Filozofia dhe Mendimi i Krishterë: Agustini dhe Dekarti

0
5

Intervistoi : Kaon Serjani

Serjani : Disa shekuj më vonë mbërrijmë te një njeri i njohur si Augustini i Hipos. A mund të na tregoni pak, cili ishte Augustini?

Dr. Groothuis : Po, ai lindi në vitin 354 pas Krishtit në Afrikën Veriore. Ai ishte një djalosh shumë i zgjuar i rritur në një familje të krishterë. Ndikimi më i madh për të ishte nëna e tij shumë e zhvilluar. Por ai ishte, siç do ta thoshte më vonë, shumë arrogant. Ai ishte shumë inteligjent, shkëqeu në retorikë dhe e la pas edukimin e tij si i krishterë dhe jetoi një jetë sensuale, një jetë të dikujt që është i suksesshëm nga ana intelektuale. Ai hetoi disa filozofi, njëra prej tyre ishte Manikeanizmi, që është një filozofi shumë dualiste – për ta thënë shumë thjesht, fryma është e mirë, materia është e keqe. Por Augustini u mahnit me atë filozofi për një kohë. Ai u njoh me mësimet e krishtera, por e kishte të vështirë të linte jetën e kënaqësive, sidomos kënaqësive erotike. Dhe ai është i famshëm për thënien, “Zot më jep dëlirësi, por jo ende.” Dhe pastaj pati një përvojë ku ishte përjashta dhe dëgjoi një fëmijë të vogël që thoshte, “Merr dhe lexo, merr dhe lexo!” dhe ai e hapi Biblën në një pasazh të caktuar që fliste për lënien mënjanë të sensualitetit dhe mëkatit seksual dhe përqafimin e Krishtit, dhe ky kombinim, kjo koincidencë e rrethanave e solli atë në vendin e nënshtrimit ndaj Krishtit. Në atë kohë ishte në të tridhjetat, pra ishte një i kthyer në besim në moshë të rritur. Dhe ishte filozofi dhe teologu i parë i madh sistematik i krishterë në Perëndim. Prandaj pothuaj kushdo ka dëgjuar për Shën Augustinin, qoftë për ta fajësuar për çdo gjë të keqe në botë, qoftë nëse mendon se ishte frymëzim. 

 

Serjani : Dhe një nga librat më të njohur që shkroi ishte Rrëfimet, dhe atje do të gjejmë një integrim të analizës filozofike, edhe një dimension biografik. A mendoni se kjo është e nevojshme për ta shpjeguar filozofinë e tij?

Dr. Groothuis : Mendoj se funksionon mirë me filozofinë e tij, sepse ai pati një konvertim shumë intelektual dhe si i krishterë mendoi pastaj për filozofitë që kishte dikur dhe donte t’i hidhte poshtë, donte të zhvillonte një filozofi jete tërësisht të krishterë. Për shembull, ai përdor eksperiencat e tij për të folur për doktrinat e krishtera. Është një rast i famshëm kur Augustini ishte djalë i vogël dhe ai dhe shokët e tij vodhën disa dardha. Dhe i vodhën thjesht për qejf. Nuk i hëngrën, thjesht donin të bënin një gjë të ndaluar. Dhe ai më vonë reflekton mbi këtë dhe e kupton që kjo është në të vërtetë zemra e mëkatit: që ishte një akt rebelimi. E dinin që ishte e gabuar dhe e bënë thjesht për të marrë një lloj emocioni sipërfaqësor. Pra Augustini beson se mëkati i ka rrënjët thellë në shpirtrat tanë dhe në qenien tonë dhe duhet një zgjidhje rrënjësore që është Krishti Vetë për të na falur dhe riorientuar jetët tona. Kur e jap mësim këtë në hyrje të kurseve të etikës, studentët shpesh mendojnë se ai po bëhej qesharak, se ishte fëmijë dhe vodhi disa dardha. Dhe nuk ishte ndonjë gjë e madhe sepse dardhat nuk kushtonin shumë ndoshta, dhe ndoshta nuk do ta bënin kur të rriteshin, e të tjera. Ata nuk e kuptojnë fare idenë. Gjithë ideja është që thjesht sepse jemi njerëz jemi në thelb egoistë dhe kemi veten tonë në qendër të botës sonë. Dhe kjo ngjarje, kur e mendon mirë atë nxjerr. Prandaj nuk mendoj se ai e përdor jetën e tij në mënyrë shpërdoruese, siç bëjnë shumë autobiografi apo kujtime të kohës së sotme. Mendoj gjithçka atje lidhet me dëshirën e tij për të qenë plotësisht i kthyer tek Krishti dhe për të drejtuar të tjerët në një mënyrë jetese dhe në një mendësi të krishterë.

