A mund të ketë Perëndia një Bir? (Çfarë thotë Kurani?)

0
281

Intervista e Xhon Ankerberg me Dr. Jay Smith.

Sot do t’u përgjigjemi pyetjeve: A mund të ketë Perëndia një bir? A besojnë të krishterët në tre zota? Na ndiqni në këtë edicion të veçantë të “John Ankerberg Show”.

Mirëseerdhët në programin tonë dhe ju falënderoj që na u bashkuat sot. I ftuari im për sot është një prej apologjetëve më të njohur të krishterimit për botën myslimane. Emri i tij është Xhej Smith (Jay Smith), nga Londra e Anglisë. Xhej ka debatuar me shumë prej studiuesve myslimanë më të njohur në botë. Xhej, jemi shumë të gëzuar që je me ne sot. Tema jonë është me interes për çdo mysliman, një pyetje që, me shumë gjasa, do t’ia bënin një të krishteri që do të hasnin. “A mund të ketë Perëndia një Bir?” Kjo pyetje është në të njëjtën vijë me akuzën e myslimanëve për të krishterët si adhurues të tre zotave. Si i përgjigjesh kësaj pyetjeje? Si do ta nisje përgjigjen e pyetjes “A mund të ketë Perëndia një Bir?” para një turme myslimanësh?

Jay Smith : Pyetje shumë e mirë. Mendoj se është nga ato pyetje që jo vetëm duhet t’i përballim e të kemi një përgjigje, por para se të nis me përgjigjen ndaj një myslimani, unë pyes “Pse po ma bën këtë pyetje?” Arsyeja pse u duhet ta bëjnë këtë pyetje është se, jo vetëm që gjendet në Kuran, në Surenë 4:171: “… mos thuaj tre… sepse Zoti është një; dhe larg qoftë prej Tij që të ketë një bir…” Pra, e thotë Kurani vetë. Por kjo është edhe referenca më e hershme që kemi nga materialet kuranore në ekzistencë. Nuk e di a e dini këtë, dhe do ta shtjellojmë më tej në një bisedë tjetër, por nuk ekzistojnë materiale kuranore para Kubesë së Shkëmbit në Jeruzalem, që daton në vitin 691. Kubeja e Shkëmbit është i pari vend ku janë gjetur mbishkrime kuranore. Kjo është një deklaratë e fortë që do të zemërojë shumë njerëz.

Cila ishte data e Kubesë së Shkëmbit?

691

Ndërsa Muhamedi ka vdekur në 632.

Pra, kemi një problem këtu.

Për 60 vjet, nuk ka asnjë referencë nga burime arabe për një person të quajtur Muhamed, as për një popull të quajtur myslimanë, as për një fe të quajtur islam, as për një libër të quajtur Kuran.

Referencat e para kuranore që kemi janë nga mbishkrimet që gjenden në ambulatorin e brendshëm të Kubesë së Shkëmbit në Jeruzalem. Në këtë ambulator, gjendet ky varg nga Sureja 4:171, që thotë se Zoti nuk ka bir. Prandaj myslimanët duhet ta bëjnë këtë pyetje, sepse është referenca e parë që përballet me personin e Jezus Krishtit. Gjithashtu, vargu gjendet në Kubenë e Shkëmbit, ku prezantohet edhe Muhamedi si profet. Ky është vendi i parë ku Muhamedi prezantohet si profet.

Pra, siç e shihni, ky është sulm kundër Jezusit dhe vendosje e Muhamedit si zëvendësues i Tij. Prandaj themi se Islami, që prej fillimeve të tij të hershme, ishte sulm kundër Zotit dhe Shpëtimtarit tonë dhe faktit që Ai është Biri i Perëndisë. Por ky nuk është i vetmi varg të cilit i referohen ata. Ka edhe të tjerë, si Sureja 5:72 që thotë se Perëndia nuk ka shok. Jezusi do të konsiderohej shok me Perëndinë, pra edhe ky varg është një sulm kundër statusit të shokut me Perëndinë që ata mendojnë se i atribuojmë ne Jezusit.

