A të çojnë të gjitha fetë tek Zoti?

0
3

Ka 7 miliardë njerëz si ne në planet. Shumica nga ne besojnë se ekziston një fuqi më e lartë: një Zot, një fuqi jete, një parim organizues, diçka përtej të zakonshmes që i jep jetës tonë kuptim dhe qëllim. Ne thjesht nuk biem dakord se “çfarë” është kjo. Prandaj, kemi mbi 4,000 fe. Si munden atëherë të krishterët të thonë se feja e tyre është feja e vetme e vërtetë. Mbi të gjitha, krishterimi nuk është feja e vetme që thotë “trajtoji të tjerët, ashtu si do të doje që të tjerët të trajtonin ty”. Shumica e feve mësojnë të njëjtën gjë. Kështu që, ndoshta, përtej diferencave të vogla, të gjitha fetë mësojnë të njëjtën gjë. Ndaj, ato janë të gjitha të vërteta.

Le ta testojmë këtë ide duke krahasuar dy botëkuptime. Budistët dhe të krishterët bien dakord se ne duhet të jemi të sjellshëm me njeri-tjetrin. Por, ato nuk bien dakord për Zotin, Jezusin, universin, origjinën e njeriut, natyrën njerëzore, mëkatin, shpëtimin, jetën, vdekjen, fatin, kuptimin dhe qëllimin. Në fakt, nuk ka dy fe të cilat të bien dakord për të gjitha këto ide të mëdha. Pra, nuk është se të gjitha fetë janë pothuajse njësoj, me diferenca të vogla mes tyre. Është e kundërta e kësaj, në fakt. Fetë e botës kanë disa ngjashmëri sipërfaqësore si dhe kanë shumë dallime thelbësore, të papajtueshme, për çështje themelore. Nuk është logjikisht e mundur, që të gjitha fetë të jenë të vërteta. Megjithatë, është e mundur që njëra prej tyre të ketë të drejtë. Por, nëse vetëm një pikëpamje është e vërtetë, atëherë të gjitha fetë e tjera të botës janë të gabuara. Kjo krijon një problem të sikletshëm. Kur të krishterët pretendojnë se feja e tyre është ajo e vërteta dhe gjithë të tjerat janë të gabuara, a nuk po sillen ata si jo-përfshirës dhe arrogantë?

Përgjigja mund të të befasojë. Sa herë që ti thua se beson diçka, ti je duke përjashtuar diçka tjetër. Je duke qenë mos-përfshirës, sepse ti nuk beson të kundërtën e asaj që në fakt beson.  Pra, nëse ti beson që toka është e rrumbullakët, sapo e ke përjashtuar idenë që toka është e sheshtë. Dhe nëse beson se të gjitha njerëzit kanë dinjitet dhe vlerë të njëjtë, atëherë e ke përjashtuar idenë se ekziston vetëm një racë zotëruese dhe superiore. Në të njëjtën mënyrë, të krishterët janë përjashtues për një ide. Ata besojnë se Jezus Krishti është e vetmja derë drejt jetës së përjetshme. Por, vini re, ata nuk janë përjashtues për njerëzit. Përkundrazi, ata besojnë se Zoti e do çdonjërin nga ne. Çdokush është i ftuar që të hyjë në këtë derë dhe të shpëtohet. Jezusi tha “Unë jam dera. Nëse dikush hyn përmes meje, ai do të shpëtohet. Kushdo që beson në mua do të vdesë kurrë.” Kushdo që thërret emrin e Zotit do të shpëtohet. Zoti dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen. Kushdo që beson në Birin, ka jetë të përjetshme. Është e pamundur të jesh më shumë gjithë përfshirës se sa kaq.

Por, a po sillen të krishterët në mënyrë arrogante? Aspak. Imagjino sikur unë të thellohem në këtë çështje, të trajtoj kundërshtimet me aq shumë kujdes sa të mundem, e të kuptoj që unë jam i fundmë, e për më tepër një mëkatar, sigurisht aspak më i mirë se sa ata me të cilët nuk bie dakord, dhe në të vërtetë më i ulët në aspektin moral dhe intelektual në krahasim me shumë të tjerë të cilët nuk besojnë atë që unë besoj. Por, imagjino akoma, që mua të më duket qartësisht sikur pohimi në fjalë është ende i vërtetë. A mund të jetë arrogante apo moralisht e gabuar që të vazhdoj t’a besoj? Jo. Të krishterët nuk po thonë se ata janë më të mirë se sa njerëzit e tjerë. Jo, ata thjesht po thonë se ajo çfarë ata besojnë për Jezusin është e vërtetë. Vër re këtë gjë. Ata që nuk bien dakord mendojnë se ajo çfarë ata besojnë është e vërtetë, ndërsa krishterimi jo. A i bën ata, kjo gjë, arrogantë? Jo. Të gjithë njerëzit kanë vlerë të njëjtë. Por, jo të gjitha idetë kanë vlerë të njëjtë. Disa ide janë më të mira se sa të tjerat.

Po ti, çfarë mendon se është e vërtetë?

Përktheu: Evis Plaku