5 vargje biblike të keqkuptuara: Përgjigjet Dr. Craig Blomberg

0
14

Bisedoi Kaon Serjani

Jezusi thotë “ktheni faqen tjetër”. A duhet ta zbatojmë fjalë për fjalë këtë sa herë dikush na godet? Për shembull, çfarë duhet të bëjnë gratë e krishtera në martesa abuzive? A duhet të kthejnë faqen tjetër kur bashkëshorti i abuzon fizikisht?

Jo, mendoj se kjo është një prej përdorimeve më fatkeqe të një termi të tillë. Ti citove nga Predikimi i famshëm në Mal i Jezusit, nga Mateu kapitulli 5 i cili, duke nisur nga vargu 38, thotë: “Ju keni dëgjuar se qe thënë: “Sy për sy dhe dhëmb për dhëmb. Por Unë po ju them: Mos i rezisto të ligut; madje, në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë…”…pse faqen e djathtë? Në botën e lashtë, shumica e njerëzve, me ndonjë përjashtim, i mësonin fëmijët të kishin të djathtën dorë kryesore. Nëse dora ime kryesore është e djathta dhe dua të të godas me shuplakë në faqen e djathtë, goditja nuk ka për të qenë shumë agresive. Do të jetë më shumë si një shuplakë me pjesën e pasme të dorës, goditje që nuk ka si synim lëndojë, por është më shumë goditje fyese që eprori i jepte vartësit të vet. Por mendoni pak për Jezusin. Në vende të ndryshme të Dhiatës së Re, thirremi të imitojmë Jezusin. Përveç rastit kur Ai e dinte se ishte misioni i Tij të vdiste për mëkatet e botës, në çdo rast tjetër në shërbesën e Tij kur gjërat ashpërsoheshin pak si tepër, ne lexojmë se Jezusi largohej nga krahina, tërhiqej prej asaj zone dhe i largohej rrezikut. Nëse duam të imitojmë Jezusin, dhe duke e ditur se nuk është roli ynë të vdesim për mëkatet e botës, edhe ne duhet t’i largohemi rrezikut nëse na jepet mundësia. Gruaja dhe/ose fëmijët e dhunuar duhet të kërkojnë mbrojtje. Nëse janë të krishterë, të krishterët e tjerë duhet t’i inkurajojnë të gjejnë një vend të sigurt, në mënyrë që pastaj njerëzit të mund të ndërhyjnë e ta ndihmojnë personin që po shkakton dëmin të ndryshojë rrugë. Është e tmerrshme t’u thuhet të dhunuarve të kthehen e të përjetojnë më shumë dëm.

Çfarë donte të thoshte Jezusi kur tha “jepini Çezarit çfarë i takon Çezarit” dhe “Perëndisë çfarë i takon Perëndisë”? A kishte vërtet në mendje ndarjen e kishës nga shteti?

Nuk e di a e ka pasur njeri në mendje atë ide derisa Martin Luteri e përgatiti skenën në kohën e Reformacionit Protestant. Edhe atëherë, nuk bëhej fjalë për mënyrën ekstreme si e shihnin themeluesit e Shteteve të Bashkuara në kohën e Revolucionit Amerikan. Jezusi jetonte në një perandori. Shumica e historisë së krishterë ka ndodhur në monarki. Ai thjesht po thoshte se ka disa gjëra, si taksat, të cilat qeveria ka të drejtë t’i kërkojë dhe se të krishterët duhet të bashkëpunojnë e të mos bëhen rebelë kur nuk është nevoja. Por duhet të kuptoni se, sa herë që gjërat e Perëndisë bien në kundërshtim me shtetin, njeriu duhet të ndjekë e t’i bindet Perëndisë.

Bibla thotë se është më e lehtë të hyje deveja në vrimë të gjilpërës, sesa i pasuri në mbretërinë e Perëndisë. A do të thotë kjo se është e pamundur të jesh edhe i pasur, edhe i krishterë?

Një prej problemeve me citimin e vargjeve individuale të Shkrimeve është se nuk arrihet të dëgjohet vargu para dhe pas atij që citohet. Mund t’u krijohen njerëzve gjithfarë problemesh nëse nuk i kushtohet rëndësi kontekstit origjinal të vargjeve. Pjesa që citove gjendet te Mateu, Marku dhe Luka. Te Mateu, kjo pjesë gjendet në kapitullin 19. Një i ri, i pasur, drejtues sinagoge vjen te Jezusi dhe e pyet çfarë duhet të bëjë që të ketë jetë të përjetshme. Pas një bisede me shkëmbime mendimesh me Jezusin, ai burrë nuk ishte gati ta pranonte çfarë i tha Jezusi dhe largohet. Në atë pikë, te Mateu 19:23, Jezusi thotë, teksa flet me dishepujt e Vet që ishin ende aty dhe po e dëgjonin: “Në të vërtetë ju them se një i pasur me vështirësi do të hyjë në mbretërinë e qiejve.” Por nuk thotë se është e pamundur. Pastaj vijon dhe shton: “Dhe po jua përsëris: “Është më lehtë të kalojë deveja përmes vrimës së gjilpërës [gjë që sigurisht është e pamundur], sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.” Po lexoj më tej: “Kur i dëgjuan këto, dishepujt e vet u habitën shumë [i morën me kuptimin e parë fjalët e Tij] dhe thanë: “Kush vallë mund të shpëtohet?” Dhe Jezusi duke i vështruar, tha: “Për njerëzit [për qeniet njerëzore] kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur.” Pra, po, kush e ka studiuar këtë temë, sidomos në botën perëndimore, ka arritur në përfundimin se individët me sasinë më të madhe të burimeve, ata që janë në majë të shkallës socio-ekonomike, priren të jenë në fund të shkallës së besimit në Perëndinë. Por ka edhe të krishterë të pasur, dhe një prej mënyrave si e tregojnë veten se janë të krishterë është përmes bujarisë së pamasë që kanë në ndihmën që u japin të tjerëve me atë pasuri.