Vetëm tre vargje më pas, te Sureja 5:75 thuhet se Maria dhe Jezusi hëngrën, por Perëndia nuk ha. Këtu po sulmohet ideja se edhe Maria, edhe Jezusi mund të jenë perëndi, duke thënë se Perëndia nuk ha. Te Sureja 5:116, Perëndia pyet Jezusin, Birin e Tij “A është e vërtetë që ti dhe nëna jote duhet të adhuroheni si perëndi?” Këtu kemi të bëjmë me një sulm kundër Trinisë dhe idesë se Maria mund të jetë pjesë e Trinisë, që përbën kuriozitet më vete. Më pas, te Sureja 6:101, kemi referencën se Perëndia nuk ka bashkëshorte.

Pra, këto janë pesë vargjet klasike me anë të të cilave myslimanët kanë sulmuar krishterimin në lidhje me hyjninë e Jezusit, Trininë dhe Marinë si pjesë e Trinisë.

Dhe këtë e bëjnë sepse është në Kuran, ndaj le t’i marrim një e nga një.

Me lejo të të bëj një pyetje duke parë këto pesë pika: Perëndia nuk ka bir. Që të mos thuhet tre për të. Perëndia nuk ka shok. Perëndia nuk ha. Maria dhe Jezusi nuk duhen adhuruar si perëndi. Perëndia nuk ka bashkëshorte. A pasqyrojnë këto pikëpamjen tënde për Perëndinë?

Jo, këto nuk janë aspak deklarata të krishtera.

Pra, që të pesta janë të pavërteta, apo jo? Atëherë ku qëndron problemi?

Problemi qëndron tek Kurani.

Problemi qëndron te vetë Kurani, ndaj pse përpiqemi të mbrohemi në vend që të sulmojmë këto pesë vargje? Pse të mos themi, “Prit një minutë! Çfarë duan këto pesë vargje në një libër që supozohet të ketë ardhur nga Perëndia? Nëse ky libër vërtet ka ardhur nga Perëndia, pse ka bërë pesë gabime Ai?”

Pikë së pari, asnjë i krishterë nuk beson në tre perëndi. Unë nuk njoh asnjë të krishterë që beson në tre perëndi, kështu që pse thotë vargu “jo tre”? Ne nuk themi tre perëndi. Perëndia është një.

Po, ne besojmë në Jezusin si Bir i Perëndisë, por duhet sqaruar lloji i birësisë. Në vargjet e Kuranit është shumë e qartë se flitet për birësi biologjike. A beson ti se Jezusi është Biri biologjik i Perëndisë?

Jo.

Nga je ti?

Jam amerikan.

A je bir i Amerikës ti?

Po, jam.

Dhe je krenar për këtë, apo jo?

Po.

Kjo që sapo the nuk të jep asnjë lidhje biologjike me Amerikën, por ke gjithçka që trashëgon e që të jepet nga Amerika si qytetar i saj. Pra, bëhet fjalë për një titull marrëdhënior, i njohur në të gjithë botën. Edhe në gjuhën arabe kemi fjalët “waleed” dhe “ibn”, dy fjalë të ndryshme për të thënë “bir”. “Waleed” i referohet një biri biologjik, ndërsa “ibn” ka qenë gjithmonë term marrëdhënior. Prandaj, te Sureja 2:177 thuhet se udhëtari është “ibn al-sabeel”, “bir i rrugës”. Askush nuk do të sugjeronte se ai udhëtar ka lindur nga zhavorri i rrugës. Nuk ka asnjë marrëdhënie biologjike mes atij udhëtari dhe rrugës. Gjithsesi, e kemi termin në arabisht për të thënë se nuk po flasim për një marrëdhënie biologjike.

Pra, Kurani tregon se ka një aspekt marrëdhënior dhe një aspekt biologjik.

Ky është problemi i parë. Problemi i dytë: A është Jezusi shok me Perëndinë? Absolutisht jo. Sigurisht që nuk është shok me Perëndinë. Ai është Perëndi. Ne biem dakord se Perëndia nuk ka shokë. Është interesante se si, në Kubenë e Shkëmbit, ku gjendet referenca e parë ndaj Shahadetit, në ambulatorin e brendshëm, thuhet se nuk ka Zot tjetër veç Zotit dhe se Ai nuk ka shok. Por kjo nuk është pjesë e Shahadetit sot, gjë që sugjeron se Shahadeti i parë përballte konceptin se Perëndia mund të kishte një shok, që do të ishte Jezusi. Por ne e dimë se Jezusi nuk është shok me Perëndinë. Ai është Perëndi dhe i tillë ka qenë gjithmonë. Ai nuk është bërë Biri i Perëndisë, por ka qenë i tillë gjithmonë. Ai ka qenë përjetësisht Biri i Perëndisë.

