“Derisa vdekja të na ndajë!”

0
240
Bride and groom with wedding rings, holding hands, mid section, side view

Nga R. Robert Creech, Ph.D.

“ Martesa më e mirë do të ishte midis një gruaje të verbër dhe një burri të shurdhër.”  Majkëll de Montain

 “Dashuria, një çmenduri e përkohshme që kurohet nga martesa.” Ambrosa Birs

“Njeriu duhet të jetë gjithmonë i dashuruar. Kjo është arsyeja pse nuk duhet të martohet asnjëherë.” Oskar Uajëlld

Martesa ka marrë një reputacion të keq përgjatë viteve. Në rrënjë të anekdotave pa fund rreth martesës fshihet një problematikë sociale, gjinore dhe politike.  Martesa po kalon kohë të vështira. Gjithmonë e më pak njerëz zgjedhin të martohen. Numri i divorceve po njeh vetëm rritje. Gjithmonë e më shumë fëmijë po linden dhe rriten vetëm me një prind.

Martesa dhe besimi

Megjithëse martesa nuk është fusha kryesore e kishës së krishterë, Bibla dhe mendimtarët e krishterë kanë shumë për të thënë për këtë çështje. Për ta bërë më të qartë, të qënit religjoz apo të pohuarit e bindjeve të krishtera nuk është aspak kura për një martesë jetëgjatë dhe të lulëzuar. Pra, çfarë e bën ‘të krishterë’ një martesë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, ne duhet të shohim elementët thelbësorë të një martese të krishterë dhe si ndryshojnë ato nga përqasjet e tjera rreth martesës. Shumë herët, që nga shekulli i parë, shkrimtarët e krishterë kanë komentuar mbi lidhjen mes besimit dhe martesës.

Pali, një nga shkruesit e Biblës ka komentuar kështu: Burrat duhet t’i duan gratë e tyre si trupat e tyre. Ai që do gruan e vet, do vetveten. Në fakt, askush nuk e ka urryer kurrë trupin e vet, por e ka ushqyer dhe është kujdesur për të, ashtu siç bën Krishti me Kishën, sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij. Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij dhe të dy do të bëhen një mish. Ky mister është i thellë, por unë po flas për Krishtin dhe kishën. Gjithsesi, secili prej jush gjithashtu duhet ta dojë gruan e vet siç do veten dhe gruaja duhet ta respektojë burrin. Në këto vargje, Pali e krahason marrëdhënien mes burrit dhe gruas me marrëdhënien mes kishës dhe Krishtit. Kjo ka implikime tepër të rëndësishme për natyrën e martesës së krishterë.

Besëlidhja e martesës

Të krishterët e konsiderojnë martesën si besëlidhje, një marrëdhënie bazuar në premtime dhe përkushtime, jo thjesht ndjenja, megjithëse dashuria është plotësisht e përfshirë. Koncepti i martesës si besëlidhje është i rrënjosur në besimin hebre dhe të krishterët e hershëm gjithashtu e ruajtën këtë bindje. Besëlidhja e Perëndisë me Izraelin ishte themeluar mbi premtimin e Tij për të qenë besnik ndaj Izraelit. Në të njëjtën mënyrë edhe Jezusi ndërtoi atë që ai e quajti “Besëlidhja e re” me ndjekësit e Tij. Të flasësh për martesën si besëlidhje do të thotë që partnerët duhet të bëjnë premtime të ndërsjella për mënyrën sesi do të zgjedhin të jetojnë në të ardhmen, jo thjesht deklarata për mënyrën si ndihen për momentin. Përpjekja për t’i përmbushur këto premtime, duke qëndruar besnik ndaj kësaj besëlidhjeje, do të formësojë karakteret e tyre përgjatë viteve!

Dashuria e krishterë

Martesa e krishterë është, në mënyrë të dallueshme, e bazuar në ‘Agape’. Kjo është fjala greke e përdorur në mësimet e Jezusit dhe në shkrimet e hershme të krishtera për të përshkruar llojin e dashurisë që Zoti ka ndaj qenieve njerëzore. ‘Agape’ s’ka të bëjë fare me konceptin e zbukuruar të dashurisë romantike mbi të cilin janë ngritur shumë mite kulturore për martesën. Pavarësisht sesa të lavdërueshme mund të jenë ndjenja të tilla në agimin e një marrëdhënieje, ato rrallë e kanë fuqinë për t’u qëndruar ulje-ngritjeve të martesës “në të mirë e në të keq”. ‘Agape’ është një koncept krejt tjetër, kaq i rëndësishëm, saqë Pali i ka kushtuar përshkrimit të saj një pasazh të tërë më vete, në letrën e parë të tij drejtuar Korintasve. Me siguri ju keni dëgjuar vargje nga ky pasazh:

Dashuria është e duruar, dashuria është e sjellshme……nuk kërkon të sajat…”

Pali pastaj vazhdon ta përshkruajë ‘agapen’ si një mënyrë sakrifikuese për të dashur të tjerët. Kjo lloj dashurie e pakushtëzuar, ose përpjekja aktive për ta jetuar këtë lloj dashurie, e dallon një martesë  vërtet të krishterë po ashtu siç bën dallimin e të jetuarit vërtet si të krishterë. ‘Agape’ gjendet në zgjedhjen aktive që bën dikush për mënyrën si sillet me të tjerët, jo në ndjenjën e kushtëzuar që dikush ka ndaj një tjetri. ‘Agape’ bazohet në zgjedhjet e vullnetshme të atij që dashuron  dhe jo në reagimet e atij ndaj të cilit drejtohet kjo dashuri.

Një përpjekje e vazhdueshme

E krishterë apo jo, për çdo çift është e vështirë që ta mbajë martesën për gjithë jetën. Vështirësitë e jetës, presioni për të siguruar jetesën, për të prindëruar, për t’u rezistuar tundimeve për  tradhëti bashkëshortore, egoizmi, të gjitha këto e shterojnë martesën. Megjithatë, martesa e krishterë ofron shpresë, shpresën që një burrë dhe një grua, duke zgjedhur në mënyrë të qëllimshme që të mësojnë se si të duan besnikërisht dhe në mënyrë sakrifikuese si Jezusi, mund t’i mbajnë premtimet e tyre të besëlidhjes për gjithë jetën.   

 

Përktheu për unebesoj.org Danjela Serjani.

Burimi: https://www.exploregod.com/what-is-christian-marriage