A është e mundur të njihet Perëndia?

0
2

Po mirë, “kush”…ose “çfarë”…është “Perëndia”?

Realiteti suprem i hinduizmit ose budizmit është ‘i pafundëm…por jo personal’, kurse perënditë e grekëve dhe romakëve ishin ‘personalë…por jo të pafundëm’. Por Bibla e përshkruan Perëndinë edhe si të pafundëm, edhe si personal. Kur e përshkruajmë Perëndinë si të pafundëm, ne duam të themi që, për shembull: Perëndia është i përjetshëm, ekzistenca e Tij nuk ka patur kurrë fillim dhe nuk ka për të patur kurrë fund. Ai kapërcen kohën dhe hapësirën, duke e sjellë kohën dhe hapësirën në ekzistencë në momentin e krijimit. Ai nuk është fizik apo material, përkundrazi, Ai është një mendje e pakufizuar, e pakrijuar, me fuqi të pafund. Por edhe pse i pafund, Perëndia është gjithashtu personal. Ai ka mendje, ndjenja, vullnet dhe liri morale, të gjitha cilësitë thelbësore të një personi, dhe e ka secilën prej tyre në një shkallë të pafund. Për shembull, ai është i gjithëdijshëm, ai i njeh të gjitha faktet dhe të gjitha të vërtetat. Ai është gjithashtu moralisht i përsosur, kështu që, jo vetëm që nuk ka asnjë gjurmë ligësie në të, por Ai vetë është burimi dhe standarti i mirësisë morale. Po ç’lidhje mund të ketë midis teje dhe këtij Perëndie të pafund dhe personal? Këtu duhet të marrim në konsideratë 4 të vërteta:

  1.       Perëndia të do ty dhe të ka krijuar që ta njohësh atë personalisht.

Dashuria e pafund dhe pa kushte është në natyrën e Perëndisë. Merr parasysh keto vargje nga Bibla: Romakëve 5:8.  Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. 1 Gjoni 4:19. Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari. Gjoni 3:16 Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Meqënëse dashuria dëshiron më të mirën për objektin ku është fokusuar, Perëndia dëshiron të mirën më të madhe për ty, por Perëndia vetë është e mira më e madhe për ty. Prandaj Ai dëshiron që ti të kesh një marrëdhënie personale me Të. Në fakt, kjo është arsyeja përse ti ekziston. Por ka një problem . . . 

  1.       Njeriu është mëkatar dhe i ndarë nga Perëndia.

Bibla e përshkruan në këtë mënyrë gjendjen tonë të vështirë: “Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua.” Romakëve 1:20-21 

Ne të gjithë kemi bërë gjëra, duke e ditur që janë të gabuara. Çështja nuk është se NDIHEMI fajtorë, në të vërtetë ne JEMI fajtorë. Por meqënëse Perëndia është moralisht i përkryer, qeniet mëkatare nuk mund t’i afrohen atij. Për këtë arsye, Perëndia përballet me një dilemë. Për shkak se Ai është i DREJTË, kërkesat e drejtësisë së Tij duhet të përmbushen, në rastin tonë kjo nënkupton vdekjen. Por, për shkak se është DASHURI, Ai ndjen dhembshuri për ne. Ai dëshiron që secili prej nesh të pajtohet me Të. A mendon se je i/e pajtuar me Perendinë?

  1.       Zgjidhja e Perëndisë është Jezus Krishti.

Përmes ngjarjes më të madhe të të gjitha kohërave, Perëndia hyri në historinë njerëzore. Megjithëse ishte Perëndi, Jezus Krishti ishte njëlloj me ne në çdo drejtim, përvec faktit që Ai ishte pa mëkat. Ai jetoi një jetë të përkryer, që do të thotë se atij nuk i duhet të paguajë dënimin për mëkatin e vet. Gjithsesi, me vullnet të lirë Ai zgjodhi të vdiste në vendin tonë, të paguante dënimin me vdekje që meritojmë ne për mëkatet që kemi kryer. Ajo që ndodhi në kryq ishte transaksioni më madhështor në histori. Mëkatet e mia u vendosën mbi Krishtin, Ai vuajti dënimin me vdekje në vendin tim. Në vend të tyre, drejtësia e Krishtit dhe përsosmëria e Tij morale u vendosën mbi ne. Më pas, kur Krishti u ringjall nga vdekja, theu pushtetin e mëkatit, vdekjes dhe ferrit njëherë e përgjithmonë. Perëndia lëvizi qiellin dhe tokën për të restauruar marrëdhënien tonë me Të.  Tani është rradha jote . . . 

  1.       Ne duhet ta pranojmë Krishtin personalisht si Shpëtimtarin dhe Zotin tonë.

Ka një ndryshim të madh midis “të besosh në këtë ide” dhe “të besosh NË të”. Nuk mjafton të dini që KËTO fakte janë të vërteta, ju duhet të ndërmerrni hapin e rradhës dhe të “besoni NË” Jezus Krishtin. Kjo do të thotë t’ia përkushtoni jetën tuaj Atij si Zotit dhe Shpëtimtarit tuaj. Ne nuk mund të bëhemi mjaft të mirë për të fituar faljen e Perëndisë. Gjithçka që mund të bëjmë është të biem dakort përulësisht me Perëndinë që, po, ne jemi mëkatarë dhe nuk mund ta shpëtojmë vetveten, dhe me mirënjohje të pranojmë dhuratën e faljes së Perëndisë në Jezus Krishtin. Perëndia dëshiron të transformojë jetën tënde, të të bëjë ty atë person që Ai kishte për qëllim që nga fillimi. Kjo përfshin ndjekjen e Jezusit si Zotin tënd. Është e mundur ta njihni Perëndinë si një realitet personal në jetën tuaj. Përse të lejosh ndonjë gjë të të pengojë? Pikërisht tani, ai është i gatshëm të të japë dhuratën e faljes dhe të jetës së re në Jezus Krishtin.

 A je gati për ta pranuar atë?

Perëndi, të lutem më fal për të gjitha gjërat e gabuara që kam bërë. Unë zgjedh të largohem nga mëkati im dhe të kthehem tek Ti që je shpresa ime e vetme. Unë të ftoj ty në jetën time si Zotin dhe Shpëtimtarin tim. Unë të përkas ty. Më mbush me Shpirtin tënd të Shenjtë dhe më jep fuqi që të jetoj një jetë të re në Jezus Krishtin. 

Burimi: Reasonablefaith.org