Homoseksualizmi dhe Etika e Krishterë

0
55

Intervistoi : Kaon Serjani

Intervistë me profesorin e Etikës në Universitetin Biola në Kaliforni, Dr. Scott Rae.

Dr. Rae ka kryer studimet universitare në Universitetin Metodist të Jugut. Ka Master në Teologji nga Seminari Teologjik i Dallasit dhe Master në Arte dhe Doktoraturë në Filozofi nga Universiteti i Kalifornisë së Jugut. Ka kryer studime pasuniversitare edhe në Institutin Amerikan për Studime të Tokës së Shenjtë në Jerusalem. Dr. Rei ka shkruar 10 libra mbi etikën, duke përfshirë “Etika e mëmësisë surrogate komerciale”, “Zgjedhje morale” dhe “Hyrje në etikë”, “Familje të reja trime”, “Etika biblike” dhe “Teknologjitë riprodhuese” “Trupi dhe Shpirti”, “Natyra njerëzore” dhe “Krizë në Etikë”. Puna e tij është botuar në “Feja dhe Liria”, “Gazeta e tregjeve dhe moralitetit”, “Gazeta e Kalifornisë së Jugut” dhe “Studime mbi Ligjin dhe gratë” “Periodiku kombëtar i bio-etikës” dhe “Etika dhe Mjekësia”. Ai është konsulent për etikën për 4 spitale të Kalifornisë së Jugut. Ai është edhe bashkëpunëtor për “Bio-Etika dhe dinjiteti njerëzor” dhe anëtar i “Forumit Uillbërfors.”

Serjani : Dr. Rae, e vlerësoj shumë që gjetët kohë për ta bërë këtë bisedë. 

Dr. Rae: Faleminderit për ftesën. Është kënaqësi. 

Serjani : Në librin tuaj, pasi e përkufizoni homoseksualitetin, ju listoni disa të pavërteta që njerëzit besojnë në lidhje me të. A mund t’i përmendni disa prej tyre shkurt këtu?

Dr. Rae: Po, mendoj se janë disa. Mendoj më e zakonshmja është që homoseksualët kanë një lloj sjelljeje, disa gjëra që i identifikojnë, si p.sh. femininiteti apo gjurmë të tilla. Kjo nuk është e vërtetë. Kemi patur raste që kanë dalë homoseksualë nga Liga Kombëtare e Futbollit dhe vende të tjera ku normalisht nuk pritej. Prandaj mendoj se ai stereotip është vështirë të gjejë mbështetje. Një tjetër e pavërtetë është që orientimi homoseksual është diçka me të cilën njeriu lind, d.m.th. është e trashëguar, por deri tani nuk ka asnjë provë që të sugjerojë se tërheqja ndaj të njëjtës gjini ka ndonjë lidhje gjenetike. Kjo nuk do të thotë që homoseksualiteti zgjidhet. Për shumicën, tërheqja e tyre seksuale është diçka që e zbulojnë, nuk e zgjedhin me vetëdije. Tani ata mund të zgjedhin ta ushqejnë, kjo është diçka tjetër, por në përgjithësi është diçka që ndodh me zhvillimin, ndërsa personi rritet. Dhe e kuptoj çfarë duan të thonë kur thonë se nuk kanë përjetuar asgjë tjetër veç asaj. Por ne mund të kemi shumë veçori të karakterit të tilla që nuk kemi njohur asgjë tjetër veç atyre, por kjo s’do të thotë që kemi lindur me to, apo ka ndonjë lidhje gjenetike. 

Serjani : A mund të flisni pak më shumë për faktorët që çojnë në homoseksualitet? 

Dr. Rae: Është shumë e vështirë të bësh përgjithësime, por ka disa gjëra që duket se janë në më të shumtën e rasteve, si p.sh. zakonisht personi ka patur një baba të munguar, apo të largët apo të zemëruar. Një tjetër veçori që haset shpesh, dhe patjetër ka përjashtime, është që ritualet që kanë kulturat e ndryshme për kalimin nga fëmijëria në moshën e rritur nuk janë përjetuar mirë. Kjo mund të ketë ndikim. Një tjetër mund të jetë që, nuk është e pazakontë që njerëzit të eksperimentojnë seksualisht kur janë adoleshentë dhe nëse ky eksperimentim ndodh me një person të të njëjtit seks dhe përjetimi ishte i mirë, ky shpesh është një faktor. Por nuk dua që dëgjuesit tuaj të ngatërrohen. Është vërtet e vështirë të bësh përgjithësime, dhe duam të jemi të sigurt që thjesht sepse ka korrespondime apo gjëra që janë të përbashkëta, nuk do të thotë patjetër që ato janë shkaqet. Korrespondimet dhe shkaqet nuk janë e njëjta gjë. 

Serjani : Në librin tuaj ju bëni një dallim midis homoerotik dhe homoseksual. Cili është dallimi, dhe pse është e rëndësishme kjo? 

