Historia e Qengjit të Kurbanit

0
364

Nga: N.D.

Të gjithë librat fetarë flasin për “flijim të qengjit”.

Abrahami merr djalin e tij për ta flijuar dhe Zoti siguron një qengj në vend të djalit. Moisiu, në Egjipt, porositi Izralitët që të thernin një qengj dhe me gjakun e tij të lyenin pjesën mbi derën e shtëpisë si shenjë për engjëllin që do të ndëshkonte gjithë të parëlindurit, që ai ta mbikalonte ndëshkimin për atë shtëpi. Sistemi fetar judaik ishte shumë I lidhur me sakrifikimin e qengjave për larjen e mëkateve dhe një formë adhurimi përpara Perëndisë.

Islami ka festën e Kurban Bajramit që është një festë që përkujton flijimin që Abrahami ishte i gatshëm të bënte.

Të gjithë qengjat që janë bërë fli në këto festa janë qengja të rritur nga tufa e atij që i flijon ose janë blerë nga ai vetë.

Historia e Abrahamit, e cila kujtohet edhe në Kurban Bajram, bën përjashtim sepse nuk ishte Abrahami ai që siguroi qengjin, por Zoti. Janë dy gjëra të cilat i humbasim shpesh në këtë histori: qengji u sigurua nga Zoti, qengji zëvendësoi Djalin.

Abrahami eci për tre ditë derisa shkoi në malin Moriah, vendin ku Zoti i kishte thënë të flijonte birin e tij. Këto ishin ditë të gjata nën peshën e këtij vendimi, por ai eci i bindur. Kjo është shumë e vështirë për çdo Atë, por nuk ishte aq e re për njerëzit që e rrethonin Abrahamin. Kjo ishte një praktikë pagane, shumë mizore, por besohej se flijimi ia vlente. Por në këtë rast Perëndia ndërhyn duke e siguruar një qengj kurbani në vend të djalit. Pra, e keqja, mëkatet dhe papastërtia morale, shpirtërore dhe rituale do të vendoseshin mbi qengjin që kishte siguruar Perëndia dhe jo mbi njeriun. Por në atë kohë, ku praktikat pagane për të flijuar fëmijët ishin normale, bashkëkohësit e Abrahamit mund të kenë dyshuar për mungesë serioziteti të Zotit të Abrahamit sepse ndërsa zotat e tyre kërkonin si sakrificë njerëz, ky Zoti i tij mjaftohet me qengja. Ose mund të kenë thënë se shkoi të flijonte djalin, por, ngaqë iu dhimbs, gënjeu duke thënë që Zoti i dha një qengj.Në fakt edhe në ditët tona ata që besojnë në shpëtimin me anë të veprave dhe riteve, u thonë atyre që janë të krishterë :“Si shumë të lehtë e keni ju, ndërsa ne kemi gjithë ato rite! Ju e keni thjesht me besim.“ Dhe prandaj dyshojnë në vërtetësinë dhe cilësinë e besimit biblik. Ky dyshim i bashkëkohësve të Abrahamit si dhe i bashkëkohësve tanë, nuk është pa bazë. Rëndësia e diçkaje varet nga sa e kushtueshme është ajo.“Nuk mund të shlyhen mëkatet njerëzore me qengja.“- thonë bashkëkohësit e Abrahamit. “Nuk paguhen mëkatet vetëm me besim.“- thonë ithtarët e shpëtimit me anë të veprave.

Por kjo ngjarje ishte vetëm hija e asaj që do të ndodhte më vonë. Një njeri do të vdiste si një qengj kurbani për të gjithë ata që besojnë. Ky njeri është Jezu Krishti. Ky është qengji i Perëndisë për mëkatet e njerëzve. Nëse e ke parasysh Kurban Bajramin , ku djali i Abrahamit u zëvendësua nga një qengj, kjo ishtë hija e asaj që erdhi. Qengji zëvendësues që u sakrifikua për mëkatet tona, është Jezu Krishti. Dhe ky qengj u sigurua nga Perëndia, ashtu si dhe në rastin e Abrahamit. Dhe ndërsa besimi në Krishtin duket i lehtë, në fakt është një pagesë shumë e shtrenjtë që u bë për mëkatet tona. Vërtetë është falas për ne, por atij i kushtoi jetën. Kjo është pagesa më e shtrenjtë dhe më e përshtashme për mëkatin.

Ndërsa mëkati shkaktoi ndarjen nga Perëndia dhe vdekjen (paga për mëkatin është vdekja- thuhet në Bibël). Çdo lloj pagese për mëkatin, që është më e ulët se vdekja, është e pamjaftueshme. Çdo lloj rituali, sado i vështirë që të jetë, përsëri është më i lehtë se sa pagesa që bëri Jezu Krishti për mëkatin e njeriut. Megjithëse Abrahami dhe ungjilli duket sikur kanë një mënyrë të leverdisshme për të shpëtuar nga mëkati, ajo është forma më e shtrenjtë që është paguar.