Eutanazia dhe Vetëvrasja e Asistuar

0
1312
Nga Kaon Serjani
Intervistë me profesorin e Etikës në Universitetin Biola në Kaliforni, Dr. Scott Rae.
I nxitur nga debati i zhvilluar pak ditë më parë në emisionin Shqipëria Live në Top Channel vura re një ngatërresë mes koncepteve të Eutanazisë dhe Vetëvrasjes së asistuar. Mendoj që pjesa e mëposhtme mund të ndihmojë në qartësimin e koncepteve, si dhe në trajtimin e pyetjes se si gjen aplikim etika e krishterë në këtë temë.
Dr. Rae, do të doja t’i shpenzonim minutat që na mbetën duke folur për eutanazinë dhe vetëvrasjen e asistuar nga mjeku. A do të na shpjegoni ju lutem çfarë kuptimi kanë këta terma dhe cili është dallimi midis tyre?
Dr. Rae: Eutanazia është një term i përgjithshëm, që përbëhet nga dy fjalë greke, vdekje e mirë. Do të bëja dallimin midis tri gjërave.
E para, heqja ose ndalimi i procedurave që e mbajnë personin në jetë, që në disa raste është krejt etike për ta bërë, sepse në thelb ti po e lejon sëmundjen të marrë rrugën e natyrshme. Kjo i jep fund çdo ndërhyrjeje mjekësore të mëtejshme.
E dyta, vetëvrasja e asistuar nga mjeku është kur pacienti kërkon dhe merr ndihmën e mjekut për t’i dhënë fund jetës së vet. Mjeku i cakton substancën, e udhëzon, e mbikqyr pacientin kur ai apo ajo e injekton vetë substancën vdekjeprurëse.
E treta, eutanazia zakonisht ndodh kur pacienti është tepër i sëmurë apo i paaftë për t’i dhënë fund jetës vetë. Në këtë rast mjeku e administron vetë dozën vdekjeprurëse të substancës.
Në SHBA dhe në pjesën më të madhe të Europës, eutanazia është ende e paligjshme. Vetëvrasja e asistuar nga mjeku është e ligjshme në disa shtete të SHBA, Belgjikë, Holandë dhe pjesë të Skandinavisë. Nuk mendoj se është e ligjshme në pjesën më të madhe të Europës Lindore. A praktikohet apo jo, kjo është çështje tjetër. Sepse në Holandë për shembull, kjo praktikohej gjerësisht për shumë vjet përpara se të ndryshohej ligji formalisht. Dhe sot, në shumë pjesë të Europës shohim fëmijë që nga 12 vjeç që u ofrohet opsioni i eutanazisë për ta bërë atë zgjedhje vetë. Foshnja të porsalindura që janë shumë të sëmura eutanazohen shumë më rregullisht dhe në Europë diskutimi po bëhet më i hapur në lidhje me koston ekonomike të përkujdesjes së njerëzve në fund të jetës. Dhe patjetër, nuk ka gjë më të lirë se vdekja. Prandaj, legalizimi i eutanazisë në disa vende ka qenë pjesë e përgjigjes për zvogëlimin e kostos për këtë numër në rritje të moshuarish që do të kemi në 20 vjetët e ardhshëm. Në shumë vende të SHBA është ende e paligjshme. U ligjërua në Australi para jo shumë kohe. Ka ende mjaft debat për këtë në shumë pjesë të botës. Në Europën Perëndimore është bërë diçka më e pranuar.
Pra, midis këtyre të trejave, heqja ose ndalimi i procedurave që e mbajnë personin në jetë, eutanazia, dhe vetëvrasja e asistuar nga mjeku, a po thoni që vetëm ndalimi i procedurave që e mbajnë personin në jetë mund të thuhet se ka një etikë të krishterë?
Dr. Rae: Po, në kushtet e duhura. Për shembull, mos e dhëntë Zoti, nëse do të pësoje infarkt ndërsa flasim, nuk do të thosha kurrë le t’i ndalojmë procedurat e mbajtjes në jetë dhe të lëmë sëmundjen të ndjekë rrugën e saj, sepse prognoza jote mund të jetë e shkëlqyer dhe patjetër duhet të ndërhyjmë.
