Dashuria sipas Dua Lipa, Lady Gaga dhe Bebe Rexha

0
100

A është thjesht çështje trupash? A po na ikën mendja që të dyve? Mos vallë sonte po më përqafon vetëm sepse ke frikë nga vetmia? A na duhet dikush vetëm sa për të ndjerë që jemi në rregull?

Para disa ditësh, këto fjalë më ndërprenë mendimet ndërsa po punoja i ulur në një Bar me lap-topin përpara. Po këndonte Dua Lipa dhe kënga quhet: “Frikë nga vetmia”. Përveç zërit të veçantë dhe tepër melodioz, më pëlqeu teksti i këngës sepse po ngrinte pyetjen më themelore që duhet të bëhet në një lidhje: “Përse jemi bashkë?”

Dua Lipa po pyeste: “A është vetëm një kënaqësi trupore? A jemi të frikësuar nga vetmia dhe duam dikë tjetër për ngushëllim? A na duhet dikush vetëm sa për të ndjerë që jemi në rregull?” Pra, po t’i identifikosh motivet që këngëtarja kosovare i nënkupton si të pamjaftueshme për të nisur apo për të qëndruar në një lidhje, do të të dalin tre të tilla: 1. Kënaqësia trupore2. Frika nga vetmia3. Plotësim i statusit “të të qenurit në rregull”

Dua Lipa godet në shenjë. A nuk mendoni edhe ju si unë, se shumë të rinj sot lidhen kryesisht për këto motive? Ka diçka të përbashkët te motivet e epshit, vetmisë dhe reputacionit të mirë që ka në thelb ky refren. Të treja kanë në qendër vetveten. Në të vërtetë, asnjë nga këto motive nuk ka të bëjë me dashurinë. Pse? Çfarë është dashuria? Të duash veten apo të duash tjetrin? Dua Lipa të lë të kuptosh që një lidhje mund të fillojë dhe vazhdojë për arsye egoiste.Nëse ti je në një lidhje ia vlen të pyesësh: “Për çfarë arsyesh jemi bashkë?”

Një ditë më vonë, kur dëgjova se Lady Gaga bëri një performancë mbresëlënëse në “Super Bowl 2017”, vendosa të dëgjoj një nga këngët që interpretoi ajo: “Një milion arsye”. Nga refreni i saj më mbetën në mendje veçanërisht dy vargje:

Kam një milion arsye për t’u larguar
Por zemër, më duhet vetëm një arsye e mirë për të ndenjur.

Ishte e qartë se Lady Gaga po këndonte për një vajzë e cila ka hyrë në një lidhje dhe ka arritur në një pikë ku po pyet veten nëse vendimi që ka marrë është i duhuri. Ajo po zbulon se ka një milion arsye për ta braktisur lidhjen dhe i kërkon të dashurit që t’i japë një arsye të fortë përse duhet të vazhdojnë bashkë.

Mesazhi që merr nga kënga është ky: për të vendosur të vazhdosh ose jo në një lidhje duhet të peshosh arsyet. Cilat arsye janë më të forta? Ato për të qendruar, apo ato për t’u larguar?
Së paku mund të kuptosh se një lidhje e tillë është nisur e pa menduar mirë. Ajo lidhje nuk është nisur me përkushtimin për të luftuar kundër pengesave që dalin rrugës. Vajza nuk i ka bërë mirë llogaritë para se të hynte në këtë marrëdhënie.

Kjo më kujton një shëmbëlltyrë nga Bibla: “Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar? Që atëherë, kur t’i ketë hedhur themelet e të mos mundë ta përfundojë, të gjithë ata që e shohin, të mos fillojnë e të tallen, duke thënë: “Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta përfundojë!”. Ose, cili mbret kur niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të gjykojë nëse mund ta përballojë me dhjetë mijë atë që po i vjen kundër me njëzet mijë? Në mos, ndërsa ai është ende larg, i dërgon një delegacion për të biseduar për paqe.” Luka 14:28-32

Vajza për të cilën këndon Lady Gaga mund të themi se e ka nisur ndërtimin e një lidhjeje pa e llogaritur koston e ndërtimit. Në mes të ndërtimit ajo llogarit koston dhe është gati të heqë dorë, ose është nisur në betejë pa e ditur nëse ka mjaftueshëm municione dhe ushtarë për ta fituar. Të fillosh një lidhje pa qenë të vetëdijshëm se në këtë rrugëtim do të përballesh me fërkime, keqkuptime, presione nga jashtë, zënka, strese dhe nervozizëm, do të thotë të nisesh pa i bërë mirë llogaritëBesoj se edhe ju jeni të një mendimi me mua, që fatkeqësisht të rinjtë e sotëm e nisin një lidhje pa e ditur nëse mund ta mbajnë dot.

Nëse nuk do kisha dëgjuar këngën “Në emër të dashurisë” nga Bebe Rexha, do të mendoja se në këngët e sotme nuk mund të gjesh ndonjë këndvështrim që i përafrohet nocionit të dashurisë së vërtetë. Bebe Rexha këndonte:

“Kur të ketë çmenduri dhe helm në kokën tënde, 

Kur trishtimi të të lerë të thyer në shtrat, 

Unë do të të mbaj mes thellësive të dëshpërimit tënd”

E gjitha kjo në emër të dashurisëA nuk mendon edhe ti se në këto vargje ka një përkushtim për t’u kujdesur për tjetrin në të mirë dhe në të keq, siç duhet të jetë dashuria e vërtetë? Vajza premton se do të qëndrojë me të dashurin e saj edhe kur të ketë çmenduri në kokën e tij, edhe kur të jetë i rrënuar nga dëshpërimi. Ajo është e vendosur për shkak të përkushtimit që ka marrë, në emër të dashurisë që ka për të.

A je gati ti të thuash të njëjtën gjë për personin më të cilin je lidhur? Ose, nëse po mendon të lidhesh me dikë, a je gati të përkushtohesh në të njëjtën mënyrë? A je gati të sakrifikosh? Ndryshe nga lidhja që prezantonte refreni i Dua Lipas, e cila pyeste për të parë nëse lidhja ishte tërësisht egoiste, për dëshira fizike, për shkak të frikës nga vetmia, apo sa për të qenë në rregull, në këtë rast lidhja është e fokusuar tek tjetri. Ky këndvështrim për dashurinë tregon se i ka bërë mirë llogaritë përpara se të fillojë lidhja. Kjo lloj dashurie ngjan shumë me dashurinë sakrifikuese që prezantohet në Bibël.

“Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq; nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën, i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, mban çdo gjë. Dashuria nuk ligështohet kurrë.”1 Korintasve 13:4-8

Fraza: “Dashuria nuk ligështohet kurrë.” do t’i shkonte për shtat llojit të dashurisë për të cilën këndon Bebe Rexha, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për tekstin e Ledi Gagës, përderisa ajo ishte gati të hiqte dorë. Çfarë lloj dashurie po kërkon ti në këtë Shën Valentin, apo kurdo që do të duash të hedhësh këtë hap në jetën tënde?

A po kërkon një lidhje për pasione fizike, për të dalë nga vetmia, apo për të qenë në rregull?

A po kërkon një dashuri që ligështohet lehtësisht, që kur bën llogaritë është gati të heqë dorë?

Apo po kërkon një dashuri që nuk ligështohet kurrë? 

Nëse është kjo e fundit, këtë përkushtim a po e kërkon më së pari te vetja apo te tjetri?

Nga Kaon Serjani