezusi nuk u përpoq të bëhej aromatik, ajo ishte një karakteristikë e natyrës së Tij që përhapte atmosferën e një bote tjetër. Ai na e ka dhënë edhe ne këtë natyrë. Ndërsa jetojmë jetën e Jezus Krishtit, ne transportojmë edhe aromën e ëmbël të karakterit të Zotit. Përmes rilindjes sonë, ne kemi depozitën qiellore brenda nesh, ne jemi bartësit e temjanit të Jezusit ndërkohë që jeta e Tij jetohet përmes secilit prej nesh.

Kjo aromë e Krishtit mund të fitohet vetëm nga ata që jetojnë në bashkësi me Të. Ne mund të themi fjalët e duhura, bëjmë gjërat e duhura, japim përshtypjen e duhur, por nëse kemi humbur kontaktin me Të nuk do të ketë aromë të Krishtit për ne. Ne mund ta marrim atë përsëri vetëm përmes ripërtëritjes së vazhdueshme në ‘vendin sekret’. Ajo mund të humbasë lehtësisht; nuk mund të prodhohet apo kthehet përsëri përmes përpjekjeve tona; ajo i përket Shenjtërores dhe gjendet vetëm atje. Një jetë në miqësi me Zotin e bën atë të ruajë atmosferën unike dhe të dashur të parajsës.

Le të sqarojmë diçka në lidhje me këtë. Kjo aromë është më shumë sesa diçka që shoqëron shërbesën e dikujt. Ajo është faktori esencial në shërbesë. Prandaj, le të shkojmë në atë Shenjtërore në mënyrë që të dalim prej saj me një aromë tjetër mbi ne. Aromën e ëmbël të një bote tjetër.”

Burimi : www.unveiling.org