Si mund të jetë Krishti e vetmja rrugë për te Perëndia?

0
61

Nga Dr. Kenneth Boa

President, Reflections Ministries
Ph.D., New York University
D.Phil., University of Oxford

Ky është një kundërshtim i madh që ngrejnë njerëzit, duke thënë se nëse krishterimi është zgjidhja e vetme dhe e gjerë, kushdo mund të hyjë në të dhe, nëse është e gjerë, pyetja u zgjidh për kënaqësinë e disave, që do të thotë se të gjitha fetë ia dalin. Por nëse është e ngushtë, nëse bëhen deklarata përjashtuese, njerëzit do të nxitojnë në përfundimin se nëse është e ngushtë nuk mund të jetë e drejtë. Ose është e ngushtë dhe e gabuar, ose e ngushtë dhe e vërtetë. Le t’i shqyrtojmë këto opsione që na jepen. Çfarë mund të themi për opsionin e parë, se krishterimi nuk është aspak i ngushtë, por përkundrazi tërësisht i gjerë? Pikë së pari, kjo do të binte qartazi në kundërshtim me deklaratat përjashtuese të Zotit Jezus kur tha “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati veçse nëpërmjet Meje.” Kjo është një deklarataë e fortë. Ai thotë se udha e shpëtimit është e ngushtë dhe shumë njerëz nuk mbërrijnë në të. Kështu, pyetja përfundimtare është se ku mbërrijmë ne për sa i përket deklaratës së Jezusit. Kjo do të binte në kundërshtim edhe me deklaratat e apostujve, që thonë se nuk ka asnjë emër tjetër përmbi qiell me anë të të cilit duhet të shpëtohemi, përveç Krishtit Jezus. Për më tepër, çdo qasje tjetër që nuk përfshin Jezusin nuk është gjë tjetër veçse përpjekje njerëzore. Ne duhet të marrim parasysh çfarë tha Pali, se nëse drejtësia është e mundur me mbajtjen e ligjit, atëherë Krishti vdiq më kot. Me këto fjalë galatasve, ai po thotë se po të kishte ndonjë mënyrë tjetër se si njeriu mund të marrë, fitojë, arrijë apo meritojë shpëtimin, vdekja e Krishtit nuk do të kishte qenë aspak e nevojshme. Domethënia e këtyre fjalëve është se, nëse nuk është e mundur që favori të fitohet, arrihet apo meritohet përmes mbajtjes së ligjit, unë nuk di ndonjë opsion tjetër. Kjo do të thotë se, kur njerëzit thonë “Po si mund të jetë Ai i vetmi Shpëtimar?”, një pjesë e përgjigjes sime është “Më trego për dikë tjetër që deklaroi, si Ai, se do të vdiste në vendin tonë.”

Do të na duhet të kthehemi te çfarë thonë e mësojnë Shkrimet në lidhje me opsionet tona. Nëse themi se, nëse është e ngushtë, duhet të jetë e gabuar, kundërshtimi që ngrihet është se disa njerëz thonë se sinqeriteti i atij që beson e bën të vërtetë edhe diçka të rreme. Por ky nuk është një kundërshtim shumë i fortë, sepse njerëzit mund të gabojnë sinqerisht për shumë gjëra. Disa njerëz mendojnë se përjashtimi e bën të gabuar diçka, por unë jam shumë përjashtues në jetë. P.sh. jam shumë përjashtues kur udhëtoj me një kompani ajrore, sepse dua që të përdorin një korsi të caktuar, dua që të jenë në kohë, dua që të përdoret karburanti i duhur. Kështu është jeta, në gjithçka që bëjmë. Makina ime nuk do naftë, sepse nuk e ka motorin me naftë, dhe nëse dikush do të sugjeronte që të përdorja naftë gjithsesi, për të mos qenë mendjengushtë, motori nuk do të punonte.

E vërteta është se gjithçka që funksionon dhe është e vërtetë mund të përjashtojë gjërat që shkojnë në kundërshtim me të. Një fakt tjetër është se të gjitha fetë bëjnë deklarata përjashtuese, ndërkohë që disa fe kanë përjashtime edhe brenda vetes. P.sh. disa forma të hinduizmit besojnë në shumë perëndi, disa të tjera nuk besojnë në asnjë perëndi, ndërsa disa të tjera besojnë në panteizëm, se gjithçka është një. E njëjta gjë është e vërtetë për budizmin. Pra, e vërteta është se ekzisotjnë pikëpamje të ndryshme, por mendësia është që fetë të shihen sikur të ishin në majë të një mali, ndërsa udhët bashkohen gjithnjë e më shumë, derisa shkrihen në një. Por e vërteta është se ato as që janë në të njëjtin mal. Kështu, pyetja që mbetet është a është e vërtetë diçka, edhe pse përjashtuese? Sepse nëse deklaroj, p.sh., se jam në Tiranë, kjo do të përjashtonte mundësinë që të jem në të njëjtën kohë edhe në Dallas të Teksasit apo në Paris të Francës. Pra, mënyra si funksionon realiteti është se deklarata A do të thotë se të tjerat nuk mund të jenë të vërteta.

Kështu, më mbetet vetëm të zgjedh prej tri opsioneve për sa i përket deklaratave dhe kredencialeve unike të Jezus Krishtit: se Ai po gënjente për deklaratat e Tij; se mendonte se ishte Perëndia, por në të vërtetë nuk ishte, gjë që e kthen në një të çmendur; ose se ishte Zoti i gjithçkaje, se është Ai që shpalli se ishte, udha, e vërteta dhe jeta. Për mendimin tim, disa njerëz do të ngrinin edhe një opsion tjetër: po mundësia që të ketë qenë legjendë? Por kjo nuk është e konsiderueshme, sepse, e përsëris, besueshmëria e dokumentave parësore historike në mbështetje të vërtetësisë së Tij historike janë të tilla që dëshmojnë se Ai nuk mund të ketë qenë thjesht legjendë. Të gjithë njerëzit, përfshirë hebrenjtë dhe johebrenjtë, kanë nevojë për marrëdhënie me Perëndinë dhe pyetja që do të ngrihet është a do të përpiqen ta fitojnë vetë apo jo. Në fund të fundit, ka vetëm dy lloje njerëzish: ata që duan ta njohin Perëndinë dhe ata që duan ta shmangin Atë. Por në fund, ata që duan ta njohin Perëndinë, ata që kërkojnë, do të gjejnë, ata që lypin, do t’u jepet, ata që e kërkojnë dritën, udhën dhe të vërtetën e Tij, kanë për ta gjetur atë zgjidhje. Duke qenë se Krishti është e vetmja zgjidhje, unë nuk mendoj se është arrogante apo mendjemadhe ta zbulojmë Atë apo t’i drejtojmë të tjerët tek Ai si personi që shpall se është, autori i gjithë krijimit dhe i dashuri i shpirtit tonë.

Përktheu për Unebesoj.org : Brunilda Rustani