A nuk është shumë i thjeshtë besimi tek Krishti?

0
234

Nga Dr. Kenneth Boa

President, Reflections Ministries
Ph.D., New York University
D.Phil., University of Oxford

Pyetje interesante. Ideja se ka të bëjë me hirin nëpërmjet besimit e, për pasojë, tepër e thjeshtë, ngaqë është falas. Kjo duhet menduar imtësisht. Diçka falas nuk do të thotë detyrimisht tepër e thjeshtë. Ndoshta dikush duhet ta paguajë çmimin.

Nga Shkrimet dimë qartë se shpëtimi nuk mund të fitohet me përpjekje njerëzore. Nuk mund ta ulim Perëndinë në nivelin tonë, as të ngrihemi vetë në nivelin e Tij, ndaj formohet një pabarazi ose boshllëk. I gjithë koncepti i lajmit të mirë të Krishtit është se Perëndia dërgoi Birin e Tij, personin e dytë të Trinisë, që të merrte trajtë njerëzore e të bëhej një prej nesh, që të mund të vinte të jetonte e të jepte jetën e Tij si shkëmbim për tonën.

Çmimi që u ofrua për blerjen ishte i tmerrshëm, që do të thotë se, nga njëra anë, kemi të bëjmë me diçka tmerrësisht të shtrenjtë, por që për ne është falas. Për pasojë, shpëtimi si dhuratë falas nuk do të thotë se nuk kemi asnjë nxitje për të jetuar në shenjtëri.

Shkrimet e bëjnë të qartë se ai na jepet si dhuratë, por kjo nuk do të thotë se kushtoi pak. Përkundrazi, për të u desh të paguhej një çmim i tmerrshëm. Siç shprehet Pjetri, “jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga etërit, por nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë e të panjollë”. Ishte një çmim i tmerrshëm, i pafund e i pamasë.

Ai duhej të ishte plotësisht Perëndi, në mënyrë që sakrifica e Tij të mund të mbante të gjithë peshën e mëkateve të botës. Por duhej të ishte edhe plotësisht njeri, në mënyrë që të kishim një sakrificë të vërtetë gjaku. Plotësisht Perëndi, plotësisht njeri. Kjo nuk është diçka e lehtë; përkundrazi, është e pamundur.

Ne vetë nuk do të kishim asnjë mundësi ta arrinim, fitonim apo meritonim një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë e gjallë. Po të ishte e mundur, vdekja e Krishtit do të kishte qenë një humbje tragjike. Por Jezus Krishti u bë çfarë nuk ishte, mëkat, që ne të bëheshin çfarë nuk ishim, të drejtë.

Kështu, Biri i Perëndisë u bë Biri i njeriut, në mënyrë që bijtë e njerëzve të bëheshin bij të Perëndisë. Atit iu desh të jepte Birin. As për Birin nuk ishte e lehtë, sepse duhej të jepte jetën në shkëmbim për tonën. As për ne nuk është e lehtë, dhe arsyeja për këtë është krenaria jonë e pamend. Heqja dorë nga krenaria dhe të kuptuarit se e vetmja mënyrë si mund të vijmë te Perëndia është me duar të hapura e bosh, të parët se nuk mund të ofrojmë asgjë, është fyerje ndaj krenarisë tonë njerëzore.

Pra, përulja dhe të pranuarit e varfërisë sonë frymore, të falimentimit tonë moral e frymor, nuk është aspak e lehtë, e megjithatë është thelbësisht e nevojshme që të pranojmë kush jemi, kush është Ai dhe çfarë ka bërë për ne.

Përktheu për Unebesoj.org: Brunilda Rustani