Përse Zoti dërgoi Covid-19?

0
48

Intervistë me Dr. William Lane Craig

Kemi pyetje që bën jehonë tek shumë njerëz. Pyetja erdhi përmes kanalit të Youtube “e Pabesueshme”. Përse Zoti e dërgoi Covid-19? A kënaqet ai kur sheh njerëzit të vuajnë?

Unë nuk mendoj që Zoti kënaqet kur shikon njerëzit të vuajnë. Nuk mund të mendoj për asnjë arsye në Bibël që të mbështesë këtë gjë. Por, as nuk duhet të themi që Covid është dërguar domosdoshmërisht nga Zoti. Dua të them, që mund të jetë edhe kështu, kush e di me siguri? Por, mund të jetë thjesht pasoja e së keqes në botë. Xhastin (Justin) dhe unë folëm për këtë herën e fundit; për pakujdesinë që mund të ketë ndodhur në atë laborator kinez që lëshoi virusin në botë, dhe e gjithë kjo mund të jetë gërshetimi i të keqes natyrore me të keqen morale, që duket se po ndodh kaq shpesh. Dhe prandaj, ne nuk duhet të mendojmë domosdoshmërisht që kjo është diçka e dërguar nga Zoti, por, me siguri, ne duhet të themi që kjo është diçka që Ai e lejoi të ndodhë, sepse Ai mund t’a ndalonte nëse do të donte, por Ai e lejoi që të ndodhë. Unë mendoj që sa herë që Zoti lejon vuajtjen dhe të keqen në botë, ai e bën këtë me këndvështrimin drejt një qëllimi më madhor që lejon justifikimin e vuajtes dhe të keqes. Nëse do të më pyesnit se cili është ky qëllim, do të thoja se në një këndvështrim më të gjerë, qëllimi i Zotit është që sa më shumë njerëz që të jetë e mundur, me vullnetin e tyre të lirë, të mund të shpëtohen. 

Dhe fare mirë mund të jetë rasti që vetëm në një botë të mbushur me ligësi natyrore dhe morale, do të arrihet numri optimal i njerëzve që, me vullnet të lirë, do të gjejnë dashurinë dhe faljen e Zotit. Unë nuk e shoh këtë fare si të papranueshme. Kur sheh sot në botë, vendet në të cilat krishterimi po rritet me ritmet më të shpejta, vëren vende të cilat kanë përjetuar ligësi të tmerrshme natyrore dhe morale; vende si Etiopia, Kina, Indonezia, El Salvador, dhe vende të tjera, ndërsa tek kombet tolerues të Evropës perëndimore dhe Amerikës së veriut, ritmet e rritjes janë pothuajse të sheshta. 

Kështu pra, dikush më ka pyetur se: përse Zoti nuk i ka bekuar vendet e Evropës perëndimore dhe Amerikës së veriut me më shumë vuajtje me qëllim që ato të shpëtohen? Ndoshta, janë pikërisht këto vende të paavantazhuara dhe jo kombet e Afrikës, Azisë apo Amerikës së Jugut. 

[Justin:] Siç është shprehur C.S Lewis në citimin e tij të famshëm: “Dhimbja, është shpesh megafoni i Zotit për të zgjuar një botë të shurdhët”. Unë gjithmonë e kam konsideruar këtë ilustrim që ti përdor si shumë të vlefshëm. 

[Craig:] Mendoj që kjo është e vërtetueshme dhe në aspektin sociologjik. Kur shikon vendet në botë, në të cilat më shumë njerëz po bëhen të krishterë dhe ku kishat po rriten me ritmet më të shpejta, mendoj, që kjo është një provë empirike për pohimin e C.S. Lewis. 

[Justin:] Gjithnjë kam ndjerë sikur problemi i së keqes, është në fakt një problem nëse ke në mendje një përcaktim të caktuar për Zotin, pra, sikur Zoti është një kujdestar hyjnor fëmijësh dhe që kurrë nuk duhet të na lejojë ne që të përjetojmë ndonjë lloj vështirësie apo dhimbjeje. Në këtë rast, pa dyshim që kemi një problem. Por, nëse roli i Zotit është (siç thua dhe ti) që të sjellë njerëzit drejt një njohjeje me Të, atëherë, fare mirë mund të ketë mënyra në të cilat një sasi e caktuar dhimbjeje, na mundëson që të takohemi më Zotin në mënyra që, në rast të kundërt, do të ishin të pamundura për t’u parë ose dëgjuar. 

[Craig:] Unë dua gjithashtu të shtoj një pikë të cilën filozofi Daniel Howard Snyder e trajton me efektivitet. Problemi i së keqes është problem vetëm për dikë që nuk ka argument të mirë për ekzistencën e Zotit, por Howard Snyder vëren se nëse dikush ka arsye të mira për të besuar se  Zoti ekziston, atëherë problemi i së keqes nuk është më një problem. 

Burimi: reasonablefaith.org

Përktheu: Evis Plaku