Bisedë imagjinare me Blushin për ringjalljen e Krishtit

0
9

Nga Kaon Serjani

– Kaon, në cilën datë e festove Pashkën, në datën që përkon me ortodoksët, apo me katolikët? – më pyeti Blushi kur u ritakuam.

– Ne ungjillorët e Tiranës e festuam me katolikët, – i thashë. – Por ungjillorët e juglindjes, më duket se zakonisht e festojnë me ortodoksët.

– E shikon sa rrëmujë jeni ju të krishterët?! Edhe festat e rëndësishme nuk i festoni bashkë. Secili ka të vërtetën e vet.

 

– Aspak, – ia ktheva. – Është çështje kalendari. Ortodoksët përdorin kalendarin Julian, ndërsa katolikët atë Gregorian. Por të dyja traditat kanë një formulë të qartë se si duhet datuar Pashka.

– Cila është formula?

– Të dyja traditat bien dakord se Pashka duhet festuar të dielën e parë pas hënës së parë të plotë pas ekuinoksit pranveror.

– Po pse nuk e festojnë në një ditë Pashkën atëherë?

– Sepse kalendari Julian është 11 minuta më i gjatë se ai Gregorian, dhe me kalimin e viteve ka ndodhur një diferencë kohore mes tyre, deri tani 13 ditore.

– Nuk më duket diçka pa rëndësi.

– Rëndësi më të madhe ka domethënia e festës, jo data kur festohet. Ti i përket traditës ortodokse, në mos gaboj?

– Po, por personalisht nuk e festoj.

– E kuptueshme.

– Pashka është një arsye kryesore pse nuk besoj.

– Kurse për mua është arsyeja kryesore pse besoj.

– Si kështu?

– Sepse Pashka e bën krishterimin të vetmin besim në botë të vërtetueshëm historikisht.

– Çfarë do të thuash?

– Vërteto që Krishti nuk u ringjall nga të vdekurit, dhe një të krishteri nuk i mbetet më asnjë arsye pse të vazhdojë të besojë. Është i vetmi besim që mbështetet në një ngjarje historike.

– Në një mit, doje të thoje?

– Pse mendon ashtu?

– Epo, ti e di që ringjallja e Krishtit nuk është origjinale. Histori me zota që vdesin dhe ringjallen ka pasur sa të duash në antikitet.

-Edhe?

– Është thjesht një mit më shumë.

– Po thua që është mit, meqë ngjan me mitet e antikitetit?

– Është shpjegimi më i logjikshëm. Ke dëgjuar për vdekjen dhe ringjalljen e Osirisit në mitologjinë egjiptiane?

– Po, kam dëgjuar, por si arrin në përfundimin që edhe historia e Jezusit është mit?

– Epo duhet të pranojmë si të vërtetë edhe historinë e Osirisit. Ja, na dolën dy figura si e Krishtit.

– Ngjashmëria nuk është kriter i mjaftueshëm për ta bërë diçka jo historike.

– Pse jo?

– Sepse ka plot shembuj ku historitë e trilluara ngjajnë me ato historike, por ne nuk i dyshojmë këto të fundit.

– Për shembull?

– Ti je shkrimtar dhe e di që një histori e trilluar në një roman mund të qëllojë të jetë e ngjashme me një histori reale.

– Është tepër e përgjithshme.

– Besoj ke dëgjuar për romanin “The Wreck of Titan” i botuar në vitin 1898. E ke krahasuar me historinë e mbytjes se Titanikut në vitin 1912?

– Tani po më kujtohet se kam lexuar diçka.

– A nuk është ngjashmëria mes tyre e mahnitshme?! E megjithatë asnjë nuk dyshon tek historia e mbytjes se Titanikut. A e di pse?

– Pse?

– Sepse sot mund të vëzhgohen mbeturinat e anijes në thellësitë e Oqeanit Atlantik të Veriut.

– E kuptoj ku do të dalësh. Problemi është se për ringjalljen e Krishtit nuk ka fakte.

– Nuk ka, apo nuk i ke marrë në konsideratë?

