Reflektim mbi Konceptin e Thirrjes

0
7

Kaon Serjani

Gjithmonë kam menduar se vetëm ata që “marrin një ftesë” nga Zoti për t’i shërbyer Atij me kohë të plotë kanë një thirrje. Duke qenë në shërbesë të krishterë për shumë vjet, e kam konsideruar veten të vendosur në “zonën e sigurt të thirrjes së vërtetë.” Por, çfarë ndodh me të krishterët që nuk janë angazhuar në shërbesë me kohë të plotë? A kanë ata gjithashtu një thirrje? Duke studiuar më tepër mbi këtë temë, disa koncepte kanë ndihmuar në zgjerimin e perspektivës sime mbi natyrën e thirrjes.

Së pari, çfarë mëson Bibla për “thirrjen”? Edhe pse të krishterët ka të ngjarë të bien dakord se lloji i parë i thirrjes është ai i Jezusit që thërret dymbëdhjetë burra për të qenë apostujt e tij (Marku 3:13-14; Luka 6:13), në Shkrim ka edhe lloje të tjera thirrjesh. Ka një thirrje për të shërbyer në detyra të ndryshme (Romakët 12:6; 1 Kor. 12:28; Efes. 4:7); një thirrje për të qenë populli i Zotit (Romakët 9:24-26; 1 Kor. 1:24; 1 Kor. 7:15-24); një thirrje për të jetuar në një trup të bashkuar, kishën (1 Kor. 1:9-10; Heb. 10:25); dhe një thirrje për të jetuar një jetë të denjë (Efes. 4:1; 1 Sel. 2:12; 1 Sel. 4:7; 2 Tim. 1:9).

Së dyti, ne duhet të kujtojmë se rënia e njerëzimit në mëkat ka prekur gjithçka, përfshirë thirrjen, dhe për këtë arsye edhe ajo ka nevojë për shpengim.

Një shembull i kësaj është keqkuptimi i thirrjes si diçka për përfitimin tonë, veçanërisht kur konsiderojmë gjuhën që përdorim, si “thirrja ime,” apo “një thirrje për mua.” Teologu amerikan, Andy Crouch, kontribuon në këtë temë duke shkruar: “Unë jam shumë i interesuar për individin ekspresiv që e quaj vete — por duket se Shkrimi nuk është i interesuar për mua… por për Zotin… dhe për ftesën e Tij të mëshirshme që të ndaloj së qeni kaq i interesuar për veten time dhe të filloj të jem absolutisht i magjepsur nga misioni i Tij.”

Një tjetër shembull se si rënia ka ndikuar në thirrjen tonë është se, sado që të përpiqemi, gjithmonë do të ketë një pjesë të aktivitetit tonë ku do të na nevojitet falja e Zotit, sepse kurrë nuk do ta arrijmë të përkryerën. Pranimi që mëkati ka prekur thirrjen time dhe që kurrë nuk do të bëj diçka në mënyrë të përkryer është përulësi në vetvete dhe do të më bëjë të mbështetem gjithnjë e më shumë te Zoti. Kjo përulësi mund të rezultojë në jetesën e thirrjes sime më me përkushtim dhe më me denjitet.

Së treti, ka vlerë të identifikojmë edhe mënyrat se si të krishterët e kanë kuptuar dhe jetuar thirrjen gjatë historisë. Sipas William Placher, duhet të jemi të gatshëm tëmësojmë madje edhe nga të krishterët mesjetarë (500-1500) të cilët — edhe pse shumica e konsideronin thirrjen e tyre për të jetuar të ndarë nga bota (si murg ose murgeshë) — disiplinonin veten për të menduar vazhdimisht për Zotin, ndërsa ne sot “ jemi aq të fokusuar në të bërit sa harrojmë të qenurit.”

Reformacioni Protestant solli një kuptim më të gjerë për thirrjen apo vokacionin. Sipas Martin Luther-it (1483–1546), “Çdo i krishterë ka të paktën dy vokacione: thirrjen për t’u bërë pjesë e popullit të Zotit dhe thirrjen për një linjë të veçantë pune.” Duke theksuar “priftërinë e të gjithë besimtarëve,” Reformatorët dolën në përfundimin se të gjithë të krishterët kanë një vokacion; mund të jetë një rol në kishë ose një punë jashtë kishës.

