Nga Kaon Serjani
Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Paris 2024 na e shiti si art shfaqjen me “Drag Queens” që shëmbëllen pikturën “Darka e Fundit” të Leonardo Da Vinçit.
Çfarë kriteresh përmbushte ajo shfaqje që të cilësohet e bukur, ose një vepër arti? Mendoj se është e vështirë të dallosh ndonjë kriter tjetër përveç “shokut”. “Arti i shokut” është ajo rrymë e artit bashkëkohor që përfshin imazhe për të krijuar një përvojë tronditëse. Sigurisht, shikuesi tronditet kur si imazh i Jezusit i jepet një grua e shëndoshë dhe kur apostujt e tij duken transgjinorë. Shumë kritikë e cilësojnë këtë lloj “arti” si ndotje kulturore. Nëse te vepra e Da Vinçit mund të dallosh harmoninë e ngjyrave, besnikërinë historike dhe elementet e transhendentes, në shfaqjen e ‘shokut’ne pamë pikërisht të kundërtën: mungesë harmonie, shkatërrim të historisë dhe elemente që ushqejnë veç instinktet tona në këtë botë.
Nëse dikush e ka parë dokumentarin e Roger Scruton “Why Beauty Matters?” shfaqur në BBC në vitin 2009, është mjaft i orientuar për të kuptuar degradimin e artit bashkëkohor në Europë.
Në dokumentar, mes shumë referencave, Scruton citon edhe Platonin, i cili tha se bukuria është një vizitore nga një botë tjetër, që është e pastër, e rregullt dhe e përsosur. Dhe, si e tillë, qëllimi i bukurisë është të na drejtojë për diku, si të thuash, të gjejmë ngushëllim, ose të transportohemi mendërisht dhe shpirtërisht jashtë mizorisë, kaosit dhe papastërtisë së botës sonë. Më duket me vend ky nocion për të bukurën. Në fakt, ne e dallojmë kur diçka është e bukur. Ne jemi të tërhequr nga ajo sepse na pëlqen harmonia. Ndoshta ne shohim tek ajo diçka që i mungon të brendshmes sonë. Bukuria shpesh mund të na shfaqet si një kujtim i largët ose si diçka që ne aspirojmë, ose të dyja.
Nëse ky kuptim i së bukurës që duhet të vijë prej artit është i saktë, atëherë si shpjeghet kur dikush pëlqen diçka të shëmtuar? Pra, pse ka njerëz që mund të duartrokasin një shfaqje me “Drag Queens”? Si mund të jetë e pëlqyeshme edhe Da Vinçi edhe anti-Da Vinçi? Në dokumentarin e BBC-së, Scruton flet me artistë që bëjnë “Shock Art” dhe kur i pyet nëse krijimi i tyre është i bukur, ata shpesh thonë po, sepse ata e cilësojnë si të tillë. Pionieri i “Artit të Shokut”, francezi Marcel Duchamp, i cili në vitin 1917 ekspozoi një uturak dhe e quajti vepër arti, sot ka dishepujt e tij në artin bashkëkohor. Sipas Duchamp “Një objekt i zakonshëm ngrihet në dinjitetin e një vepre arti nga zgjedhja e thjeshtë e një artisti”. Me këtë cilësi, një shfaqje, një pjesë muzikore, një pikturë, një skulpturë etj., mund të quhet “vepër artistike” me zgjedhjen e artistit dhe jo në bazë të kritereve objektive të së bukurës. Më duket se Duchamp është për artin siç ishte Friedrich Nietzsche për filozofinë morale, i cili ia hoqi objektivitetin vlerave dhe i dha atë atribut subjektit, njeriut.
Por si mund të pëlqehet diçka e shëmtuar? Epo, nëse cilësitë se çfarë është e bukur apo e shëmtuar nuk i gëzon vetë objekti, por është një atribut i artistit, atëherë kjo bëhet e mundur. Bukuria në këtë rast është një cilësi që ia vendos artisti me zgjedhjen e vet. Ashtu si dikush do të ndjente lirinë të përcaktote se çfarë është e mirë apo e keqe. Pikërisht këtë kishte parasysh Nietzsche për moralin kur tha “përtej së mirës dhe së keqes”.
Nëse ka simetri mes të bukurës, rregullit dhe të moralshmes, po ashtu duhet të ketë simetri mes të shëmtuarës, kaosit dhe të pamoralshmes. Nëse ky paralelizëm është me vend, besoj se për filozofë si Platoni të pëlqesh shëmtuarën do të ishte një akt imoral.
Në këtë kontekst, nëse na pëlqen e bukura sepse ajo na çon në një realitet që ne aspirojmë, mbase të pëlqesh të shëmtuarën është një dëshirë e shtrembëruar për të shkuar në drejtim të kundërt, drejt diçkaje që ka më shumë nga ajo se si jemi tani. Si të thuash, është një zgjedhje për më shumë kaos dhe jo rregull, instikt dhe jo transhendencë, pështjellim dhe jo kuptim.
Ne kemi mjaft shëmti rreth nesh. Na duhet art i vërtetë. Kemi nevojë për bukurinë që na nxjerr nga balta e mizorisë, kaosit shpirtëror dhe instinkteve shtazarake. Kemi nevojë për artin që na transporton në një botë tjetër dhe që qëndron si kundërpeshë e asaj që shkon keq me këtë botë.