A nuk është krishterimi veçse një patericë psikologjike?

0
278

Nga Dr. Kenneth Boa

President, Reflections Ministries
Ph.D., New York University
D.Phil., University of Oxford

Krishterimi ose bazohet në ndjenja dhe përvoja subjektive e jo në të vërteta objektive, ose, përkundrazi, në të vërteta objektive, pavarësisht ndjenjave dhe përvojave subjektive. Ka disa arsye pse njerëzit përdorin pretendimin se krishterimi nuk është gjë tjetër veçse patericë psikologjike, dhe njëra prej tyre është parakushti. Kjo është ideja se të krishterët janë të krishterë ngaqë kushtet e tyre paraprake kanë qenë të tilla, ngaqë kështu janë rritur. Por ka shumë kundërshembuj të njerëzvë që janë rritur në familje jobesimtare e në kontekste të tjera, njerëz besimi i të cilëve nuk kishte të bënte fare me mënyrën si janë rritur, por me diçka që shkonte përtej kësaj. Pra, kushtet paraprake nuk mjaftojnë si arsyetim.

Një tjetër kundërshtim që ngrejnë njerëzit është se besimi në emocionet nuk do të përcaktojë të vërtetën, pra të besuarit në emocione që nuk kanë lidhje me të vërtetën. Por e vërteta është se krishterimi, më shumë se çdo fe tjetër në botë, i përgjigjet historisë në hapësirë e kohë, i përgjigjet fakteve objektive. Provat historike për Krishtin e ringjallur i përgjigjen diçkaje që nuk është vetëm subjektive, por edhe shumë e qartë, sepse kemi të bëjmë me një person historik, që përmbushi profecitë mesianike e që pati jetë e mësime unike, një person kredencialet e të Cilit e përmbushnin plotësisht karakterin dhe deklaratat e Tij.

Një tjetër qasje që marrin njerëzit është të thonë se për disa njerëz të vërtetën e përcakton përvoja. Megjithatë, e vërteta nuk përcaktohet nga përvojat subjektive. Unë besoj se përvoja luan një rol mbështetës. Pra, nuk po themi se nuk duam të kemi asnjë përvojë të rëndësishme, por më tepër se çfarë është e vërtetë do të funksionojë. Por nuk themi se diçka është e vërtetë vetëm sepse funksionon. Pra, po themi se nëse diçka është e vërtetë, do të gjejë zbatim në jetën e njerëzve. E meqë ra fjala, është e rëndësishme të dimë se ky argument është thikë me dy tehe, ka arsye pse jo-teistët, ose ateistët, do të zgjidhnin të mos besonin në Perëndinë, duke pasur arsyet e tyre psikologjike për të mos besuar në një Zot të gjithëditur e të gjithëpranishëm e që e kupton gjendjen e njeriut kudo. Disa njerëz nuk do të donin të kishin një Perëndi të tillë, sepse do të ishte traumatike e dërrmuese. Pra, ky argument mund t’i kalohet edhe palës tjetër. Arsyet psikologjike ekzistojnë si për ata që duan të besojnë në Perëndinë, ashtu edhe për ata që nuk duan të besojnë në Të. Por Perëndia i Biblës nuk është një Perëndi që do të donim vetë ta shpiknim. Ai është tepër traumatik, na njeh në çdo detaj, është i pranishëm kudo dhe është me ne. Si përfundim, nuk bëhet fjalë për besimin psikologjik të dikujt, por më tepër për vërtetësinë e diçkaje.

A është objektive? Epo, çdo njeri kërkon për domethënie, të gjithë kërkojnë qëllim në jetë. Për mendimin tim, besimi është universal, por e vërteta tjetër e besimit është se mirësia e tij varet tërësisht nga objekti të cilit i besohet. Dikush mund të ketë besim të fortë te diçka e rreme, ose pak besim te diçka e vërtetë, por ndryshimin nuk e përbën masa e besimit. Për këtë arsye, unë mendoj se krishterimi është objektiv, jo bazuar në ndjenjat dhe përvojat subjektive, por në provat për Krishtin e ringjallur si person historik, autoritetin e Shkrimeve si dokumente parësore historike që përputhen shumë mirë me provat e jashtme, dëshmi të shumta në dorëshkrime, si për sa i përket numrit të dorëshkrimeve, hapësirës kohore midis dorëshkrimeve, kohës kur u shkruan për herë të parë dhe kohës së kopjeve më të hershme që kemi sot, ashtu edhe besueshmërisë dhe cilësisë së tyre të jashtëzakonshme. Ka më shumë prova bindëse për pretendimet e Krishtit sesa për gjithçka tjetër që na vjen nga bota greko-romake, nëse flasim për burime që mund të përdorim apo t’u drejtohemi.

E vërteta është se, pavarësisht ndjenjave, të gjithë kanë nevojë për dhuratën e shpëtimit, dhuratën e të pasurit një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë, edhe nëse nuk janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre. Nëse Perëndia ekziston, atëherë qëllimi i jetës është ta njohim Atë. Si përfundim, pyetja nuk është a e pranon apo jo njeriu nevojën që ka. Kjo dhuratë ofron kurën për gjendjen njerëzore, jo një patericë për të.

Pra, krishterimi nuk është i vërtetë vetëm ngaqë funksionon.

Përkundrazi, ai funksionon ngaqë është i vërtetë.

 

Përktheu për Unebesoj.org : Brunilda Rustani