– Me siguri do nxjerrësh Biblën dhe do të na e servirësh si një fakt dhe ne duhet ta besojmë duke supozuar që është Fjalë e Zotit.

– Aspak. Për hatër të diskutimit unë do t’i trajtoj dokumentet e Dhiatës së Re thjesht si një koleksion dokumentesh që tregojnë një histori për një njeri të quajtur Jezusi i Nazaretit.

– Atëherë, për çfarë faktesh po flet?

– Besoj për të parin do të biem dakord kollaj.

– Për cilin?

– Për vdekjen e Jezusit.

– Edhe kjo nuk është e sigurt.

– Përveç dokumenteve të Dhiatës se Re ka edhe shumë historianë që e konfirmojnë këtë pretendim.

– E cilët janë këta?

– Kështu thonë, për shembull, historianë si Taciti, Plini i Riu, Suetoni, Talosi, Flegoni, Luciani i Samosatës, e shumë të tjerë. A mendon se po gënjejnë kur thonë se Jezusin e kryqëzuan?

– Nuk kam si ta vërtetoj.

– Edhe një nga historianët ateistë me të vlerësuar të ditëve tona, Bart Ehrman, e pranon se kryqëzimi nga romakët është një nga faktet më të sigurta që kemi për jetën e Jezusit.

– Në rregull. Nuk ia vlen të harxhojmë kohë me këtë. Nuk e kam të vështirë ta pranoj që e kryqëzuan, por ky është fakt që vdiq dhe jo që u ringjall.

– Të vazhdojmë me faktin e dytë?

– Jepi!

– Fakti Nr. 2. është që varri i Jezusit u gjet bosh.

– Nga e dimë?

– Sepse është raportuar nga shumë dëshmi të pavarura nga njëra-tjetra.

– Ç’rëndësi ka se sa herë është raportuar, apo nëse kanë qenë të pavarura dëshmitë?

– Sepse kur një ngjarje raportohet nga dy apo më shumë burime që nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, siguria e historianëve që kjo ngjarje ka ndodhur me të vërtetë rritet.

– Vetëm se e kanë raportuar jemi të sigurt që ashtu ishte?

– Dhe, sa më të hershme të jenë këto raportime, aq më shumë rritet edhe siguria e atyre dëshmive për vërtetësinë e informacionit.

– Mund të jenë të gjitha trillim.

– Mos u nxito! A e di se cilat e raportuan të parat varrin bosh siç tregohet tek Ungjijtë?

– Cilat?

– Gratë.

– Edhe?

– Kjo do të thotë se nuk ka të ngjarë të jetë e sajuar historia.

– Pse jo?

– Sepse në kulturën e judenjve të shekullit të parë (por edhe atë romake) dëshmia e një gruaje konsiderohej plotësisht e pavlerë. Një historian hebre me emrin Jozef Ben Matias (i njohur edhe me emrin romak Flav Jozefi), shkruan se dëshmia e grave nuk duhet të pranohet “për shkak të mendjelehtësisë ….së tyre.”

– Nuk po e kuptoj çfarë argumenti është ky. Ti vetë po thua që ato nuk besoheshin kur jepnin një dëshmi. Pse e beson atëherë?

– Epo këtu është puna: Nëse historia e varrit bosh do të ishte e sajuar nga ndjekësit e Jezusit, pse ata do të sajonin një histori në të cilën dëshmitaret e para ishin gratë? Nëse do ta kishin trilluar historinë e gjetjes së varrit bosh, ata do kishin zgjedhur lajmëtarë burra dhe nga më të rëndësishmit. Shpjegimi më i mirë për arsyen pse ungjijtë shënojnë gratë si dëshmitaret e para është sepse ato vërtet ishin zbulueset e varrit bosh.

– E çfarë pastaj?

– Epo ky është një detaj që duhet të na bëjë të besojmë se ata që shkruan historinë po e tregonin ashtu siç ndodhi, pa u përpjekur ta bëjnë mbushamendëse.

– Le ta zëmë se është ashtu. Por kjo nuk provon që Jezusi u ringjall. Thjesht po provon vetëm që varri u gjet bosh.

– Por është fakt tepër i rëndësishëm, sepse duhet të shpjegosh pse varri ishte bosh.