Serjani : Dhe në atë kuptim të tregonte një episod se si e përjetoi mëkatin në jetën e tij është qendrore për idetë e tij filozofike dhe për t’ua shpjeguar të tjerëve.

Epo, libri është një seri rrëfimesh, është një lutje. Ai i flet Perëndisë gjatë gjithë kohës. Dhe ky nuk ishte thjesht një mjet që ai e përdori për efekt letrar. Ai ishte i sinqertë në lidhje me të. 

Serjani : Një nga frazat e tij të famshme është “E paqetë është zemra jonë derisa pushon tek Ti.” Çfarë donte të thoshte me këtë?

Dr. Groothuis : Kjo ishte diçka që ai e përjetoi. Ai nuk mundi të gjente paqe në zemrën e tij, ai nuk mundi të gjente një mënyrë të drejtë për të jetuar përpara se të vinte te Krishti dhe ai besonte që ne nuk jemi vërtet të përmbushur apo të kënaqur derisa të jemi pajtuar me Krijuesin tonë përmes punës së Krishtit. Dhe ky është në të vërtetë thelbi i një përqasjeje apologjetike që disa herë quhet “argumenti nga dëshira,” ose “argumenti nga zbrazëtia.” Paskalin e kanë cituar të ketë thënë, “Në çdo person ka një zbrazëti që vetëm Perëndia mund ta mbushë.” Ky është një perifrazim i një citimi më të gjatë të tij. Por kjo është e rëndësishme për gjithë këndvështrimin e Augustinit, që krishtërimi nuk është thjesht një komplet idesh mbi realitetin. Ai ka të bëjë me Perëndinë e gjallë, i Cili na krijoi për Veten, dhe kjo është pjesë e një tjetër citimi, kur Augustini thotë, “Ti na ke krijuar për Veten, dhe zemrat tona janë të paqeta, derisa të pushojnë në Ty.” Pra, nëse marrëdhënia thelbësore për të cilën jemi destinuar, prishet nga mëkati, atëherë të gjitha marrëdhëniet tona të tjera dhe i gjithë mendimi ynë do të jetë i prishur në një mënyrë apo një tjetër, dhe nëse ai largim nga Perëndia shërohet përmes punës së Krishtit, që e pranojmë me anë të besimit, atëherë gjithçka tjetër ndryshon. Dhe kjo nuk do të thotë që nuk ka më dëshira të paplotësuara apo zhgënjim në jetë, por në nivelin më të thellë ne mund ta dimë që jemi të dashur nga Perëndia dhe na është dhënë një këndvështrim mbi jetën që përputhet me faktet dhe i jep kuptim gjithçkaje që bëjmë. 

Serjani : Për hir të kohës, por kapërcej shumë mendimtarë mesjetarë dhe po kaloj në filozofinë e epokës moderne, me Rene Dekartin. Dekarti është konsideruar si babai i filozofisë moderne. Megjithatë ai është etiketuar disa herë edhe thjesht si skeptik, që në fillim nuk ishte i sigurt as për ekzistencën e tij dhe pastaj zbuloi që “mendonte, prandaj ekzistonte.” Cili do të ishte një kategorizim më i mirë i Dekartit?

