Copëza të së vërtetës në fetë e tjera përveç krishtërimit?!

0
42

Edhe unë, në librin që ju iu referuat për të folur për Qingjin e Kurbanit, po u referohesha pikërisht atyre pikave të takimit që ne kemi në figurat historike që përmenden në besimin e krishterë edhe në besimin mysliman. Abrahami  apo sakrifica që iu kërkua Abrahamit për të therrur me therrjen e djalit të tij, apo kuptimi për Perëndinë si një krijues i gjithpushtetshëm dhe dënimi i së keqes, drejtësia, Perëndia si një gjykatës i drejtë. Këto janë koncepte që ne i kemi në një ngjashmëri të madhe me myslimanët dhe në fakt ne besojmë që kudo ku gjendet e vërteta, copëza të së vërtetës, ato janë të vërteta nga Perëndia, se vetëm Perëndia është burimi i të vërtetës. Kështu që ne nuk i kemi problem që të dallojmë, identifikojmë dhe përshëndesim të vërtetat kudo që të jenë ato. Pra nuk është problemi me aspekte të ndryshme të besimit, problemi është me mënyrën sesi sistemohen të gjitha në nji sistem të caktuar nga ana kuptimore ose fetare. Aty është problemi. Mënyra se si lidhen ato mund të jetë kundërshtuese e mënyrës sesi lidhet kuptimi i krishterë. Por jo në aspekte specifike.

-Madje ne kemi shembuj biblikë që apostujt u janë afruar audiencave për qëllime ungjillizuese dhe nuk e kanë patur problem që ta afirmojnë një të vërtetë kur e kanë gjetur tek një botkuptim tjetër. Për shembull, një nga rastet është kur Pali shkon në Athinë edhe pa që njerëzit ishin religjozë edhe ai nuk i qortoi pse ata kishin një dëshirë për adhurim, në fakt e afirmoi, tha që është një gjë e mirë që ju keni, madje në predikimin e tij ai afirmoi si të vërteta disa nga thëniet e poetëve të tyre vendas, që për shembull, ai tha që Zoti…një nga kuptimet që kishte poeti grek ishte që Zoti nuk është larg nga secili prej nesh, ose ne jemi pasardhës të tij edhe Pali e afirmon. Tani, duke afirmuar këtë ai nuk po thotë që gjithë sistemi juaj i besimit është i vërtetë, por kjo pjesëz, kjo copëz e së vërtetës është e vërtetë sepse kështu është Perëndia, janë të vërteta rreth Perëndisë.

-Për shembull, myslimanët kanë një shprehje shumë të bukur kuranore që thotë: “Perëndia është më afër teje seç është damari i qafës tënde.” E kupton? Si mos ta afirmosh nji të vërtetë të tillë?! Që Perëndia është më afër teje sesa damari i qafës tënde. Është thënë shumë bukur. Pra ne afirmojmë të tilla aspekte.

Gjatë historisë së kishës ka qenë nji debat si ta afirmojmë të vërtetën kur e gjejmë në botkuptime të tjera, apo te mos e afirmojmë? Edhe për shembull, Justin Martir në një nga thëniet e tij thotë: “Çfarë do gjëje që është folur saktësisht nga tërë njerëzit janë tonat, janë të vërtetat.”, ose Klementi i Aleksandrisë thotë: “E gjithë e vërteta është e Perëndisë, pavarësisht se ku gjendet.”, apo jo? Ose, le ta kuptojë…një tjetër thotë: “Le ta kuptojë çdo i krishterë i mirë dhe i vërtetë se kudo ku mund të gjendet e vërteta, ajo i takon mësuesit tonë.”, pra mësuesit të së vërtetës.

Në fakt, duke kërkuar këto të vërteta shoh disa gjëra, në një nga fetë e Kinës së Lashtë, për shembull, është mësuar që të gjithë njerëzit janë të barabartë përpara Perëndisë dhe duket si nji gjë sikur ta kesh marrë nga Bibla, në fakt. Edhe është e përbashkët dhe nuk ke, siç po e thoni edhe ju, nuk ke si ta kundërshtosh e ta afirmosh, vetëm kur heton pastaj për burimin mund të gjesh dallimin. Për shembull, aty mungon arsyetimi se përse njerëzit janë të barabartë përpara Perëndisë, por në krishtërim, në Bibël ti e gjen arsyen se përse janë të barabarta, sepse të gjithë janë në mënyrë të barabartë të krijuar në imazhin e Perëndisë. Nuk ka njëri më pak se tjetri imazhin e Perëndisë në secilin prej tyre. Ose për shembull, nji gjë tjetër që diskutohet zakonisht është kur Jezusi tha: “Bëjuni të tjerëve atë që do të donit që t’ju bënin juve.” Edhe shumë kanë thënë: “Po prit, se ky është një mësim që e ka thënë Konfuci!”, e kupton? Mirëpo, kur e shikon edhe Konfuci e ka thënë në një mënyrë të tillë: “Mos u bëj të tjerëve atë që nuk dëshiron të të bëjnë ty.” Edhe ka një të përbashkët që të dy po janë dashamirës për mirëqenien e tjetrit, por ka një dallim, shumë të rëndësishëm, Konfuci po thotë në një mënyrë pasive ‘mos bëj diçka’, Jezusi po thotë në një mënyrë aktive të bësh diçka. Ka ndryshim ta shikosh tjetrin në hall dhe nevojë dhe t’i thuash ‘unë s’po bëj keq meqënëse s’po ndërhyj’, por Jezusi do thoshte ‘në fakt të duhet të ndërhysh’. Pra cilësisht ndryshon.