– Mund të ketë ndodhur shumëçka. Ja për shembull, meqë po pyet, kush e varrosi Jezusin?

– Jozefi nga Arimateja.

– E futi në varrin e vet, apo jo?

– Po.

– Po sikur ai ta ketë nxjerrë nga varri i tij të nesërmen dhe ta ketë varrosur në një varr tjetër të zakonshëm?

– Ka një problem zakonor me këtë.

– Çfarë?

– Sipas zakoneve judease ishte e ndaluar rreptësisht zhvendosja e një kufome pasi varrosej. Nga ana tjetër, kur dishepujt filluan të shpallnin ringjalljen e Jezusit, a nuk do ta kishte korrigjuar Jozefi nga Arimateja gabimin e tyre dhe t’iu tregonte trupin e heroit të tyre?!

– Mund ta kishte bërë.

– Epo diçka e tillë nuk ka ndodhur.

– Po sikur ta kenë zhvendosur romakët trupin e Jezusit nga varri?

– Po ata pse nuk e nxorën trupin e vdekur të Jezusit kur dishepujt filluan të predikonin ringjalljen?

– Po tregoj variante të ndryshme që të krijosh idenë se çdo gjë mund të ketë ndodhur. Për shembull, po sikur ta kenë vjedhur vetë dishepujt trupin e Jezusit?

– Dhe pastaj gënjyen popullin duke thënë se Jezusi u ringjall, apo jo?

– Po. Të duket çudi ty? Diçka e tillë mund të ndodhë me ndjekësit e figurave karizmatike.

– Domethënë një grup i vogël njerëzish të zakonshëm kanë kryer mashtrimin më të madh në histori?

– Nuk duhet jesh i jashtëzakonshëm që të dish të gënjesh.

– Po thua që dishepujt vodhën trupin e Krishtit dhe përhapën gënjeshtrën se ai u ringjall dhe pastaj filluan të mësonin njerëzit të zbatonin mësimet e tij, përfshi edhe urdhrin që të mos gënjenin?

– Pse jo?

– Duke e ditur se sa njerëz në histori kanë hequr dorë nga gënjeshtrat për shkak se kanë zbatuar mësimet e përcjella nga dishepujt e Jezusit, përfshi dhe mua, e kam të vështirë të besoj që gënjeshtra më e madhe në histori të ketë patur një ndikim kaq pozitiv te njerëzit duke i bërë ata më të vërtetë.

– Idealizmi yt se si e paska ndikuar krishterimi botën nuk më duket argument.

– Le ta supozojmë sikur ndodhi ashtu. Ku e gjetën ata guximin ta prishnin vulën romake me të cilën ishte vulosur varri?

– Çfarë vule?

– Zakonisht, kur një varr administrohej nga romakët, vulosej me qëllim që nëse dikush do të synonte ta dhunonte, do të përballej me fuqinë ndëshkuese të Romës, që zakonisht ishte me vdekje.

– Pse supozon që dishepujt ishin frikacakë? Unë mendoj se ata ishin të guximshëm për të vazhduar misionin e heroit të tyre edhe pas vdekjes.

– Mendoj se bie në gabimin e anakronizmit.

– Çfarë do të thuash?

– Dua të them se po e vendos një koncept në një kohë të gabuar. Duhet ta shikojmë këtë nga këndvështrimi i hebrenjve të shekullit të parë, jo nga ajo që ne dimë sot.

– Çfarë ndryshimi ka?

– Hebrenjtë e shekullit të parë nuk e njihnin konceptin e një Krishti që vuan. Ata nuk prisnin një Mesi që do të mposhtej dhe ekzekutohej nga armiqtë e Izraelit. Mesia që ata prisnin do të ishte dikush që do t’i çlironte nga robëria. E po ashtu, ata nuk prisnin ringjallje fizike të Mesias.

– Po thua që ata nuk besonin në ringjallje?

– Në mendësinë e judenjve, ringjallja nga vdekja ishte një ngjarje e përgjithshme, që do të ndodhte vetëm pas fundit të botës, por nuk kishte lidhje me ardhjen e Mesias.