Sureja 5:75, tre vargje më pas, thotë se Perëndia nuk mund të hajë. Më lejo të të pyes, Xhon. A është Perëndia i aftë të hajë?

Po, sigurisht, nëse do.

Po ti, a je i aftë të hash?

Sigurisht.

Nëse Perëndia nuk është i aftë të hajë, a nuk do të ishte ti më i madh se Perëndia?

Po.

Sigurisht që po. Ndaj myslimanët duhet të bëjnë kujdes kur thonë se Perëndia nuk mund të hajë. Nëse thonë se Perëndia nuk mund të hajë, por pranojnë se Perëndia i Biblës dhe i Kuranit është Perëndia i Abrahamit, do t’u thosha të ktheheshin pas tek Abrahami dhe ta pyesnin se kush po hante me të në çadrën e Mamresë, siç tregohet te Zanafilla 18. Ai aty ishte Perëndia që po hante me të, ndërkohë që dy engjëjt shkonin të shkatërronin Sodomën dhe Gomorën. Kështu që, nëse thua se Perëndia nuk mund të hajë, jo vetëm që po e kufizon Perëndinë, por po heq edhe madhështinë e Tij. Nuk mund të thuash më “Allahu akbar”. Kjo sugjeron edhe se unë mund të bëj diçka që Perëndia i tyre nuk mund ta bëjë. Prandaj, unë do t’u thosha myslimanëve që as të mos i hynin asaj rruge. Por ç’do ky varg në Kuran?

Pastaj kalojmë tek vargu që është ndoshta më problematiku, Sureja 5:116. Pse vallë po sugjerojnë se Maria është pjesë e Trinisë? Perëndia Atë, Maria nënë dhe Jezusi Bir? Të lutem, të lutem. Unë nuk njoh asnjë të krishterë që e beson atë, përveç ndonjë grupi sektar. Në fakt, ka qenë një grup i quajtur “Koliridianët” nga shekulli i shtatë deri në të tetin që e besonin këtë.

Edhe kjo është interesante.

Ndoshta prej tyre ka ardhur ky burim, por këtë ua lë myslimanëve që të merren vetë. Por e sigurt është se, nëse ky libër do të kishte ardhur prej Perëndisë, Ai nuk do ta kishte bërë këtë gabim kaq trashanik.

Këtë gabim do ta kishin shmangur edhe po të kishin pyetur të krishterët.

Po të na kishin pyetur para se ta shkruanin. Ne na referohen me “ata”, dhe arsyen do ta shohim më vonë.

Tani kalojmë te Sureja 6:101, që thotë se Perëndia nuk mund të ketë bashkëshorte. Ja diçka interesante. Shikoni emrin “Allah”. Çfarë do të thotë? Do të thotë “Perëndia”, emër i përgjithshëm. A është ky emër më i hershëm se islami? Po, ashtu është. A është më i hershëm se arabishtja? Po, ashtu është. Është fjalë nabateane. Nabateanët ishin një grup njerëzish që vinin nga Nabatea, rreth 700 kilometra në veri të Mekës. Nabateanët na kanë dhënë gjuhën arabe. Arabishtja vjen prej shkrimeve nabateane. Emri i Perëndisë për nabateanët ishte “Allah”. Allahu kishte një bashkëshorte, të quajtur Al-Lat. Allahu kishte edhe bija, të quajtura Al-Manat dhe Al-Uzza. E kuptoj që ti s’e ke idenë se çfarë thashë tani, por çdo mysliman që po na sheh e di shumë mirë se çfarë thashë, sepse këto tre emra janë në Kuran, te Sureja 53:19-20. Për çdo mysliman që po na ndjek, i them të hapë Kuranin e të shohë se al-Lat, al-Manat dhe al-Uzza janë tri perëndeshat e përmendura në ato që i quajmë “vargjet satanike”, të bëra të famshme nga Salman Rushdie. Klerikët vunë mbi të kërcënimin me vdekje, sepse guxoi t’i nxirrte në dritë këto vargje.