Më vonë, te tjerë ndërtuan mbi pikëpamjen e Reformatorëve. William Law (1686-1761) zhvilloi idenë se, nëse ia kushtojmë Zotit çdo punë që bëjmë, ajo mund të jetë e këndshme për Të. Kjo është një sfidë për të menduar çdo vokacion si një të shenjtë, duke aplikuar të vërtetën e Shkrimit për të bërë gjithçka për Zotin dhe jo për njerëzit (Efes. 6:5; Kol. 3:22, 23). Një mënyrë tjetër për të përshkruar këtë të vërtetë është “ÇFARË-ja e thirrjes sonë nuk është aq e rëndësishme sa PSE-ja dhe SI-ja.” Sipas Law: “Profesioni i një kleriku është një profesion i shenjtë sepse është një shërbim në gjëra të shenjta… Por edhe biznesi i botës [puna jashtë kishe] duhet t’i kushtohet Zotit, duke u kryer si një shërbim për Të.”

Shkrimtarë të mëvonshëm si Karl Barth (1886-1968) theksuan rëndësinë e të pasurit të një thirrje personale. Duke komentuar mbi 1 Korintasve 7:20, ai shkruan se “Secili prej nesh, kudo që ndodhet, duhet të jetë plotësisht dhe tërësisht aty, pa dëshiruar diçka tjetër ose vendin e dikujt tjetër, por duke kuptuar thirrjen tonë si vendin unik ku takohemi me Zotin.”

Autorë bashkëkohorë si Dan Allender shkruajnë për dallimet unike të thirrjeve dhe japin këshilla për mënyrat se si individët mund ta kuptojnë të tyren. Allender shkruan: “Si e di se cila është thirrja jote? Shiko historitë dhe temat e jetës tënde dhe si ato e zbulojnë Zotin.”

Zbatime

1.Perspektiva e Gjerë e Thirrjes

Thirrja nuk kufizohet vetëm te shërbimi i plotë në kishë apo në mision. Çdo besimtar ka një thirrje për të jetuar një jetë të shenjtë, për të jetuar në unitet brenda bashkësisë së besimtarëve dhe për ta parë vendin e tij ose të saj të punës, çfarëdo që të jetë, si një shërbim ndaj Zotit, duke i shërbyer të tjerëve sikur të ishte duke i shërbyer Krishtit. Prandaj, mund t’i shërbejmë Zotit në çdo kontekst ku Ai na vendos, pasi çdo kontekst ka rëndësi për Mbretërinë e Tij.

2. Përulësia dhe Varësia ndaj Zotit

Pranimi i faktit që, për shkak të rënies, askush nuk mund ta përmbushë në mënyrë të përkryer thirrjen e tij, na mëson përulësinë dhe varësinë ndaj Zotit. Megjithatë, edhe pse nuk do ta përmbushim kurrë thirrjen tonë në mënyrë të përsosur, nëse e ndjekim Zotin me përulësi, mund të jemi të sigurt se Ai do të na përdorë më shumë sesa mund ta mendojmë.

3. Identifikimi i Vokacionit Personal

Për disa besimtarë, zbulimi i qëllimit specifik të Zotit në jetën e tyre mund të jetë shumë i qartë dhe i patundshëm; për të tjerët, siç komentonte Dan Allender mund të kuptohet nga një kombinim i talenteve apo aftësive që Zoti u ka dhënë, historisë së tyre (pasionet dhe aftësitë) dhe nevojave që ata shohin përreth vendit ku Zoti i ka vendosur (aspekte të botës së thyer).

4. Jemi Thirrur të Shpallim Lavdinë e Zotit

Ne duhet të kujtojmë se thirrja nuk ka të bëjë me ne, por me Zotin. Ajo nuk është për të ngritur reputacionin tonë, por për të shpallur lavdinë e Tij. Nëse bëjmë gjithçka që duket e drejtë, por nuk e njohim këtë të vërtetë, mund të mos e përmbushim vërtet thirrjen tonë.