Çfarë mund të bëjë personi që sapo ka nisur ta lexojë Biblën, që nuk di asgjë për parimet e interpretimit dhe has disa urdhërime të çuditshme nga ana e etikës? Për shembull, kur Jezusi thotë “duaje armikun”, apo kur thotë “urreje atin dhe nënën.” Si do ta shpjegonit këtë?

Dashuria për armikun nuk është e vështirë për t’u kuptuar. Thjesht ngre gjithfarë pyetjesh, të tilla si “po si duket kjo në praktikë”? A do të thotë se duhet të bëhemi pacifistë dhe të mos praktikojmë apo të mos mbështesim asnjë lloj dhune? A ka ndonjë mënyrë si ta duam armikun edhe nëse qeveria vendos se duhet shkuar në luftë kundër dikujt? Këto janë pyetje për të cilat të krishterët kanë debatuar për shekuj dhe nuk kanë rënë gjithmonë dakord. Por mund të biem dakord të paktën se trajtimi i tjetrit me dinjitetin dhe respektin që meriton çdo njeri si i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë është mësim dhe vlerë e kudogjendur në Shkrime e që duhen zbatuar ndaj kujtdo. Një mënyrë se si një lexues për herë të parë i Biblës i përgjigjet pyetjeve të tij/saj është të familjarizohet me gjërat që thuhen në shumë vende nëpër Bibël e pastaj t’u bëjë sintezën. 

Shembulli i dytë që solle është ndryshe, sepse kërkohet njëfarë dije e specializuar për të na ndihmuar me idenë e të urryerit të prindërve. Kjo pjesë është te Luka 14:26. Po t’i kem lexuar ungjijtë nga fillimi deri në fund, njëri pas tjetrit, do të mbaj mend se, te Mateu 10, gjendet një deklaratë ku Jezusi thotë se kushdo që nuk e do Perëndinë shumë më shumë se prindërit, fëmijët a bashkëshortin/en e vet nuk është i denjë për Të. Ky tekst mund të ndihmojë në interpretimin e pjesës që përmendëm. Themeluesit e krishterimit protestant, (reformatorët), edhe pse theksonin se Bibla ishte mjaft e qartë në përkthime të mira, për të mësuar gjërat thelbësore për shpëtim e për drejtësi para Perëndisë, e pranonin se ka shumë vende që nuk kanë kuptim herën e parë që lexohen. I krishteri duhet të jetë pjesë e një bashkësie, bashkë me besimtarë të tjerë që kanë trajnimin dhe urtësinë e duhur për të shpjeguar pyetje të tilla të vështira sa herë që hasen. Njerëzit duhen nxitur të përdorin burime të ndryshme sa herë është mundësia. Ka një numër burimesh, librash e faqesh interneti që mund të përdorim, ka Bibla studimi me shënime në fund të faqeve që mund t’u përgjigjen këtyre pyetjeve.

Çfarë do të thotë se “e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë”? Nëse është kështu, pse duhet të bjerë përgjegjësia mbi njerëzit që nuk e gjejnë atë udhë e derë?

Le të shohim. Përfytyro sikur dëshiron të bëhesh atlet elitar. Trajneri mund të të thotë se jo shumë njerëz ia dalin të shkëlqejnë në këtë sport, sigurisht jo në nivele olimpike të paktën. Por nëse dëshiron vërtet t’ia dalësh, është e mundur, por duhet të stërvitesh shumë e të ndjekësh udhën e ngushtë. Do të duhet t’i mohosh vetes veprimtari normale që shumë njerëz të tjerë i kryejnë. A është e gabuar, e pamundur, ta mbash përgjegjës dikë për respektimin e një programi stërvitje atletike serioze? Kur Jezusi tha se jo shumë njerëz e gjejnë jetën, kjo nuk ndodh sepse miliona njerëz janë përpjekur e kanë dështuar, por sepse fatkeqësisht ka miliona njerëz që, me sa duket, nuk janë të interesuar e as që duan të bëhen “atletë elitarë” në botën frymore. Nga ana tjetër, tani që kemi rreth shtatë miliardë e po shkojmë drejt tetë miliardë njerëzish, mund të kemi një miliard të krishterë e prapë do të jenë një pakicë që nuk vihet re. Megjithatë, ky mbetet numër i madh. Udha mund të jetë e ngushtë, nëse e krahasojmë me morinë e njerëzve në botë që nuk mund t’i nxërë ajo rrugë përnjëherë, por prapë mund të kemi shumë të krishterë.