Dr. Groothuis : Hëm, Dekarti ishte një aventurier intelektual. Ai po përpiqej të gjente siguri gjatë një kohe skepticizmi dhe kur bota intelektuale ishte disi e trazuar pas Reformimit dhe nën dritën e skepticizmit pagan që ishte rizgjuar. Dhe ai e kuptoi që kishte gjëra që i kishte mësuar gjatë arsimimit të tij që ishin të rreme, prandaj ai po përpiqej të gjente një themel të patundur për njohurinë. Prandaj ajo që bën në meditimin e parë në librin e tij “Meditimet” është të përpiqet të vërë gjithçka në dyshim. Ky quhet dyshim metodologjik, ose dyshim hiperbolik. A kam vërtet një trup? A ekziston një botë e jashtme? Ndoshta po shoh ëndërr dhe nuk jam as zgjuar. Pra, ai parashtron një rradhë të madhe gjërash që mund t’i dyshojë dhe pastaj pyet “Epo, çfarë nuk mund ta dyshoj? A ka ndonjë gjë që duhet të jetë se s’bën e vërtetë?” Dhe ai thotë, “Epo, çfarëdo që po bëj, mendoj, dyshoj, dëshiroj, është dikush aty. Pra, nëse po mendoj, në çfarëdo mënyre mendimi, duhet të jetë një mendimtar. Pra kemi atë thënien, “Unë mendoj, prandaj ekzistoj,” ose është disa herë në shkrimet e tij, “Unë mendoj, presje, unë ekzistoj,” jo “Unë mendoj se ekzistoj,” por “Unë mendoj, unë ekzistoj.” Pra, nëse mendon, ekziston. Dhe ai mendnj që ky është themeli për të dalë nga humnera e skepticizmit. Pra ai gjen në mendjen e tij konceptin e Perëndisë, një qenie e përsosur, e pakufishme. Dhe ai ka një përkufizim shumë tradicional për Perëndinë. Ai e gjen atë në mendjen e tij. Dhe ai thotë, “Nga mund të ketë ardhur kjo? Unë nuk mund të jem burimi i tij, sepse jam i kufizuar dhe i papërsosur. Nuk mund të vijë nga ndonjë gjë në eksperiencën time, sepse eksperienca ime përbëhet nga gjëra që janë të varura nga të tjerat dhe të fundme dhe unë po mendoj për një qenie të pafundme dhe të përsosur.” Pra ai thotë duhet të jetë që Perëndia Vetë ma dha idenë e Perëndisë, sepse vetëm Perëndia është metafizikisht i pajisur për ta vendosur atë ide në mendjen time të vogël e të fundme, kur asgjë në përvojën time nuk mund të ma kishte dhënë atë ide. Dhe ky disa herë quhet argumenti shkakësor. Pra ai beson që meqë ka këtë nocion të lartësuar të kësaj qenieje të përsosur, të cilin vetë Perëndia duhet ta ketë vënë atje, atëherë Perëndia ekziston. Dhe pastaj ai shton një tjetër argument të quajtur argumenti ontologjik, që ai e jep, që është më i ndërlikuar. Kjo ide nuk merret seriozisht nga shumë filozofë sot. Unë e marr seriozisht në trajtimin që i bëj në librin tim “Filozofi në shtatë fjali.” Mendoj që ia vlen të paktën ta shqyrtosh dhe ta mendosh, sepse ideja e një Perëndie monoteist është tërësisht ndryshe nga çdo gjë tjetër në botën tonë të eksperiencës. Pra ngrihet pyetja se si mund ta kem unë atë ide? Mund ta shpjegoj unë atë ide thjesht duke kombinuar kategori të ndryshme të eksperiencës sime si një qenie e kufizuar, e fundme, e varur? Nuk e di nëse mundesh. Prandaj Dekarti arrin në idenë e Perëndisë dhe thotë që Perëndia duhet të ekzistojë, sepse Perëndia ma dha idenë e Perëndisë dhe nëse Perëndia është një qenie e përsosur dhe e pakufizuar, atëherë ai duhet të jetë përsosmërisht i mirë. Prandaj, nëse mua më duket sikur shikoj një botë të jashtme nga vetja ime me gurë dhe karrige dhe rrëke, dhe nëse më duket se kam trup, atëherë Perëndia nuk do të më mashtronte për atë gjë, sepse Ai do të ekzistonte dhe Ai nuk do të ishte mashtrues. Pra Dekarti argumenton nga brenda jashtë. Ai thotë, “ndoshta çdo gjë jashtë meje është një iluzion, por unë jam këtu si mendimtar, dhe kur bëj një inventar të mendimeve të mia kam këtë idenë e Perëndisë. Perëndia e vuri atje, ai Perëndi nuk do të ishte mashtrues dhe atëherë ai arrin të besojë botën e jashtme të ngjarjeve dhe të gjërave dhe proceseve, dhe beson se ka një trup dhe pastaj vazhdon që aty. Tani sa i suksesshëm ishte ai? A vuri në dyshim vërtet çdo gjë? Ai me sa duket nuk vuri në dyshim disa parime të shkakësisë. Për shembull, duhet të kesh njëfarë ideje të shkakësisë për ta përdorur nëse mendon që Perëndia të shkaktoi të kesh idenë e Perëndisë dhe ai e parashtron atë. Pra, sa i suksesshëm ishte programi? Ka hapësira dhe limite. Por shpesh atë e heqin mënjanë pa e trajtuar me respektin e duhur. Unë nuk e trajtoj gjerësisht në librin tim, por ai është i famshëm edhe se ka argumentuar që ka një dualizëm midis mendjes dhe trupit. Dhe ato argumente ia vlen të merren seriozisht, dhe pikëpamja biblike e personit është që ne jemi mendje dhe trup, dhe që kemi një frymë ose mendje dhe jemi gjithashtu qenie të trupëzuara, pra mund të gjejmë ndonjë argument ndihmues nga Dekarti për të mbrojtur një çështje biblike. Nuk po themi se pikëpamja e tij ishte tërësisht biblike, por mendoj se ka material për të qëmtuar, mendoj, nga ai. 

