Të puthesh me realitetin

0
70

Nga Alfrida Malbuçaj

– Mirëmëngjes! Shpresoj që je çlodhur nga një ditë e lodhshme plot procedura regjistrimi, me përpjekje për t’u vendosur në mjedisin e ri ku do të jetosh, me fytyra të panjohura me të cilat u përballe e vende të reja ku shkele… Mbase ndihesh tejet i lodhur që tani, por edhe i lumtur, sepse të frymëzojnë ëndrrat që thure mbrëmë kur vure kokën në jastëk si student. Ti mund të çuditesh nga kjo mikpritje, por përshëndetja e radhës është: “Mirë se erdhe në botën reale!” Mbase e fillove këtë mëngjes, duke pyetur: “Ku shkoi vallë bota ime me të cilën u ngrysa mbrëmë e që duket krejt tjetër sot? Ç’u bë qetësia ime? Pse të gjithë bërtasin? Pse nuk fiket drita? Pse përplaset dera?

Pse gjërat e mia nuk janë në vendin e vet? Pse të gjithë këtu funksionokan ndryshe nga unë? Pse askush nuk kujdeset për ndjenjat e mia? Kur unë flas, pse s’më dëgjojnë?” Mbase i irrituar kështu me të drejtë, sipas teje, gjykove dhe vendose: “Kam jetën time dhe do ta jetoj siç më pëlqen mua”. Mbase u mërzite aq shumë, sa the: “Kështu s’ia vlen, unë s’do t’ia dal dot”. Edhe pse sapo realizove një nga ëndrrat më të mëdha që kishe deri dje, kaq nuk mjafton. Gara jote tani e tutje do të të kërkojë po aq pasion sa kishe për të arritur deri këtu, madje edhe më shumë. Do duhet ta ndihmosh veten ta perceptosh të vërtetën, edhe pak nga pak ta bindësh atën se ti nuk je qendra e botës dhe se bota nuk rrotullohet rreth teje. Por, gjithashtu, e vërteta është se ti erdhe deri këtu, sepse ti mundesh. Përmendu, kthjellohu, e përvishju punës, sepse ti e di kush je e çfarë do për jetën tënde apo jo? Mos u dorëzove akoma pa filluar mirë gara jote? Apo shkele mbi të gjithë pa mëshirë, për të arritur atë që deshe? Jeta është e gjatë, është një garë. Vrapimi yt sapo ka nisur. Të tilla shprehje si: “Hajt, mo, kalojmë, po e shtyjmë!” – uroj të mos jenë asnjëherë shprehjet e tua.

Qëllimet dhe ëndrrat në jetë nuk arrihen me të shtyrë. Për to, njerëzit janë gati të japin gjithçka, të investojnë plot shpresa e përkushtim hap pas hapi, gjithë jetën, që t’i shohin të bëhen realitet. Të këshilloj të fillosh me veten së pari, duke lënë mënjanë pak nga pak tekat dhe veset e deridjeshme. Çdo gjë e së shkuarës që do të të bëhej lak për këmbët, hidhe tej. Ktheji sytë tek e shkuara, vetëm nëse ka një pasqyrë diku, atje, e cila shëmbëllen sukseset e tua dhe qëllimet e realizuara siç duhet. Shtrëngohu fort, lidhu ngushtë pas të sotmes, jepe zemrën plot besnikëri edhe në gjërat e vogla, sepse do të vijë një ditë që jeta do të të vërë në duar fate e gjëra më të mëdha. Uroj të zgjedhësh ndershmërinë, edhe pse kësaj botës sonë moderne i duket marrëzi.

Nëse vendos të ecësh përkrah njerëzve, duke mësuar të shohësh jo vetëm interesin tënd, por edhe atë të tjetrit, do të mbledhësh rreth vetes xhevahirë të vërtetë, një pasuri të madhe miqsh, të cilët do t’i japin ngjyra, shkëlqim e jetë, jetës tënde. Në vend që të stresohesh më kot apo të mbyllesh në vetvete si një dështak, zgjidh të flasësh hapur me njerëzit, duke ndarë jetën me ta, dhe do të shohësh sa i këndshëm e jetëndryshues do të jetë udhëtimi yt.

Ti ke përpara ëndrra për të realizuar, aspirata për të arritur. Mos ia dorëzo veten indiferencës, egoizmit a krenarisë…, por as depresionit apo vetmisë. Rrugëtimi që ke nisur nuk bëhet as vetëm, e as me veten në qendër… Do apo s’do, ti je protagonist i kësaj gare, zgjedhjet dhe vendimet të takojnë ty.