Iftari i Kryeministrit

0
23

Nga Kaon Serjani

Ajo që më bëri përshtypje nga fjala e Kryeministrit gjatë darkës së iftarit ishte veçanrisht kur citoi Jezusin e Biblës me titullin që i jep Kurani.

Ai tha: “siç thotë Hazreti Isa në Ungjill, paqja qoftë mbi të, “ato [tundimet] zbohen vetëm me lutje dhe agjërim”.

“Hazret” është një titull nderues në islam, dhe për Isain (Jezusin) nënkupton nderimin e tij si profet i Allahut. Në Ungjill Jezusi identifikohet si Hyjni (një nga personat e Trinisë së Shenjtë) që mori trajtë njerëzore.

A mund të përmendet Jezusi i Biblës me titullin e Kuranit? Mesa duket, për kryeministrin tonë, që në kë rast po bënë teologun, mund të përdoret. Kjo lë të kuptohet se, për të, Jezusi i Ungjillit mund të ndërshkëmbehet me Hazretin Isa të Kuranit.

Ky përdorim i Shkrimeve të Shenjta fetare, mendoj se ilustron mirë “sheshimin” që u bëhet feve (me ose pa vetëdije është çështje tjetër) në organizimet e darkës së Iftarit nga krerë të institucioneve publike.

(Në teologji kjo qasje ndaj feve quhet “pluralizëm fetar”, dhe është ideja se fetë mësojnë në thelb të njëjtën gjë). 

Konteksti ku e përdori Kryeministri këtë citim ishte tek po komentonte ata njerëz që kundështojnë idenë e shtrimit të darkës së iftarit ME JOMUSLYMANË, në të cilin ftohen të krishterë, jofetarë, agnostikë apo ateistë, etj. 

(Pra, është fjala për ata që kundështojnë jo thjesht organizimin nga pushteti politik të një darke iftari për besimtarët muslymanë, por idenë që aty të ftohen jomuslymanë si një shfaqje vëllazërie mes feve). 

Më vonë në fjalim, Kryeministri i quajti kundërshtarët e kësaj ideje “dashakeqë mendjelehtë, vëzhgues sipërfaqësorë dhe të pandjeshëm ndaj botës shpirtërore”. 

Do të kishte qenë në nderin e kryeministrit të thoshte: “Ne respektojmë ata që e kundërshtojnë këtë praktikë dhe nuk shkojnë kundër ndërgjegjes së tyre. Nuk i gjykojmë aspak”. Kjo do kishte qenë e folur si “jashtë shtetit”. 

Në vend të kësaj, kryeministri i quajti këta kundështarë njerëz plot tundime, që “siç thotë Hazreti Isa në Ungjill, paqja qoftë mbi të, ‘zbohen vetëm me lutje dhe agjërim’.”

[Është problem më vete që citati u përdor jashtë kontekstit: Në Ungjill Jezusi nuk po fliste për tundimet e atyre që tregojnë një shpirt kundërshtimi, por se ishte fjala për dikë që kishte një lloj demoni, i cili “nuk mund të dëbohej ndryshe, përveçse me lutje dhe agjërim». ( Marku 9:25-29).  Apo mos ndoshta kryeministri nënkupton se ata që janë kundër idesë se një organizimi të darkës së iftarit (bashkë me të ftuar jomuslymanë) janë të demonizuar?]

Ky citim nga Kryeministri mbase tregon shumë se si i kupton ai vet ose se si kuptohet nga pushteti politik në vendin tonë besimi fetar, dhe se çfarë nenkuptohet me shtrimin e darkës së iftarit si një shenjë e vëllazërisë midis besimtarëve të feve të ndryshme apo midis besimtarëve dhe atyre që nuk besojnë. 

“Të marrim pjesë për hir të vëllazërisë!”, “Bashkohu edhe nëse nuk e beson” apo “Ulu në tavolinën e Iftarin edhe nëse nuk agjëron!”- bëri thirrje Kryeministri. 

Sigurisht që janë ndërtuese darkat e vëllazërisë mes ndjekësve të besimeve të ndryshme, por pse duhet vëllazëruar në një darkë iftari? Apo qoftë ajo në një darkë Pashke? A nuk mund të festohet vëllazëria si shqiptarë jashtë një feste fetare?

Çfarë vlere ka ta marrësh pjesë në tavolinën e darkës së iftarit po të jesh i një besimi tjetër: i krishterë, budist, apo po të jesh ateist? Nëse dikush nuk ka agjëruar sipas kritereve të Islamit, ajo darkë nuk mund të jetë darkë iftari. Në këtë rast, a nuk kthehet një thirrje për shtirje? 

E nëse ka vërtetë vlerat e një darke iftari, a ka kuptim t’i kërkohet të krishterit, budistit apo ateistit të ulet në atë tavolinë ngrënie? A nuk do të ishte një dhunim i ndërgjegjes për atë që e bën? 

Kjo mbase do të ishte e ngjashme sikur t’i kërkoje mulsymanëve, budistëve dhe ateistëve të marrin Kungimin (bukën dhe verën) në shenjë vëllazërie me të krishterin. Në Bibël është e qartë që kungimi është vetëm për besimtarin e krishterë (1 Kor. 11:27-30). 

Motivi i kryeministrit mund të jetë i mirë, për të mbrojtur shoqërinë nga konfliktet fetare (Disa do të thoshin se ai e kushdo politikan tjetër e bën vetëm për vota.. por unë nuk kam ndonjë qëllim politik këtu). Por, edhe duke supozuar motivin më të mirë, me çfarë kostoje bëhet? Me koston e lartë të mohimit të ndërgjegjes. Pra, edhe po të ishte i sinqertë Kryeministri (e po kështu kryetarët e bashkive që shtrojnë darka të të njëjtës natyrë), do të ishte sinqerisht gabim. 

Fishta tha: “Vërtet kemi Bajram dhe Pashkë, por shqiptarinë i kemi bashkë”. 

Nëse do e merrnim për bazë këtë thënie të Fishtës që na nxit për vëllazëri, po na thotë se bashkë kemi shqiptarinë, jo Ramazanin apo Bajramin, jo Kreshmën apo Pashkën. 

Ato janë praktika dhe festa fetare që i kemi veçmas, secili sipas besimit të vet. Përndryshe nuk do të kishte kuptim të kishte as myslimanë e as të krishterë, dhe besimi ynë do të ishte një sinkretizëm i çuditshëm, emri i të cilit vështirë të gjendet.

Thirrja ndaj jomuslymanëve për të marrë pjesë në darkë iftari, së paku është thirrje për shtirje, e për të tjerë është një thirrje për të kryer sakrilegj. 

Dhe, kultivimi i secilës ka rrezikun t’i çojë ndërgjegjen dhe shpirtin e njeriut në thëllësira të atilla që pastaj nuk u bën dot derman as lutja e as agjërimi.