A është Triniteti i palogjikshëm?

0
54

Shumë veta që e kritikojnë krishtërimin mendojnë që Trinia është e çuditshme. Epo, është pak, por kjo nuk do të thotë që është e gënjeshtërt. Shumë gjëra që janë reale mund të jenë të çuditshme. Unë e di, sepse shihem në pasqyrë. Kjo është pjesë e problemit me këtë postim. Plus, bazohet mbi një keqkuptim të madh. Kjo është “Logjika e Penës së Kuqe”, me Z. B., ku ne ju ndihmojmë të vlerësoni të menduarin e gabuar duke përdorur të menduarin e saktë. Për më tepër, ne përpiqemi të argëtohemi pak teksa merremi me këto. Në postimin e sotshëm kundër apologjetët ofrojnë një meme, e cila ka si qëllim të tallet me teologjinë e krishterë.

Kjo është një pikturë e Jezusit duke u lutur dhe shkruhet thjesht: “A je aty Perëndi? Jam unë. Ti.” A e kapët? Nëse Jezusi është Perëndi dhe po i lutet Perëndisë, atëhere kjo do të thotë që Jezusi po i lutet vetes së vet. Epo, nëse edhe ju po mendoni të njëjtën gjë, bëni mirë të mos largoheni.

Kjo meme mbështetet mbi një kuptim të gabuar të Perëndisë. Prandaj le të bëjmë së bashku një përkufizim të kujdesshëm të disa termave. Pasi ta bëjmë këtë do të shihni që kjo meme nuk do t’ju duket më për të qeshur.  Janë dy terma që duhet t’i kuptojmë, unitarizmi dhe trinitarizmi. Unitarizmi është besimi që Perëndia është një person, ashtu si ju jeni një  qenie, pra një person, një ndërgjegje. Perëndia në këtë këndvështrim është një qenie, i cili është një person, një ndërgjegje. Ortodoksët, hebrenjtë, muslimanët dhe Dëshmitarët e Jehovait janë që të gjithë Unitarianë. Trinitarizmi nga ana tjetër  është besimi që Perëndia është një, por brenda Perëndisë, si të thuash, janë tre qendra ndërgjegjeje, tre persona krejtësisht të dallueshëm nga njëri-tjetri: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Këta tre persona ndërveprojnë me njëri-tjetrin në mënyra personale, siç është edhe të folurit me njëri-tjetrin.

Tani, ky koncept i Perëndisë  bën një dallim shumë të rëndësishëm midis qenies dhe personit. Është e kuptueshme që do të ishte kontradiktore të thoshim se tre qenie janë një qenie, ose që tre persona janë një person. Atëhere cili është ndryshimi midis qenies dhe personit? Jam i gëzuar që pyetët. Qenia ka të bëjë me ‘çfarë’ është në natyrën apo në thelbin e vet. Për shembull një pemë është një qenie, një shkëmb është një qenie dhe brejtësi im është qenie. Ç’kemi Tedi! Nga apo shkon kështu?! Kështu, gurët dhe brejtësit nuk janë persona. Më vjen keq Tedi! Edhe ju jeni një qenie, ju jeni një qenie njerëzore. Shumë mirë deri këtu. Tani, disa qenie janë gjithashtu edhe persona. Personi ka të bëjë me ‘kush’ është dikush. Kur vjen puna te qeniet njerëzore ne të gjithë e kuptojmë që si qenia, ashtu edhe personi, që është çfarë jeni ju, janë të ndryshme nga kush jeni ju. Për shembull, unë jam një qenie, një qenie njerëzore për të qenë më i saktë, por jam gjithashtu edhe një person i veçantë. Përshëndetje! Unë jam Z. B.. Gëzohem që njihemi!