Por ato janë në Kuran dhe përmendin tri perëndeshat e Allahut: bashkëshorten dhe bijat e tij. Pra, nëse Allahu nuk ka bashkëshorte, çfarë bën me al-Latin? Nëse Allahu nuk ka bir (Sureja 4:171), atëherë pse ka bijë? Kanë zgjedhur perëndinë e gabuar! Jo vetëm kanë zgjedhur Perëndinë e gabuar, por edhe emrin e gabuar. Kushdo që e shkroi Kuranin, nuk duhej të kishte zgjedhur kurrë Allahun. Siç do të shohim më vonë, shkruesi i Kuranit ndoshta s’ka pasur fare të bënte me Muhamedin. Megjithatë, kushdo që e shkroi, duhej t’i ishte kthyer emrit origjinal; duhej të ishte kthyer tek emri që përdorim ne, emri që kemi përdorur gjithmonë. Eksodi 3:14-15, kur Moisiu, i porositur të kthehet në Egjipt kundër dëshirës së tij, kthehet nga Perëndia dhe e pyet për emrin, në mënyrë që kur të kthehej në Egjipt, izraelitët të ishin në gjendje të kuptonin se kë Perëndi përfaqësonte. Çfarë emri i tha Perëndia në atë kohë?

Unë Jam-i [Yahweh].

Unë Jam Ai Që Jam. Yahweh. “Ego Eimi” në greqisht. Këtë emër dha Perëndia në atë kohë. Po në vargun vijues, çfarë tha? Çfarë i tha Ai Moisiut?

Ky do të jetë emri Im për të gjithë brezat.

Që do të thotë edhe për sot, apo jo? Atëherë, pse iu kthye atij emri shkruesi i Kuranit? Pse nuk u kthye tek emri i vërtetë? “Yahweh” është unik, apo jo? “Yahweh” është i shenjtë, apo jo? “Yahweh” është personal, apo jo? Ky është emri unik, i shenjtë dhe personal i Perëndisë. Ky është emri që Perëndia i dha Moisiut, emri që u përdor nga të gjithë profetët. Nëse shohim në Dhjatën e Vjetër, ky emër është përdorur 6823 herë. Ky është i njëjti emër që Jezusi jo vetëm e përdori, por edhe e përvetësoi te Gjoni 8:58. Ky është emri që Muhamedi nuk e njihte. Asnjë prej traditave nuk flet për këtë emër. Ai nuk gjendet as në Hadith, as në Tafsir, as në Tawhid, as në Sira. Këtë emër nuk do ta gjeni asgjëkund, ndaj pse vallë nuk zgjodhën emrin e vërtetë të Perëndisë?

Pyetja do të ishte: pse nuk e njihnin këtë emër?

E saktë. Sikur asgjë tjetër, emrin duhej ta kishin zgjedhur të saktë. Pse përdorin një emër pagan nga Nabatea, emrin e një zoti që ka bashkëshorte dhe bija? Kështu që, si i japin të drejtën vetes të thonë se Perëndia nuk ka bir? Sipas ju myslimanëve, Ai ndoshta nuk ka bir, por me siguri ka bija. Ju thoni se Ai nuk ka bashkëshorte, por ja që ka: al-Latin. Ndaj, bëni kujdes me çfarë huazoni. Ata nuk duhej ta kishin huazuar kurrë atë emër.

Xhej, a është e vërtetë se shumica e myslimanëve as që e kuptojnë se Kurani ka disa vargje që thonë se Perëndia mund të ketë një Bir kur të dojë?

Më i miri ndër këto vargje është Sureja 39:4, që do t’jua lexoj. “Po të kish dashur Allahu një bir, ai do të mund zgjidhte kë të donte mes atyre që ka krijuar.” Prit një minutë! Nëse gjendet në Kuran, kjo fshin çdo koncept se Perëndia nuk mund të ketë bir, ndaj pyetja “Si mund të ketë një bir?” as që duhet bërë. Këtë pyetje as që duhet ta bëjnë, sepse përgjigjen e kanë në Kuran. Pyetja që duhej të bënin është jo si mund të ketë një bir, por pse kishte një bir?

Më pëlqen që thotë edhe “mes atyre që ka krijuar”, pra nga origjina e vet. Në njëfarë mënyre, ai ka mundur ta bëjë këtë. Nuk na tregohet se si, apo si mund të ishin hyjnorë këta persona, por mbetet e mundshme.

Por vargu vijon duke thënë se nuk e ka bërë. Ne nuk po themi se Kurani mëson se ai kishte një bir, por vetëm që na e jep si mundësi. Na tregohet se Allahu mund të ketë një bir kur të dojë.

Përktheu për www.unebesoj.org: Brunilda Rustani

Burimi: John Ankerberg Show