A flet Bibla për ardhjen e Muhamedit?

0
684
Disa studiues Muslymanë thonë se Bibla profetizon ardhjen e Muhamedit, prandaj është ai profeti që duhet dëgjuar. Për të mbështetur këto pohime ata citojnë këtë deklaratë të Jezusit nga Ungjilli i Gjonit:
Ju kam thënë këto gjëra, ndërkaq jam me ju; por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë. Gjoni14:25-26.
Për ta bërë akoma edhe më bindës argumentin studiuesit muslyman përpiqen të tregojnë se në arabisht Muhamed do të thotë ngushëllues.
Por çfarë thotë në të vërtetë ky tekst ? Kush është Ngushëlluesi?
 Së pari, vargu e thotë shkoqur që Ngushëlluesi është Fryma e Shenjtë. Në islam Fryma e Shenjtë ngatërrohet me Engjëllin Xhebrail (Gabriel), por asnjëherë nuk është shkruar si emërtim për Muhamedin.
Së dyti, sipas vargut Ngushëlluesi do të dërgohej në emrin e Jezusit. Muhamedi nuk erdhi i dërguar në emrin e Jezusit. Ai vet nuk e pranoi një gjë të tillë.
Së treti, Ngushëlluesi do të na mësonte çdo gjë. Muhamedi nuk pretendoi se i mësoi njerëzit për çdo gjë, dhe sikur ta pretendonte, nuk do ishte e mundur ta bënte pas vdekjes së tij. Kur dialogojnë muslymanët me ata që nuk janë myslymane, e kanë përzemër të përdorin shprehjen “Zoti të udhëzoftë”, por nuk thonë asnjëherë Muhamedi të udhëzoftë. Ndërsa të krishterët do thoshin pa problem “Fryma e Shenjtë të udhëzoftë!”, sepse në Krishtërim ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë është i pavdekshëm, dhe mund t’i udhëzojë vazhdimisht njerëzit për të gjetur të vërtetën.
Së katërti, vargu thotë se Ngushëlluesi do t’na kujtonte ato që Jezusi kishte mësuar gjatë shërbesës së tij. Në predikimet e tij, Muhamedi jo vetëm që nuk u kujtoi ndjekësve mësimet e Jezusit, por mohoi doktrinat kryesore që ai kishte mësuar.
Së pesti, ne duhet të marrim parasysh edhe vargje të tjera tek Ungjilli i Gjonit ku flitet për Ngushëlluesin, që të kuptojmë më mirë nëse flitet për Muhamedin apo Frymën e Shenjtë sipas Doktrinës së Krishterë. Tek Gjoni 15:26 Jezusi tha: “Po kur të vijë Ngushëlluesi, që do t’ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua”
Vargu thotë se Ngushëlluesi që duhet të vinte “del nga Ati”. Muhamedi nuk pretendoi që ka dalë nga Perëndia Atë. Madje as nuk mund të konceptohet një mendim i tillë në Islam. Por ky koncept është i pranueshëm në Krishtërim. Fryma e Shenjtë ka dalë nga Përendia Atë, sepse është një Qenie me Të. (Studiuesit muslymanë duhet të kenë shumë kujdes kur thonë se Ngushëlluesi është Muhamedi, sepse në mënyrë të pavetëdijshme do të afirmonin doktrinat e krishtera, siç është në këtë rast Përendia trepesronal.)
Së gjashti, Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjithë ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t’ju kumtojë gjërat që do të vijnë. Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t’jua kumtojë. Gjoni 16:13-14.
Ngushëlluesi kur të vinte do të përlëvdonte Jezusin. Nëse Muhamedi do të ishte Ngushëlluesi që flet Bibla, lavdërimi i Jezusit do të ishte thelbi i shërbimit të tij. Në te vërtetë nuk ishte kështu mësimi i Muhamedit.
Së shtati, po sipas Gjonit 16:13-14 Ngushëlluesi do t’i merrte prej Jezusit ato që do na kumtonte ne. A do thoshin të njëjtën gjë studiuesit e muslymanë, që gjithçka Muhamedi ka mësuar e ka marrë prej Jezusit!? Nuk besoj.
Si konkluzion, studiuesit muslyman duhet ta studiojnë me më shumë kujdes Gjoni 14:25-26 dhe gjithashtu të marrin parasysh të gjitha vargjet e tjera që Bibla flet për Ngushëlluesin, në mënyrë që nxjerrin një përfundim më të saktë. Bibla e bënë të qartë në këto vargje, por edhe në shumë të tjera, se Ngushëlluesi është Shpirti e Shenjtë, i cili brendabanon tek ata që besojnë në Krishtin dhe që bind botën për mëkat, drejtësi dhe gjykim. (Gjoni16:8)
Lutja ime sot është që Shpirti i Shenjtë të udhëzojë miqtë tanë muslymanë në pranimin e të vërtetës biblike.
Kaon Serjani