Si është Zoti?

0
4

“Si është Zoti? Si ta përshkruajmë Atë? Cilat janë karakteristikat apo atributet që Ai ka?”

Është shumë e rëndësishme për ne si të Krishterë të kemi përgjigje të mira për këto pyetje. E them këtë për tre arsye.

Së pari, njohja me atributet e Zotit na mundëson të mbrojmë qëndrueshmërinë e teizmit. Shumë kundërshtime të sotme për ekzistencën e Zotit bazohen në pamundësinë që Zoti të ketë disa atribute të caktuara. Për shembull, problemi i së keqes zakonisht shprehet në këtë mënyrë: 

“Nëse Zoti  do të ishte plotësisht i mirë, Ai do të donte ta pastronte botën nga e keqja dhe nëse Zoti do të ishte plotësisht i fuqishëm, Ai do të ishte i aftë ta pastronte botën nga e keqja. Por, siç e dimë të gjithë, e keqja ekziston në botë. Prandaj, Zoti nuk është në të vërtetë plotësisht i mirë ose Zoti nuk është vërtet i plotësisht i fuqishëm. Ai nuk mund t’i ketë të dyja këto atribute”. 

Një shembull tjetër kundërshtimi bazuar në atributet e Zotit merr formën e pyetjes: 

“Nëse Zoti është plotësisht i fuqishëm, a mund të krijojë një gur aq të rëndë sa ai vetë të mos e ngrejë dot? Nëse mundet, atëherë Ai nuk është plotësisht i fuqishëm. Në mënyrë të ngjashme, nëse nuk mundet, atëherë ai nuk është i plotësisht i fuqishëm. Në secilën mënyrë, vetë koncepti i një Perëndie plotësisht të fuqishëm nuk ka kuptim.” 

Por nëse vetë koncepti  i Zotit është jokoherent, atëherë kjo sjell si rrjedhojë që Ai nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë. Prandaj, është absolutisht kritike që i krishteri të jetë në gjendje të mbrojë qëndrueshmërinë e teizmit – pra, koncepti i Zotit të karakterizuar nga këto atribute të caktuara është një mendim i qëndrueshëm, logjik dhe konsistent. Prandaj, kjo është një pjesë thelbësore e teologjisë filozofike.

Arsyeja e dytë përse duhet të kuptojmë atributet e Zotit është se ato janë përcaktuese për gjithë sistemin e mendimit të krishterë. Për shembull, marrim doktrinën e shlyerjes. Kjo doktrinë pohon se kur Krishti vdiq në kryq, Ai pagoi dënimin për mëkatet tona. Por, vëreni se shlyerja është drejtpërdrejtë e lidhur me atributet morale të drejtësisë dhe mëshirës së Zotit. Nëse Zoti nuk do të ishte i drejtë, atëherë nuk do të kishte ndonjë dënim për mëkatin. Pra, nuk do të kishte nevojë për shlyerje për mëkatet tona. Dhe nëse Zoti nuk do të ishte i mëshirshëm, nuk do të na lejonte t’i shpëtojmë ndëshkimit që meritojmë për mëkatet që kemi bërë. 

Mund të hedhim një vështrim edhe te doktrina e Providencës së Zotit, e cila thotë se çdo gjë që ndodh në univers ndodh nën udhëzimin dhe kontrollin e Zotit. Është thelbësore për Providencën e Zotit që Ai të ketë paranjohje për të ditur veprat e lira të njerëzve në të ardhmen. Por disa njerëz deklarojnë se Zoti nuk mund të paradije gjëra të tilla dhe për rrjedhojë, nuk është i gjithëdijshëm. Kjo nënvlerëson të dyja Perfeksionin Hyjnor dhe doktrinën e Providencës. Pra, njohja e atributeve të Zotit na ndihmon të kuptojmë më mirë doktrinën e Krishterë.

Arsyeja e tretë përse atributet e Zotit meritojnë kohën dhe vëmendjen tonë është më qëllim që ne të njohim Zotin, duhet të dimë rreth Zotit. Kuptimi ynë mbi atë që se kush Zoti është ndikon në mënyrën se si lidhemi me të. Kjo është e vërtetë edhe për marrëdhënjet tona njerëzore gjthashtu. Për shembull, nëse e dini që dikush është plotësisht i besueshëm, do të keni një marrëdhënie ndryshe me të krahasuar me atë që do të kishit nëse nuk do ta dinit. Në të njëjtën mënyrë, kur e kuptoni që Zoti është plotësisht i mirë, i gjithëditur dhe plotfuqishëm ka më shumë gjasa që ta besoni atë me jetën tuaj. 

