Hiri, doktrina që skandalizon botën

0
73

 

Nga Kaon Serjani

HIRI është doktrina e krishterë që skandalizon botën.

Është një lloj provokimi sepse nga njëra anë nuk i jep njeriut asnjë meritë në shpëtimin e tij, dhe nga ana tjetër nuk ka asnjë limit për sasinë e mëkateve apo për llojet e tyre, të cilat falen prej Perëndisë. Çdo lloj mëkatari i penduar është i pranuar nga Perëndia, deklaron Bibla.

Dostojevski e ka përshkruar në mënyrë të përkryer këtë koncept kur shkroi tek “Vëllezërit Karamazov”: “Se në tokë nuk ka dhe nuk mund të ketë të tillë mëkat që Zoti me dashurinë e Tij të pafund të mos e falë atë që pendohet me gjithë shpirt. Se njeriu nuk mund të kryejë një mëkat aq të madh, sa t’ia kalojë dashurisë së Perëndisë. Hë, a mund të ketë mëkat të tillë, që ia kalon dashurisë së Zotit? Ti, për pendesën bëj kujdes, ajo duhet të mos ndërpritet, kurse për frikën, hiqe nga mendja. Beso që Zoti të do aq shumë, sa ti as me mend nuk e merr dot, të do edhe pse ke bërë mëkat.”

Kur lexon Letrën drejtuar Romakëvë në Bibël nuk mund ti shpëtosh këtij përjetimi.

“Aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt”, shkruan Pali (Romakët 5:20).

Dhe kur e bisedoj këtë koncept me të tjerët, e kuptoj se po më kuptojnë kur janë afër keqkuptimit, siç shprehej një miku im.

Pak a shumë keqkuptimi i tyre shprehet në këtë mënyrë:

“Meqenëse jemi të shpëtuar nga hiri i Zotit dhe jo nga veprat tona, dhe meqenëse hiri shtohet edhe më shumë kur mëkati është më i madh, pse mos të vazhdojmë të mëkatojmë edhe pasi jemi bërë besimtar në Krishtin.”

Kur më pyesin kështu, unë u them që jeni shumë afër kuptimit të duhur të hirit. Unë nuk kam ndonjë përgjigje personale, por i drejtoj tek kapitulli 6 i Romakëve sepse aty Pali ngre të njëjtën pyetje për t’i paraprirë këtij pështjellimi: Çfarë të themi, pra? A të mbetemi në mëkat, që të teprojë hiri? Shkurt, Pali i përgjigjet “Kurrë mos qoftë”. Ndërsa përgjigja e gjatë jepet në kapitujt pasues. Unë do të komentoj vetëm një argument të Palit në kapitullin 6.

Ne që jemi të vdekur për mëkatin, si do të jetojmë akoma në të? – pyet apostulli në vargun 2. “Besimtari s’mund të vazhdojë me qëllim në mëkat sepse S’KA LOGJIKË” lë të kuptoj autori. Është sikur të thuash: “të mëkatojë i vdekuri”.

Nga buron kjo? Pali shpjegon: “Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij?” Pra kjo vdekje e jona për mëkatin, buron nga bashkimi ynë me vdekjen e Jezusit. Kur Jezusi vdiq, ai pagoi borxhin tonë. Ai vdiq për ne. Vdekja e tij u numërua si vdekja jonë , ose ndryshe themi se vdekja jone numerohet në vdekjen e tij, sepse mëkati ishte i yni, dhe jo i Krishtit. Duke u bashkuar me vdekjen e Jezusit ne “i kemi larë hesapet” me mëkatin njëherë e përgjithmonë. Ne kemi vdekur për mëkatin.

Pse ka rëndesi kjo? Pse vdekja jonë për mëkatin duhet të na bëj të distancohemi nga mëkati?

Sepse sa më shumë ta kuptojmë veprën e Krishtit për mëkatet dhe bashkimin tonë me vdekjen e tij, aq me jo-logjike duhet të na duket përfshirja jonë në mëkat. Sa më mirë ta kuptojmë njehësimin tonë me vuajtjen sakrifikuaese të Zotit tonë, aq më i shëmtuar duhet të na duket mëkati. A ramë ne dakort kur besuam që mëkati ynë solli dënimin dhe bëri që Krishti të vuaj? A e cilësuam ne mëkatin si të keq dhe të papranueshëm, kur besuam?  Tani, si është e mundur të dëshirojmë të mëkatojmë sa më shumë? Kjo nuk ka sens.

Më këtë nuk po them që s’mund të mëkatojmë si të krishterë, por nuk ka sens ta justifikojmë aktin e mëkatit. Nuk mund ta dëshirojmë të jetë një stil jetese për ne si besimtar.

Si duket një besimtar që mëkaton me qëllim me mendimin se Perëndia derdh hir edhe më shumë?

Besoj se ju e keni lexuar Romanin “Të mjerët” të shkrimtarit francez Viktor Hygo, ose mbase keni parë filmin. Skena më domethënëse ku shfaqet hiri apo mëshira në atë vepër është kur prifti, në vend që ta denoncojë Jan Val Jan-in para policëve për vjedhjen dhe dhunimin që ai i ka bërë një natë më parë kur e kishte strehuar dhe i kishte dhënë ushqim, ai i dhuron atij edhe disa sende të tjera prej argjendi. Sigurisht Jan val Jan-i u prek nga ky gjest dhe jeta e tij ndryshoi përgjithmonë.

Imagjinoni një rrjedhë tjeter të ngjarjeve, jo atë që zhvillohet në libër.

Imagjinoni  një Jan val Jan që shkon çdo natë tek shtëpia e priftit dhe ai çdo natë e ushqen dhe strehon, ndërsa Jan Val Jan e keqtrajton dhe e vjedh.

Çdo mbërmje Jan val Jan e godet dhe e grabit, ndërsa çdo mëngjes, prifti e fal dhe i jep me shumë sende me vlerë. Mendoni sikur kjo të përsëritej pa mbarim. Si duket Jan val Jani në këtë version? Padyshim hiri i priftit, sa herë që do të përsëritej skena, do të dukej gjithmonë e më madhështor. Nga ana tjetër, grabitja dhe keqtrajtimi nga ana e Jan val Jan-it, do të dukej gjithmonë e më e shëmtuar.

Besimtari që do të mëkatonte me dashje në mënyrë që të teperonte hiri i Perëndisë nuk do të dukej ndryshe nga ky përfytyrim.

Mëkati i tij do të dukej gjithmonë e më i shëmtuar ndërsa hiri i Perëndisë gjithmonë e më madhështor.