Dr. Rae: Ky është një dallim vërtet i rëndësishëm për t’u bërë. Mendoj se në botimin e katërt unë e bëj të qartë. Është dallim midis tërheqjes dhe sjelljes. Meqenëse tërheqja nuk është zakonisht zgjedhje, nuk është diçka që njeriu e zgjedh, është e vështirë të thuash që ata janë fajtorë moralisht për tërheqjen, por Bibla duket se është më e interesuar në sjelljen, dhe jo aq shumë në tërheqjen. Prandaj do të thosha se tërheqja në vetvete, në shumicën e rasteve, nuk është diçka për të cilën njerëzit mbahen moralisht përgjegjës, megjithëse është e qartë nga Shkrimi se tërheqja ndaj të njëjtës gjini nuk është plani i Perëndisë. Pra, ka diçka si rezultat i Rënies që i ngatërroi gjërat në këtë fushë. Por është sjellja, dhe në veçanti epshi, dhe do të thosha që Jezusi e përkufizon epshin si veprimtari seksuale mendore, ku ti je ylli i shfaqjes, dhe çdo veprim tjetër sipas tij është problem. 

Serjani : Pra duket se ju po thoni që një person mund t’i ketë ato shtysa, ato emocione seksuale, por nëse ai apo ajo i frenon, kjo nuk është domosdoshmërisht sjellje seksuale. 

Dr. Rae: Tamam. Mendoj se është krejt e mundur që dikush që ka tërheqje ndaj të njëjtës gjini të jetë i/e përkushtuar ndaj pastërtisë dhe të ecë besnikërisht me Zotin. 

Serjani : Cila mendoni se do të ishte një përgjigje biblike ndaj homoseksualitetit? 

Dr. Rae: Mendoj se duhet të kemi një dhembshuri më të madhe për ata që luftojnë me orientimin seksual. Kjo përfshin edhe ata që luftojnë me orientimin transgjinor. Dhe unë mendoj që duhet të jemi të qartë në lidhje me atë që mëson Bibla për sjelljen. Shumë njerëz gei që duan ta marrin besimin e krishterë seriozisht ndihen sikur nuk e kanë opsionin për ta bërë këtë. Ky është problem i madh. Kishat tona duhet të jenë vende më mikpritës për njerëz që do të thoshin se janë gei, por janë të përkushtuar ndaj Shkrimit dhe pastërtisë. Kishat tona duhet të jenë vende kur beqarët e rritur mund të krijojnë ato lloj miqësish të pasura dhe lidhjesh të afërta për të cilat kanë nevojë. Njerëzit mund të jetojnë pas seks, por nuk mund të jetojnë pa dashuri dhe ngrohtësi. Për ata që thonë se njerëzit duhet të kenë marrëdhënie seksuale që të ndihen të plotësuar, mendoj se modeli i Jezusit sugjeron diçka tjetër. Mendoj se një i krishterë nuk mund të thotë “Nuk mund të kem një jetë të plotësuar pa seks.” Këtë pikëpamje nuk mund ta mbështetë duke pasur parasysh shembullin e Jezusit. 

Serjani : Më pëlqen vërtet mënyra si e shprehët. Njerëzit mund të jetojnë pa seks, por nuk mund të jetojnë pa dashuri dhe ngrohtësi. Kjo është diçka shumë e urtë

Dr. Rae: Kishat tona duhet të kenë vend për ata që kanë nevojë për këto. 

Serjani : Në librin tuaj ju paraqisni edhe argumente kundër homoseksualitetit që janë jashtëbiblike. Mund të përmendni disa?

Dr. Rae: Mendoj, historikisht, në tablonë e madhe, kur familja më tradicionale, burri dhe gruaja, të martuar me njëri-tjetrin, që jetonin nën një çati, që rrisnin fëmijë, pavarësisht sa e gjerë mund të jetë familja në disa kultura (dhe mendoj që edhe në kohërat biblike ishte mjaft e gjerë), por bërthama familjare e përbërë nga një burrë dhe një grua të martuar që janë nëna dhe babai i fëmijëve që jetojnë nën një çati, çdo herë që kjo është sulmuar, nuk ka qenë mirë për kulturën. Mund të mendojmë për Perandorinë Romake, mund të shohim disa gjëra që ndodhin në kohën e sotme, qysh nga vitet 60 në Amerikë dhe Europë ku familja është sulmuar. Mendoj se që lëvizja LGBT të ketë sukses, i duhet të zhvleftësojë dhe të minojë modelin tradicional familjar. Dhe mendoj se kjo ka patur pasoja katastrofike në Europë, në gjithë Perëndimin në të paktën 40-60 vitet e fundit. Ky ishte një argument. Mendoj se është edhe argumenti i ligjit të natyrës që sugjeron se Perëndia rojektoi mashkullin dhe femrën për t’u përputhur së bashku seksualisht dhe jo njerëz të të njëjtës gjini, duke patur parasysh tendencën e rezultateve të këqija nga ana mjekësore që kanë ndodhur përgjatë viteve. Ndoshta janë disa gjëra që mund të sugjeroni. Ka gjëra për t’u menduar edhe jashtë atyre që mëson Bibla. 

Dhe mendoj se mund të themi se martesa është në vetvete e orientuar drejt lindjes së fëmijëve. Kjo nuk është e vetmja e mirë e martesës. Kjo është e qenësishme për martesën. Prandaj mendoj se mund të ngresh një argument që marrëdhëniet midis të njëjtës gjini mund t’i quash si të duash, dhe nëse qeveria do t’i legalizojë, le ta bëjë, por ama mos e quaj martesë, sepse marrëdhëniet mes të njëjtës gjini nuk mund të orientohen në vetvete drejt lindjes së fëmijëve. 

Përktheu: Blerta Myrteza, Danjela Serjani