– Po kjo nuk do të thotë që ata nuk mund ta vidhnin trupin e heroit të tyre.

– Pikërisht këtë po them: nuk ka kuptim që dishepujt të vazhdonin të idealizonin figurën e Jezusit kur ai u vra nga romakët. Ata e menduan ndryshe, se ai do të ngrihej kundër pushtimit romak dhe do të triumfonte mbi ta. Pra, si e krijuan dishepujt bindjen e një Mesie që vuan, vdes dhe ringjallet, kur mësime të tilla nuk ekzistonin në traditën judaike të asaj periudhe? Pikërisht ky është anakronizmi.

– Kaon, – më ndërpreu Blushi, – a e ke menduar ndonjëherë idenë që Jezusi mund të mos ketë vdekur fare? Kam dëgjuar që varri i tij ishte si një shpellë apo jo?

– Po, ashtu na thuhet. Pra, nuk e futën në një gropë dhe ta mbulonin me dhè.

– Pikërisht, po sikur ai të jetë përmendur natën e kryqëzimit ose të nesërmen? Dhe, kur doli i gjallë nga andej, dishepujt mund të kenë menduar se ai qe ringjallur.

– Pra po thua që mund t’i ketë rënë të fikët?

– Është e mundur që prej torturave ai të ketë rënë në një gjendje alivanosjeje.

– Teori interesante, por kjo ngre shumë pikëpyetje.

– Për shembull?

– A nuk supozon ky shpjegim se romakët në rastin e Jezusit qenkan treguar ekzekutues jo profesionistë?

– Mund t’iu ketë shpëtuar. Pastaj, më të zemëruar me Jezusin ishin judenjtë dhe jo romakët, apo jo?

– Të dhënat historike tregojnë se romakët e dinin mirë se si bëheshin kryqëzimet dhe siguroheshin që viktimat të kishin vdekur para se t’i zbrisnin nga kryqi.

– Ja ta them unë një kundërfakt. Unë e di që romakët ua thyenin kërcinjtë atyre që ishin kryqëzuar. A ia thyen këmbët Jezusit?

– Jo.

– E shikon? Ai ka ikur me këmbët e veta nga varri pasi është përmendur.

– Në fakt, kjo vërteton pikërisht të kundërtën. Ata, ngaqë u siguruan që ai kishte vdekur, nuk e panë të arsyeshme t’ia thyenin kërcinjtë.

– Si e di?

– E kemi dëshmi të shkruar. Plus na thuhet edhe që një ushtar i nguli një heshtë në brinjë dhe nga aty doli gjak dhe ujë, një shenjë mjekësore kjo se i kryqëzuari kishte vdekur.

– Po sikur të mos kishte vdekur?

– Edhe sikur të ishte ende gjallë, Jezusi ishte torturuar për një kohë aq të gjatë dhe aq shumë, saqë edhe po ta zbrisnin të gjallë nga kryqi, ai me siguri do të kishte vdekur në varr sepse nuk kishte përkujdesje.

– Hipoteza mbetet.

– Po mirë atëherë, le ta supozojmë që nuk vdiq dhe i kishte rënë të fikët dhe u përmend në varr. Si është e mundur që pamja e një njeriu me shpirt ndër dhëmbë dhe në nevojë të dëshpëruar për mjekim, i cili përpiqet të dalë nga varri duke u zvarritur, arriti t’i bindte dishepujt se ai ishte ringjallur plot lavdi nga vdekja? A është kjo ajo që mund të ketë ndodhur?

Blushi nuk foli.

– A do të vazhdojmë me faktin tjetër? – fola unë.

– Ka akoma? – pyeti Blushi.

– Fakti tjetër është se dishepujt patën përvoja për të cilat besuan se ishin shfaqje të Jezusit pas vdekjes.

– Ky nuk është fakt.

– Nuk thashë që unë e di se ata e panë, por se ata besuan që ai iu shfaq.

– Është e zakonshme për njerëzit të shohin haluçinacione.

– Haluçinacione? – e pyeta për t’u siguruar që e kisha dëgjuar mirë.