Personat kanë cilësi unike personale si vullneti, emocionet dhe mendja. Kështu, gurët dhe brejtësit nuk janë persona. Më vjen keq, Tedi! Por njerëzit janë. Ne jemi qenie personale, prandaj dallimi midis qenies dhe personit, është dallimi midis ‘çfarë’ dhe ‘kush’. Një gur është një ‘çfarë’ dhe asnjë ‘kush’. Z. B. është një ‘çfarë’ dhe një ‘kush’ dhe Perëndia është një ‘çfarë’ dhe tre ‘kush’: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Tani, dëgjoni me kujdes sepse këtu është pjesa ku disa njerëz ngatërrohen. Çdo person brenda Perëndisë ka të njëjtën natyrë të vetme – ‘çfarë’, por është një person më vete – ‘kush’. Kështu për shembull, Ati është Perëndi dhe Biri është Perëndi, por Ati nuk është Biri, sepse ata janë persona të veçantë. Tani, le të kthehemi tek sfida origjinale. Jezusi lutet: “Perëndi, a je aty? Jam unë. Ti.” Ndoshta tashmë ju arrini ta shikoni problemin, që nuk arrin të bëjë dallimin midis Atit, të cilit po i drejtohet lutja, dhe Birit, i cili është ai që po lutet. Jezusi nuk po i lutet vetes së vet, ai po i lutet Atit.

Ne lehtësisht mund të rishkruajmë këtë meme. “A je atje Atë? Jam unë, Biri yt. Përse është më mirë kështu? Përse Jezusi, i cili është Perëndi, i lutet Atit, i cili është Perëndi, sepse askush nuk i lutet natyrës, në këtë rast, natyrës hyjnore të Atit dhe të Birit. Përkundrazi, ne i lutemi një personi tjetër, siç është Ati, dhe kjo është pikërisht ajo çfarë po bën Jezusi këtu. Këtu janë dy gjëra për të cilat duhet të mendohemi. E para: Jezusi nuk është thjesht një Perëndi. Ndryshe nga Perëndia, Biri mori një natyrë të vërtetë njerëzore, ai është Perëndia-njeri. Dhe si Perëndia-njeri, ai është një njeri i përkryer, i cili adhuron, nderon, i bindet dhe po, edhe i lutet Perëndisë Atë. Në fakt, Jezusi njeri është i varur tek Ati. Por si mund të jetë i varur Biri nëse ai vetë është Perëndi? Apostulli Pal na thotë: “Jezus Krishti, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit.” Filipianëve 2:5-8

Tani shikoni këtë sepse është vërtet e rëndësishme. Fjala, personi i dytë i Trinisë, nuk pushoi së qeni Perëndi kur erdhi në tokë si Jezusi. Përkundrazi, ai hoqi dorë nga privilegjet e tij si Perëndi dhe u bë një shërbëtor për ne. Prandaj Pali thotë që ai e përuli veten, ashtu siç duhet të bëjmë ne në fakt. Kështu, kur Perëndia Bir i lutet Perëndisë Atë,  ai nuk po e mohon hyjninë e tij të plotë.

Përkundrazi, ai po pohon: 1. që është një person i ndryshëm nga Ati. Dhe 2: Ai po tregon që e ka futur veten nën autoritetin e Atit ndërsa ishte duke ecur në këtë tokë. Pra, çfarë kemi mësuar: Së pari, meme mbështetet në një keqkuptim për të na bërë të qeshim. Por teologjia e krishterë është teologji Trinitariane, Perëndia është një qenie e përjetshme, tre persona të përjetshëm. Pasi të keni kuptuar dallimin e rëndësishëm midis një qenieje, një ‘çfarë’ dhe një personi, një ‘kush’ ju mund ta dalloni lehtësisht çfarë gabimi ka në këtë meme. Jezusi nuk po i lutej vetes së vet, ai po i lutej Atit Perëndi. Së dyti, Trinia nuk është kontradiktore. Tre persona në një Perëndi mund të jetë e çuditshme, por nuk është një kontradiktë. Përshëndetje, a je aty babi? Jam unë, biri yt. Më falni! Më duhet t’i përgjigjem kësaj telefonate. Mësimi mbaroi. Nëse dëshironi të shihni më shumë video të tilla, sigurohuni që të regjistroheni në kanalin tonë dhe klikoni mbi shenjën e këmbanës. Në këtë mënyrë do të lajmëroheni sa herë që del një video e re e “Logjika e Penës së Kuqe”. Dhe nëse dëshironi një të menduar akoma më të qartë për krishtërimin, regjistrohuni tek kanali i YouTube “Stand to Reason”, ku ne nxjerrim nga një video të re çdo dy javë.

Përktheu: Ana Llakaj

Burimi: Video origjinale nga Stand to Reason me autor Tim Barnett.