“Si i mbijetova abortit?” – Dëshmi e jashtëzakonshme e Gianna Jessen

0
190

 

Emri im është Gianna Jessen, dhe dua t’ju falënderoj shumë për mundësinë për të dëshmuar sot këtu.

Nëna ime biologjike ishte 7 muaj e gjysmë shtatzënë kur shkoi në një klinikë të Planifikimit Familjar (Planned Parenthood), ku e këshilluan të kryente abort të vonë me solucion kripërash alkaline. Kjo metodë e djeg foshnjën nga brenda e nga jashtë, duke i shkaktuar verbëri dhe asfiksi. Më pas, fëmija lind i vdekur, zakonisht brenda 24 orëve. Duhet të kemi një fotografi për ta dëshmuar këtë. Ja, kësaj i kam mbijetuar unë. Në vend që të vdisja, pas 18 orësh djegie në mitrën e nënës sime, unë linda e gjallë në një klinikë abortesh në të Los Anxhelosit më 6 prill 1977. Këtu mund të shihni edhe një fotografi të raporteve të mia mjekësore, të cilat thonë:

“E lindur gjallë gjatë një aborti me solucion kripërash alkaline, ora 6 e mëngjesit.”

Fitore! Fatmirësisht,

mjeku i aborteve nuk kishte mbërritur ende në punë, sepse po të kishte qenë do t’i kishte dhënë fund jetës sime me anë të mbytjes, asfiksisë ose duke më lënë aty që të vdisja. Përkundrazi, një infermiere thirri ambulancën dhe më dërguan me nxitim në spital. Doktorët nuk prisnin që unë të jetoja, por ja që ia dola. Më pas më diagnostikuan me paralizë cerebrale, e shkaktuar nga mungesa e oksigjenit në tru gjatë mbijetesës nga aborti. Nuk pritej kurrë që të mund të ngrija kokën apo të ecja, por ja që e bëra. Dhe mund t’ju them, zonja e zotërinj, se paraliza cerebrale është një dhuratë e jashtëzakonshme për mua.

Më pas më vunë në shërbimin e familjeve kujdestare, e më vonë më birësuan. Më dëgjoni mirë kur ju them se e fal nënën time biologjike. Brenda vitit të parë të lindjes, jam përdorur si dëshmitare ekspertize në rastin e një mjeku të aborteve i cili ishte zënë teksa mbyste një fëmijë për t’i shkaktuar vdekjen pasi kishte lindur i gjallë.

Margaret Sanger, themeluesja e Planifikimit Familjar, ka thënë se “Gjëja më e mëshirshme që një familje e madhe mund t’i bëjë njërit prej pjesëtarëve të saj të mitur është ta vrasë.”

Planifikimi Familjar nuk ka turp për çfarë ka bërë, as për çfarë vazhdon të bëjë. Por ne do të japim llogari si komb para Perëndisë për apatinë tonë dhe për vrasjen e mbi 50 milion fëmijëve në mitër. Sa herë na mungon guximi si individë dhe nuk arrijmë të përballemi me këtë ligësi, pyes veten sa jetë kanë humbur në heshtjen tonë, ndërkohë që sigurohemi të fitojmë lëvdatat e njerëzve e të mos fyejmë askënd.

Sa fëmijë kanë vdekur, janë copëtuar e janë shitur si pjesë për egon, leverdinë dhe shthurjen tonë?

Sa Lamborghini janë blerë me gjakun e fëmijëve të pafajshëm, gjakun që nga dheu i thërret Zotit, si gjaku i Abelit? Ai nuk e ka harruar asnjërin prej tyre, zonja dhe zotërinj.

Do të doja t’i bëja këtë pyetje Planifikimit Familjar, tani që kanë kaluar 38 vjet: “Nëse aborti ka të bëjë me të drejtat e grave, po të drejtat e mia cilat ishin?” Ju përdorni vazhdimisht argumentin se, nëse fëmija është me aftësi të veçanta, duhet t’i japim fund shtatzënisë, a thua se e keni ju në dorë të përcaktoni cilësinë e jetës së dikujt. A ka më pak vlerë jeta ime për shkak të paralizës cerebrale? Në arrogancën dhe lakminë tuaj, ju nuk keni qenë në gjendje të kuptoni një gjë: se shpeshherë mençurinë e mësojmë prej më të dobëtëve mes nesh. Mençuria i mungon kaq shumë kombit tonë sot, dhe janë pikërisht çmenduria dhe turpi ynë që na verbojnë për të mos parë bukurinë në vështirësitë e jetës.

Planifikimi Familjar përdor mashtrimin dhe manipulimin me anë të gjuhës dhe parullave, si “E drejta e gruas për të zgjedhur”, që kështu të arrijnë qëllimet e tyre monetare. Me citimin vijues, dua t’ju tregoj sa mirë e vënë në punë këtë teknikë:

“Perceptimi i masave është shumë i kufizuar. Ata kanë inteligjencë të ulët, por forcë të pamasë harrese. Për pasojë të këtyre fakteve, gjithë propaganda efektive duhet të kufizohet në shumë pak pika që do të dërdëlliten me anë parullash derisa edhe anëtari i fundit i publikut të kuptojë çfarë doni ju që të kuptojë nga parulla juaj.” Adolf Hitlerit.

Ne dëgjojmë shpesh se, nëse Planifikimit Familjar i ndërpriten fondet nga shteti, një krizë shëndetësore do të godiste gratë pa shërbimet e ofruara prej tyre. Por kjo është tërësisht e rreme! Burime në ndihmë të shtatzënisë gjenden në të gjithë vendin si opsione për gratë në krizë. Të gjitha shërbimet e ofruara prej tyre janë falas dhe në mirëbesim. Ato mund t’i kontaktoni duke çuar mesazh në Hopeline-2-3-1-3-1-3-1. Ka shumë mundësi qasjeje ndaj ekzaminimeve jetike për gratë, e nuk është vetëm Planifikimi Familjar. Ne nuk jemi një komb që na mungojnë opsionet.

Planifikimi Familjar përfton 500 milion dollarë në vit nga paratë e taksapaguesve, para që përdoren pikë së pari për të shkatërruar e copëtuar fëmijët. Mos më thoni se këta nuk janë fëmijë! Këtë e vërteton rrahja e zemrës. E vërtetojnë ultratingujt. E vërtetoj edhe unë. Këtë e vërteton edhe fakti se ata po shesin organe njerëzore për përfitim. Mos më thoni që kjo çështje u përket vetëm grave!

Duhet një burrë e një grua për të krijuar një fëmijë, dhe pikërisht për këtë arsye, dua t’u flas edhe burrave që po më dëgjojnë. Ju jeni krijuar për madhështi. Ju keni lindur për t’i mbrojtur gratë dhe fëmijët, jo për të na përdorur e pastaj të na braktisni, as që të rrini ulur mënjanë kur e dini se po na dëmtojnë. Unë ju kërkoj të tregoheni trima!

Si përfundim, më lejoni t’ju them se unë jam gjallë vetëm për shkak të fuqisë së Jezus Krishtit, në të Cilin jetoj, lëviz dhe ekzistoj.

Pa Atë nuk do të kisha asgjë, por me Të kam gjithçka.

Faleminderit.

 

Përktheu : Brunilda Rustani

 

Shiko videon “Pjatat që bien”!