– Po. Është tipike për ata që janë të mërzitur nga vdekja e njeriut të tyre të dashur që t’iu duket se e shohin atë të gjallë.

– Psikologjikisht ka kuptim, – shtova unë. – Mendja mund të prodhojë imazhin e një njeriu që të mungon, dhe personi mendon se e shikon atë realisht.

– Këtë po them, – tha Blushi.

– Edhe ky shpjegim është problematik, – ia ktheva.

– Pse?

– Jezusi nuk u shfaq vetëm një herë të vetme, por shumë herë; jo vetëm në një vend, por në vende të ndryshme. Nuk iu shfaq vetëm një personi, por personave të ndryshëm; jo vetëm individëve, por edhe grupeve të njerëzve.

– Këto nuk vërtetojnë gjë.

– Ka edhe diçka tjetër.

-Çfarë?

– Në librat e studimit të rasteve në psikologji nuk ka asnjë rast që një grup të përjetojë të njëjtin haluçinacion. Pra, nuk ka haluçinacione në grup. Kjo teori as nuk përpiqet të shpjegojë varrin bosh, – shtova aty për aty.

Blushi u mat të fliste.

– Më lejo të përmend edhe një fakt të fundit, – i thashë.

Blushi ra dakord.

– Fakti tjetër që duhet të marrim parasysh është që dishepujt u shndërruan tërësisht nga besimi se kishin parë Jezusin e ringjallur deri në pikën sa ishin të gatshëm të vdisnin për atë besim.

– Më konkretisht?

– Kur u kërcënuan me vdekje, asnjëri prej tyre nuk u tërhoq nga ai besim.

– Kjo nuk do të thotë asgjë. Shumë misionarë të shumë feve të ndryshme kanë qenë dhe janë të gatshëm të vdesin për besimin e tyre. Për shembull, mendo për priftërinjtë budistë që i vunë zjarrin vetes në shenjë proteste ndaj luftës në Vietnam. Mendo për komunistët që kanë dhënë jetën për ideologjinë e tyre. Sot ka plot misionarë të islamit që japin jetën. A do të thotë kjo që edhe ajo që ata besojnë është e vërtetë, meqë kanë qenë të gatshëm të japin jetën? Sinqeriteti i dikujt nuk vërteton asgjë në lidhje me vërtetësinë e asaj që beson.

– Ka një ndryshim thelbësor mes gatishmërisë së dishepujve të Jezusit dhe këtyre rasteve që përmende.

– Njësoj janë. Mos e kompliko kot!

– Çështja është për ÇFARË është i sinqertë dikush?

– Që do të thotë?

– A është ngjarje, apo ideologji ajo për të cilën personi është i gatshëm të vdesë?

– Mund të jetë i gatshëm për të dyja.

– Dishepujt nuk ishin të gatshëm të jepnin jetën thjesht për një ideologji, por për një ngjarje historike.

– Po budistët apo myslimanët?

– Priftërinjtë budistë mendonin se lufta dhe agresioni ishin të gabuara dhe vdiqën për atë bindje. Misionarët myslimanë mund të vdesin për bindjen se islami është i vërtetë, apo si bindje ndaj Allahut. Madje, edhe misionarët e krishterë sot do të vdisnin për bindjen se krishterimi është i vërtetë. Por ka një ndryshim të madh mes një të krishteri që është i gatshëm të vdesë sot dhe gatishmërisë se dishepujve të Jezusit në atë kohë.

– Që është?

– Dishepujt ishin të gatshëm të vdisnin për bindjen e tyre qendrore, që është ringjallja, si një ngjarje. Nëse një i krishterë është i gatshëm të japë jetën sot, ai e bën sepse beson se Pjetri, Pali apo Jakobi, e panë Jezusin të ringjallur. Ky ndryshim është tepër i rëndësishëm.

– Na shkoi gjatë, – tha Blushi duke parë orën. – Duhet të ngrihemi. Jam për në Shkodër sot.

– Në rregull, – ia ktheva, – por si do ta lëmë? Faktet kërkojnë shpjegime.

– Ka shpjegime.

– Padyshim, por cili është shpjegimi më i mirë?

– Do flasim, – tha Blushi dhe u ngrit.