Imtësitë e Universit

0
62
Nga Josh McDowell
Imagjinoni sikur po ngjiteni në majë mali. Kur mbërrini aty, vini re diçka të çuditshme. Aty gjendet një frigorifer i mbushur me ushqimet e tua të preferuara, temperatura është aq sa e do ti, në sfond po luhet kënga jote e preferuar dhe në tavolinë janë gjithë librat dhe DVD-të që të pëlqejnë. Çfarë do të mendoje? Meqë rastësia është e përjashtuar, ka shumë mundësi që do të arrije në përfundimin se dikush po e priste ardhjen tënde. Në dekadat e fundit, shkencëtarët kanë filluar të kuptojnë se ky skenar është i njëjtë edhe për universin.

Duket se dikush e ka krijuar unversin pikërisht duke na patur ne në mendje.

“Ndërsa shohim universin dhe identifikojmë aksidentet e shumta të fizikës dhe astronomisë që kanë punuar për të mirën tonë,” thotë fikanti Friman Xh. Dajson, “duket sikur universi duhet ta ketë ditur se po vinim ne.” Kjo është arsyeja pse astronomi britanik Fred Hojl vuri re, “Një interpretim i thjeshtë i fakteve sugjeron se një super intelekt ka luajtur me fizikën si edhe me kiminë dhe biologjinë, dhe që nuk ka forca të verbra në natyrë për të cilat ia vlen të flasësh.” Fizikantët bien dakord se jeta qëndron në ekuilibër në tehun e një thike. Shikoni disa shembuj.
Së pari, nëse ligji i gravitetit do të ndryshonte vetëm fare pak, universi nuk do të ishte i përshtatshëm për jetën. Në lidhje me forcat e tjera në natyrë, graviteti duhet rregulluar imtësisht në një në 10 në fuqi të 40-të (që do të thotë një në 10,000,000,000,0 00,000,000,000,000,000,000,000,000,000)
Së dyti, fizikanti i Kembrixhit, Stiven Hoking vuri re se, “Nëse ritmi i zgjerimit një sekondë pas shpërthimit të madh do të kishte qenë më i vogël me një në njëqind mijë milionë milionë, universi do të ishte mbledhur përsëri përpara se të arrinte këtë madhësi që ka tani.” Ka nëntëmbëdhjetë konstante të tilla universale, secila prej të cilave duhet të jetë e rregulluar me imtësi. Është e qartë se mundësitë që ne të mos ishim këtu janë shumë të vogla.
Në fakt, fizikanti i Oksfordit, Roxher Penroz, arriti në përfundimin se nëse ne i mblidhnim të gjithë ligjet e natyrës që duhet të rregullohen imtësisht, nuk do të mund ta shkruanim dot atë numër, sepse shifrat e nevojshme do të ishin më shumë se numri i pjesëzave elementare në univers.
Provat për një projektim inteligjent janë aq të shumta sa Pol Dejvis, një fizikant i dëgjuar i Universitetit Shtetëror të Arizonës (Arizona State University), ka konkluduar se natyra miqësore ndaj jetës e universit tonë duket si një “rakordim.” Ai u shpreh kështu: “Klisheja se ‘jeta qëndron në ekuilibër në tehun e një thike’ është e butë në këtë rast. Asnjë thikë në univers nuk e ka tehun aq të hollë.”
Asnjë shpjegim shkencor për universin, thotë Dejvis, nuk mund të jetë i plotë pa dhënë një shpjegim për këta tregues kaq të shumtë për projektim inteligjent. Disa përpiqen ta shpjegojnë rregullimin e imët duke sugjeruar ekzistencën e shumë universeve, por provat empirike për ta nuk ekzistojnë.
Shpjegimi më i besueshëm për arsyen pse universi është i rregulluar kaq imtësisht është sepse një Krijues—Perëndia—e bëri ashtu.
Marrë nga libri “Zot, gënjeshtar apo i çmendur”, Botimet “Jeta e Re”.