A është e lejueshme të zemërohem me Zotin?

0
57

Nga Ela Hirrian

Shumë njerëz përballen me situata tmerrësisht të dhimbshme të cilat shkaktojnë ndjenja dëshpërimi dhe zemërimi. Ata ndihen thellësisht të pafuqishëm dhe fillojnë të dyshojnë për arsyen e vuajtjes së tyre. Në mungesë të përgjigjeve, ata e kanalizojnë zemërimin e tyre te Zoti. Por a është e lejueshme të zemërohemi me Zotin? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le t’i kthehemi Biblës, për të cilën të krishterët besojnë se ka njohje dhe urtësi rreth karakterit të Perëndisë dhe të jetuarit me drejtësi. Le të shohim në mënyrë të veçantë historinë drithëruese të Jobit.
Historia e Jobit
Jobi ishte një burrë i drejtë dhe i patëmetë i cili e respektonte Zotin. Në fakt, ai ishte aq i perëndishëm, sa vetë Zoti e vuri re në mënyrë të veçantë dhe madje mburrej me besnikërinë e Jobit. Por pastaj Jobi vuajti një sërë katastrofash të tmerrshme. Në pak ditë, ai humbi familjen, pasurinë, madje edhe shëndetin e tij. Në fillim Jobi vazhdoi ta bekonte emrin e Zotit, por më vonë e lëshoi veten.
“ …do t’i jap shfrim ankesës sime dhe do të flas në hidhërimin e shpirtit tim.” – shpalli Jobi.
Megjithëse asnjëherë nuk e braktisi besimin, Jobi ndjente që Zoti ishte në luftë kundër tij. Ai nuk e kuptonte përse po i ndodhnin këto gjëra. Ai ishte njeri i mirë. I hutuar dhe i zemëruar për kthesën tragjike që morën gjërat në jetën e tij, Jobi i kërkoi Zotit shpjegim për këtë padrejtësi në dukje. Zoti i foli drejtpërdrejt Jobit për zemërimin e tij:
“ Kush je ti që i errëson planet e mia me fjalë pa njohuri? Vishu si një trim; do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh. Ku ishe ti kur unë hidhja themelet e tokës? Më trego nëse e di?”
Zoti e sfidoi Jobin në çështjet e urtësisë, pushtetit dhe drejtësisë. Ai e kujtoi Jobin për pushtetin e tij mbi gjithë tokën, për gjithë dijen, gjithë pushtetin dhe gjithëprezencën e tij. Zoti që krijoi gjithçka, gjithashtu njeh gjithçka. Nga historia e Jobit ne mund të bëjmë disa vëzhgime rreth zemërimit ndaj Zotit.
Një gjë e rëndësishme për t’u vënë re është se Zoti asnjëherë nuk i tha Jobit që zemërimi dhe zhgënjimi i tij ishin gabim. Ai nuk e qortoi Jobin që ishte i zemëruar dhe nuk i tha që ndjenjat dhe emocionet e tij nuk lejoheshin. Emocionet negative të Jobit ishin një reagim i natyrshëm ndaj ngjarjeve negative në jetën e tij. Gjithsesi, Zoti nuk ishte dakort që Jobi t’i kërkonte llogari për veprimet e tij. Zoti e qortoi Jobin kur ky e fajësoi për kthesën e ngjarjeve, duke i kujtuar Jobit që ai nuk kupton gjithçka dhe nuk është në pozita për të akuzuar Zotin.

Por çfarë mund të bëjë një njeri me ndjenjat e hutimit dhe me rënkimet e zemrës kur nuk ka një përgjigje se përse ndodhin gjërat e këqija?

Pushteti dhe urtësia e Zotit! “Sa i madh është Zoti, përtej të kuptuarit tonë! Numri i viteve të tij është i pallogaritshëm… . Ndalu dhe merr parasysh mrekullitë e Zotit… . Të plotëfuqishmin nuk mund ta arrijmë, Ai është i lartësuar në pushtet. Në fuqinë dhe drejtësinë e tij ai nuk shtyp.”
Nga ky pasazh ne mësojmë se vetëm Zoti është i gjithëfuqishëm dhe i gjithëdijshëm. Megjithëse Jobi ishte i aftë dhe i mençur, ai kishte një sens jo të përkorë të pozicionit të tij në këtë botë. Në bashkëbisedimin e tij me Zotin, Jobi kuptoi që edhe ai, një njeri i drejtë, nuk ishte në pozita për të akuzuar Zotin për keqbërje. Kur Jobi iu kthye qëndrimit me përulësi, ai mundi të pranonte që nuk dinte gjithçka. “Pastaj Jobi iu përgjigj Perëndisë:
“…unë e di që ti mund të bësh gjithçka, asnjë qëllim i yti nuk mund të shtrembërohet… . Me siguri unë fola për gjëra që nuk i kuptoja, gjëra tepër të mrekullueshme që unë të mund t’i kuptoja.”
Një qëndrim i përulur është shumë i rëndësishëm për të pranuar situatat e vështira: “…të cilat – tha Jezusi – do të jenë të pashmangshme në këtë jetë”. Në vend që të kërkojë përgjigje dhe arsye, një person i përulur duhet të pranojë që rrugët e Zotit janë përtej të kuptuarit të tij. Një qëndrim i përulur kupton se pyetja e vërtetë nuk është: “Pse ndodhi kjo?” por: “Si mund të jetoj me këtë?” Fatmirësisht, Jobi na jep një përgjigje se si të jetojmë me situatat dëshpëruese.
I lavdëruar në çdo kohë!
Ndonëse miqtë e tjerë të Jobit nuk arritën t’ia ngrinin moralin atij, Elihu e udhëzoi Jobin të bënte një gjë: të kujtohej për të lavdëruar punën e Perëndisë. Bibla dhe miq si Elihu që e respektojnë Zotin, na ndihmojnë të kujtojmë mirësinë e Perëndisë. Ata e kujtojnë një person në vuajtje për evidencën e drejtësisë, mirësisë dhe dashurisë së pakrahasueshme të Perëndisë!
Me ndihmën e Elihut, Jobi kuptoi se ndenjat e tij të keqtrajtimit dhe të zemërimit ishte projektuar në vendin e gabuar. Jo Zoti, por i ligu është burimi i gjithë ligësive në këtë botë. Njerëzit që e kujtojnë mirësinë e Perëndisë mund të besojnë që Zoti mbetet avokati i tyre edhe në rrethana që nuk kanë kuptim për ta. Ata nuk harrojnë që Zoti është Ai që na pajis me forcën për të përballuar çdo gjë që del në rrugën tonë. Vendin e zemërimit e zë pranimi dhe paqja.
Si rrjedhojë ata janë në gjendje të lavdërojnë Zotin në mes të tragjedisë! Është e rëndësishme të vëmë re që Zoti e riktheu Jobin nga zemërimi në gëzim. Ai e bekoi atë me shëndet, pasuri dhe një familje edhe me të madhe. Jobi mësoi të adoptonte një qëndrim përulësie dhe të lavdëronte Zotin në çdo kohë. Kjo e çoi drejt një gëzimi më të thellë i cili nuk mund të tundet nga asnjë rrethanë e jetës.

Përktheu për unebesoj.org Danjela Serjani

Burimi:
http://www.exploregod.com/is-it-ok-to-be-mad-at-god