Unë mendoj se është e pranueshme në ato raste kur trajtimi i mëtejshëm është i kotë, ose kur është më shumë i rëndë për pacientin sesa i dobishëm. Dhe në shumë raste, në fund të jetës, kur njerëzit janë shumë të sëmurë, ata mbahen me trajtime që nuk i duan. Por anëtarët e familjes vazhdojnë t’i autorizojnë sepse nuk duan t’i lënë të shkojnë. Kjo mendoj e vendos pacientin në një pozitë jo të mirë, sepse po vazhdon të lëngojë në një gjendje që nuk e do. Ai do të donte më mirë të shkonte me Zotin. Dhe në thelb spitalet po sigurojnë trajtim mjekësor për të mirën e familjes, jo të pacientit. Kjo mendoj është gjithmonë jo etike.
Ju thoni edhe që të krishterët duhet të kenë këndvështrimin biblik mbi vdekjen për ta kuptuar ndoshta këtë çështje. A mund të shpjegoni cili është këndvështrimi biblik për vdekjen?
Dr. Rae: Po, ka dy pjesë. Vdekja nuk është ajo që projektoi Zoti në fillim. Por si rezultat i vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit vdekja është një armik i mundur dhe prandaj nuk duhet t’i rezistojmë gjithmonë. Nuk po them se ajo duhet të shkaktohet direkt me vetëvrasje të asistuar nga mjeku dhe eutanazi, por po them se nuk duhet t’i rezistojmë gjithmonë, nëse trajtimet janë të kota, ose më shumë të rënda sesa të dobishme. Pra, si të krishterë nuk duhet te marrim një pozicion teologjik që të themi se jeta në tokë është e mira më e madhe, sepse nuk është. Dhe nëse themi që jemi të detyruar t’i mbajmë njerëzit në jetë gjithmonë, me çdo çmim, pavarësisht se çfarë, ne në thelb po pohojmë që jeta në tokë është e mira më e madhe.
Pra, ne do duhet të thoshim që ka një jetë të përjetshme që është e mira më e madhe?
Dr. Rae: Po, bashkësia jonë e përjetshme me Perëndinë është e mira më e madhe. Po, jeta në tokë është e rëndësishme, por nuk është gjëja më e lartë. Prandaj, në kushtet e duhura është në rregull të thuash: Stop! Në thelb ne në të vërtetë po e lëmë atë person të shkojë te Zoti kur marrim vendimin ta ndalojmë trajtimin.
Pra, në atë kuptim ajo mund të ishte një vdekje e mirë? A do ta argumentonit kështu?
Dr. Rae: Po. Nuk ndodh gjithnjë ashtu, por ai është patjetër synimi. Prandaj, t’i vendosësh njerëzit në kujdes paliativ, për shembull, ose në një vend ku trajtimi i vetëm që marrin është për lehtësimin e dhimbjes, ky mund të ishte një opsion i moralshëm.
Kur ekspertët e etikës diskutojnë temën e eutanazisë, një parim që del në mënyrë të përsëritur është principi i shenjtërisë së jetës. Çfarë duan të thonë ata me këtë parim?
Dr. Rae: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Shenjtëria e jetës është interpretuar në shumë mënyra të ndryshme. Kuptimi i saj është që jeta njerëzore ka vlerë të qenësishme, thjesht sepse jemi anëtarë të racës njerëzore. Si rezultat, ne kemi të drejtë të jetojmë dhe kemi të drejtë mbi trupat tanë për të marrë vendime për atë që ndodh me ne, por gjithçka rrotullohet rreth të drejtës për të jetuar. Prandaj, çdo gjë që shkakton në mënyrë të drejtpërdrejtë vdekjen e një personi tjetër të pafajshëm, është moralisht e gabuar. Do të thoshim se qeniet njerëzore kanë një dinjitet thelbësor, të qenësishëm, thjesht ngaqë janë krijuar në imazhin e Perëndisë, pavarësisht aftësisë për të funksionuar.
Përktheu nga anglishtja: Blerta Myrteza