“I krishteri kulturor” Richard Dawkins

0
18

Nga Kaon Serjani

Në një intervistë me gazetaren Rachel Johnson në LBC (London Broadcasting Company), një nga të ashtuquajturit “4 kalorësit e Ateizmit të Ri”, profesori i biologjisë evolucionare dhe autori i shumë librave të shumeshitur si “The Blind Watchmaker”  (1986) apo “God Delusion” (2006), profesori Richard Dawkins, e quajti veten “të krishterë kulturor” dhe tha se ai do të donte që shoqëria britanike të mbante në themel të saj një kulturë të krishterë.

Nuk është hera e parë që ateisti Dawkins bën një deklaratë të tillë dhe, ndaj, nuk duhet kuptuar si një braktisje e ateizmit dhe afrim me Krishterimin.

Megjithatë, ajo që e bën të vecantë këtë deklaratë të Dawkins është fakti që u pasua nga një përgjigje e qartë krahasuese nëse ai do të duhej të zgjidhte mes dy besimeve, Krishterimit dhe Islamit, jo si besim personal, por si botëkuptim për shoqërinë. Dawkins tha se do të zgjidhte gjithmonë Krishterimin.

Krishterimi është një fe më e denjë se Islami, tha Dawkins, dhe renditi disa arsye. Sipas tij, mësimet e Islamit (jo domosdoshmërisht besimtarët myslimanë) janë armiqësore ndaj komunitetit LGBT dhe ndaj të drejtave të grave.

Unë nuk do të komentoj mbi këtë krahasim, por dua të komentoj nëse Dawkins ka të drejtë morale që nga njëra anë të jetë armiqësor ndaj Krishterimit si doktrinë, siç është përpjekur këto 20 vitet e fundit, dhe, nga ana tjetër, të bëjë thirrje për ruajtjen e kulturës së krishterë në shoqërinë britanike.

Në librat e tij Dawkins është tallur me konceptin e krishterë të Zotit; akoma edhe sot ai i quan “nonsense’ ato që besojnë të krishterët; ka bërë vazhdimisht fushatë të pamëshirshme kundër rolit të krishterimit në jetën publike; si dhe deklaron me krenari se numri i njerëzve që shkojnë në kishë në Britani po bie.

Nga ana tjetër, ai bën thirrje që të ruhen vlerat e krishtera që ndikojnë kulturën e shoqërisë britanike.

A është e mundur që të kesh edhe njërën edhe tjetrën? Një gazetare iu pergjigj Dawkinsit përmes një artikulli në gazetën Telegraf duke thënë se “Mbijetesa e kulturës së krishterë në shoqërinë britanike varet nga ata që ushqehen me “nonsenset” e Krishterimit.” Pra si të thuash, besimtarët  janë ata që do përcjellin vlerat e krishtera në shoqëri, dhe në mungese të tyre kush do i zbatojë vlerat në jetën shoqërore?

Në fakt, nuk ka shoqëri me vlera neutrale. Ikja nga një besim do të zëvendësohet me diçka tjetër, dhe, rrjedhimisht, vlerat e reja do pasojnë. Vlerat e krishtera do vazhdojnë për sa kohë do ketë të krishterë që besojnë doktrinat themelore të krishtera që Dawkins kundërshton. Në këtë kuptim, mendoj se Dawkins është kontradiktor.

Jam i mendimit se filozofi ateist gjerman i shekullit të 19-të, Fridrih Niçe, ishte më konsistent se Dawkins në lidhje me atë se çfarë pritej t’i ndodhte shoqërisë Europiane kur “vdes” Zoti i Krishterë (në kuptimin kur hiqet dorë nga besimi i krishterë dhe i vlerave që rrjedhin nga ai besim).

Për shembull, nëse Dawkins vlerëson vlerën e përulësisë në qytetërimin perëndimor, shumë historianë pohojnë se kjo vlerë është e rrënjosur në figurën e Krishtit që e quajti veten Zot dhe u bë njeri. Edhe pse ishte mësuesi, ua lau këmbët nxënësve të tij. Dhe duke e mbajtur veten si Perëndi të Shenjtë, vdiq në kryq për mëkatarët.

A është e mundur të refuzohet koncepti i krishterë për Zotin, siç paraqitet në figurën e Krishtit, dhe në të njëjtën kohë të ruhet kjo shkallë përulësie në kulturën e Perëndimit? Niçja do të thoshte absolutisht jo.

Sipas tij, meqë Zoti i krishterë vdiq, ne duhet të heqim dorë edhe nga vlerat që burojnë prej tij. Ai ka një fragment në librin e tij “Antikrishti” ku komenton pikërisht këtë nocion të përulësisë së Zotit të krishterë, duke e cilësuar si një “zvogëlim të hyjnores” dhe e përbuz.

Për Niçen, meqë Zoti vdiq, ne duhet të shpallim të vdekur gjithçka që qëndronte me Të. Edhe pse nuk jam aspak dakord me qëndrimin e Niçes, megjithatë, mendoj se ai tregon integritet intelektual më të madh se Dawkins.

Nëse mund të përdor një analogji për të thjeshtuar kuptimin, është njësoj sikur dikush të thoshte: “Dua ta mjel lopën edhe pasi të ketë ngordhur”. Kaq e palogjikshme më duket kur Dawkins bën thirrje “të ruajmë kulturën e krishterë por heqim dorë nga besimi në krishterim”.