Serjani : Çdo ide filozofike ka kufizimet e veta, por a do të kishte sukses ai po të argumentonte në lidhje me, për shembull, shkencizmin, që pretendon se e vetmja mënyrë për t’i njohur gjërat është përmes përjetimit dhe eksperimentit, a do të kishte sukses për të hedhur poshtë pretendimet e shkencizmit?

 

Dr. Groothuis : Epo, për sa kohë ka njohuri apriori, çdo gjë që e njohim thjesht duke reflektuar në mendjen tonë, kjo e bën shkencizmin të rremë. Sepse shkencizmi pretendon se njohuria vjen vetëm përmes përpjekjeve shkencore, dhe kjo do të thotë vëzhgim empirik, teorizim empirik. Tani problemi me shkencizmin, ose njëri nga problemet e tij të shumta, është që ai hedh poshtë vetveten, sepse shprehja “njohuria vjen vetëm përmes mjeteve shkencore” nuk është një konkluzion i shkencës. Është një parim i epistemologjisë. Dhe është një shprehje shumë e dobët, sepse nuk mund të mbajë veten. Pra, nëse Dekarti nxjerr ndonjë njohuri pa metoda shkencore, atëherë ai e ka hedhur kështu poshtë shkencizmin. Megjithëse nuk kemi nevojë për Dekartin për të hedhur poshtë shkencizmin. Ai është vetëm qershia mbi tortë, mendoj.

Përktheu: Blerta Myrteza