A do t’a përgënjeshtrojë shkenca Zotin?

0
6

Njëherë e një kohë, kur njerëzit nuk mund të shpjegonin se përse gjërat ndodhnin, ata mendonin se një nga Zotat ishte arsyeja për këtë gjë. Po sot? A i konsiderojnë njerëzit, gjërat që shkenca ende nuk mund t’i shpjegojë, si prova për ekzistencën e Zotit? Po, sipas ateistit Riçard Dokins (Richard Dawkins). “Të krishterët kërkojnë me padurim një boshllëk në njohuritë apo të kuptuarit e ditëve të sotme. Nëse gjendet një hendek i dukshëm, supozohet se duhet të jetë Zoti ai që e plotëson atë. Hendeku tkurret ndërsa shkenca përparon, dhe Zoti ndihet i kërcënuar se përfundimisht nuk do të ketë asgjë për të bërë dhe askund për t’u fshehur.” A është kjo e saktë? A adhurojnë të krishterët Zotin e boshllëqeve? Në kundërshtim me legjendat urbane, krishterimi nuk e kundërshton shkencën. Përkundrazi, pothuajse të gjithë pionierët e shkencës moderne ishin të krishterë. Kuptimi i tyre se universi ishte krijuar nga një mendje racionale dhe se ne jemi krijuar në imazhin e tij, ofroi kornizën e nevojshme konceptuale për hulumtime sistematike  të botës natyrore. Në mënyrë të ngjashme, edhe sot, shkencëtarët që janë ndjekës të Jezus Krishtit nuk gjejnë asnjë lloj kundërshtie midis përpjekjeve të tyre shkencore dhe botëkuptimit të tyre të krishterë. Ndërsa shkenca përparon, ideja që Zoti ekziston bëhet më shumë e mundshme, e jo më pak. Nuk është ajo që nuk dimë që na orienton drejt Zotit, por ajo çfarë dimë. Për shembull, dakordësia shkencore ka qenë se universi material ka ekzistuar gjithmonë. Por, teksa shkenca përparonte, u bë e qartë se, në fakt, universi e ka një fillim. Ky zbulim sjell një pyetje të sikletshme. Çfarë e shkaktoi fillimin e universit? Në mënyrë logjike, diçka nuk mund të shkaktojë vetveten. Prandaj, shkaku i universit, cilido qoftë ai, duhet të ekzistojë përtej universit fizik. Diçka jo-fizike dhe jashtëzakonisht e fuqishme. Ky kuptim i ri e bën hipotezën e ekzistencës së Zotit më tepër të mundshme, jo më pak. Një shembull tjetër: Forcat të cilat përcaktojnë strukturën e universit tonë kanë qenë tërësisht një mister. Por, tani, ne e dimë se universi është strukturuar në këtë mënyrë, për shkak të vlerës së këtyre konstanteve thelbësore. Secila prej tyre, ndodh të jetë e kalibruar në mënyrë kaq precize sa e lejon universin që të ketë yje, planete dhe jetë. Sikur edhe vetëm një nga këto konstante, të kishte një vlerë që ndryshonte me më të voglën sasi, atëherë nuk do të kishte jetë, të asnjë lloji, në asnjë vend. Si ka mundësi, atëherë, që universi ynë është i kalibruar kaq mirë që dhe jeta të ekzistojë? Nuk ka arsye të mendojmë se universi e kishte të nevojshme të ishte kështu. E të thuash se ky rregullim kaq i mprehtë ka ardhur si pasojë e rastësisë është absurditet matematikor. Shpjegimi më i besueshëm është se kalibrimi kaq i mirë i universit tonë është se ai është krijuar me qëllim.

Në përpjekje për të shmangur këtë përfundim, disa imagjinojnë se universi ynë është thjesht një nga një pafundësi universesh të renditur në mënyrë të rastësishme. Ndaj, kalibrimi perfekt, nuk ka me të vërtetë pak gjasa për të ndodhur. Megjithatë, nuk ka prova shkencore për këtë shumësi universesh. Është një teori që nuk mund të provohet. Shumësia e universeve, gjithashtu, do të kërkonte kalibrim perfekt. “Kalibrimi perfekt dhe i jashtëzakonshëm i ligjeve dhe konstanteve të natyrës, bukuria dhe zbulueshmëria dhe kuptueshmëria e tyre inteligjente – të gjitha këto së bashku, e bëjnë hipotezën e ekzistencës së Zotit si zgjedhjen më të arsyeshme që ne kemi. Të gjitha teoritë e tjera bien poshtë.”

Një shembull i tretë. Gjenetika ishte dikur një hendek i madh në aftësitë tona shkencore për të kuptuar. Por, tani, ne e dimë se ADN-ja njerëzore përmban një sasi të pabesueshme informacioni të organizuar. Ky informacion i koduar në mënyrë digjitale kuptohet më mirë si kod kompjuterik që përmban komanda, të cilat, në thelb, janë gjurmë për të ndërtuar qenie të gjalla. Ne dimë, gjithashtu, që informacioni prodhohet nga mendja. Duket e logjikshme që të mbërrijmë në përfundimin se informacioni që gjendet në ADN është krijuar nga një mendje. Përsëri, një përfundim tërësisht shkencor mbështet kauzën për ekzistencën e Zotit.

Nuk është se boshllëqet në njohuritë tona mbushen me shprehjen “Zoti e bëri këtë gjë”. Përkundrazi, është ajo që dimë që paraqet një argument të mirë për ekzistencën e Zotit. Ndërsa shkenca përparon, ky përfundim rritet dhe bëhet i pashmangshëm.

Botëkuptimi i krishterë përqafon jetën e drejtuar nga mendja dhe motivon në mënyrë të fuqishme hulumtimet shkencore. Sa më shumë shkencëtarët zbulojnë për universin tonë madhështor, aq më shumë habitemi përtej mase me mendjen që qëndron pas gjithë kësaj.

Përktheu: Evis Plaku