Njohja e thellë e atributeteve të Zotit thellon adhurimin tonë ndaj Tij. Për shembull, shumica e të krishterëve pajtohen lehtë me faktin se Zoti është i gjithëditur. Por kur shkojmë më tej, do të shohim se Zoti jo vetëm di gjithçka që ndodh, por ai gjithashtu ka edhe njohuri hipotetike ose të mesme – kjo do të thotë që ai di gjithçka që do të kishte ndodhur nëse rrethanat do të kishin qene ndryshe. Po me tepër, gjithçka që Zoti e di, Ai e di nga vetja, prej së brendshmi. Ai nuk mëson, perceton ose analizon në të njëjtën mënyrë si ne. Është thjesht natyra e Tij që të dijë të gjitha të vërtetat. Kjo është e mahnitshme. Sa më shumë kuptojmë se si është Zoti, aq më shumë mrekullohemi prej Tij.

Kështu që, kemi arsye të fuqishme për të eksploruar atributet e Zotit. Ndërkohë që e bëjmë këtë, dy kontrollorë e mbikqyrin eksplorimin tone: Shkrimi i Shenjtë dhe teologjia e Qenies Perfekte. Për mendimtarët në traditën e Krishterë-Hebraike, vetë-zbulimi i Zotit në Shkrim është autoriteti suprem në formulimin e një doktrine të Zotit. Doktrinat kundër mësimeve Biblike janë të papranueshme teologjikisht. Megjithatë, teologët filozofikë kanë arritur të vlerësojnë se ka shumë pyetje rreth natyrës së Zotit që nuk janë përgjigjur qartë në Shkrim.  

A e tejkalon Zoti hapësirën apo e mbush atë? A mundet të bëjë Zoti atë që është logjikisht e pamundur? A është Zoti i pavarur nga koha apo i varur me kohën? A është Zoti në mënyrë unike, vetë-ekzistent dhe i përjetshëm, apo ka edhe qenie të tjera që i kanë këto cilësi? Bibla nuk merret me këto pyetje. Nëse ato duhet të përgjigjen, përgjigja duhet të vijë nga teologjia filozofike, jo nga ajo biblike.

Ati i Kishës së hershme, Augustini, e konceptoi Zotin si qenien më të madhe në ekzistencë. Por ky konceptim i Zotit nuk është i mjaftueshëm, sepse nuk përjashton mundësinë që Zoti të jetë i papërsosur në mënyra të ndryshme. Qenia më e madhe në ekzistencë mund të jetë, për shembull, i kufizuar në mirësinë, njohurinë dhe fuqinë e Tij. Në të kaluarën, Zeusi është konceptuar ndoshta nga paganët e lashtë si qenia më e madhe që ekzistonte, por një qenie e tillë e kufizuar dhe dhe plot difekte, vështirë se na e referon veten si të denjë për adhurim. Në fakt, kur mendojmë për këtë, edhe ateizmi është i përputhshëm me ekzistencën e qenies madhështore në botë

Ishte Teologu i Mesjetës, Anselmi i Kantuarebisë, që e coi kuptimin tonë për Zotin një hap më tej, dhe ky është një hap i domethënës. Ai e konceptoi Zotin jo vetëm si qenien më të madhe në ekzistencë, por e pa Zotin si qenien më të madhe që mund të konceptohet, si qenia më e madhe që mundet të ekzistojë. Sepse, nëse do të ishte e mundur të konceptohej një qenie më e madhe se Zoti, atëherë ajo do të ishte Zoti. Pra, domosdoshmërisht, Zoti është qenia më e madhe që mund të konceptohet. Ky është një dallim i rëndësishëm. Kjo do të thotë që nuk ka mundësi për një realitet tjetër përtej Zotit ndaj të cilit ai është inferior apo i nënshtruar. Nuk mund të ketë një marrës më të denjë të adhurimit njerëzor. Vetëm Zoti është i denjë për adhurim. Nuk ka hapësirë për përmirësim. Zoti ka të gjitha cilësitë që e bëjnë një qenie madhështore dhe Ai i ka ato në shkallën maksimale të mundshme. Kjo është ajo që nënkuptojmë kur themi se Zoti është i përsosur.

Kështu që, mendimi i filozofëve të Krishterë rreth atributeteve të Zotit është udhëhequr jo vetëm nga Shkrimi i Shenjë, por edhe nga Teologjia e Qenies Perfekte. Pra, nga njëra anë, Shkrimi na informon rreth cilësive të Zotit që e bëjnë atë madhështor– Ai është jofizik, i kudogjendur, i përjetshëm,vetëekzistent, i gjithëdijshëm dhe kështu me radhë. Nga ana tjetër, Teologjia e Qenies Perfekte udhëzon mendimin tonë rreth këtyre cilësive. Ato duhet të interpretohen dhe të merren parasysh në mënyrë që ta konceptojmë Zotin si qenien më madhështore të mundshme.

Në videot që do të vijojnë në këtë seri, do të eksplorojmë disa nga atributet më të rëndësishme që tradicionalisht i atribuohen Zotit. Shpresa ime është që kjo studim do t’ju mundësojë të mbroni më mirë qëndrueshmërinë e ideve për Zotin, të sqaroni kuptimin tuaj mbi doktrinën e Krishterë dhe të thelloni marrëdhënien tuaj personale me Zotin.

“Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme.”(Psalmi 145:3)