
Nga Brunilda Rustani
Shën Valentini (226-269 pas lindjes së Krishtit sipas historisë kishtare) ishte një besimtar i krishterë me sa duket me një pozitë të rëndësishme në bashkësinë e krishterë të kohës, përderisa sot e shohim si një figurë të katolicizmit, i cili në atë kohë nuk ishte ende besimi zyrtar i Perandorisë Romake. (Kushdo që më njeh e di se nuk kam asgjë kundër katolicizmit, përkundrazi; thjesht është një zhvillim historik i mëvonshëm.) Paganizmi vijonte ende si feja kryesore e Perandorisë, ose më mirë të themi si mekanizmi me anë të të cilit Perandorit i ndërroheshin disa shkronja dhe thirrej Perëndi. (E njëjta gjë si në ditët tona: krishterimit i ndërrohen shumë shkronja, i fshihet Zoti, mëkati dhe përjetësia si koncepte, e kështu socializmi mbjell e ruan një grimcë pranueshmërie mes masave.) Në kohën e Shën Valentinit, perandor ishte Klaudiusi i Dytë, i cili nuk kishte shumë ndryshim nga i pari (anëtar i “trinisë së pashenjtë” pagane Kaligula – Klaudius – Neron) kur bëhej fjalë për paranojën kundër të krishterëve dhe për masa… drastike kundër përhapjes së krishterimit.
Ka shumë versione e legjenda në lidhje me personin e Shën Valentinit, por një përmbledhje gjithë-përfshirëse do të ishte si kjo: Perandori kishte vendosur një ligj përmbi atë natyror e hyjnor që ushtarët e tij të mos martoheshin, edhe nëse gjenin vajzën e ëndrrave të tyre. Kjo sepse, sipas tij, një ushtar beqar nuk kishte shqetësimin e një të martuari kur shkonte në luftë, nuk frikësohej sa një i martuar për vdekjen duke menduar për familjen e tij, dhe ishte në gjendje t’i përkiste Perandorit edhe më plotësisht. (Edhe këtu ngjan si një kopje pagane e këshillave të Palit për të krishterët, dhe sërish ngatërresa Perandor/Perëndi është e pranishme.) Sigurisht, Shën Valentini (ngul këmbë të ruhet titulli Shën në çdo përsëritje, sepse është e merituar për një shërbëtor të Zotit tani në lavdi me Të) nuk ishte dakord dhe vijon në traditën e shenjtë judeo-të krishterë të mosbindjes civile kur kjo do të thotë mosbindje hyjnore. Ai duket se ka të qarta dy parime: se Perëndia është autoriteti parësor dhe se familja si rrjedhojë e martesës është institucioni njerëzor parësor, përmbi shtetin apo çdo grupim a shpikje tjetër njerëzore.
Ata ushtarë të krishterë dhe ai prift nuk ishin disidentë a rebelë pa shkak; ata ishin shërbyes besnikë të Perandorit, brenda logjikës së ligjit natyror e hyjnor. Dhe, ndryshe nga ç’ ndodh shpesh sot, ata nuk e vinin në diskutim ekzistencën e asnjërit dhe e dinin mirë se shkelja e ligjit natyror është shpeshherë hapi i parë drejt shkeljes së ligjit hyjnor, ose pasqyrim i shkeljes së tij të brendshme.
Ky shenjt vë jetën e tij në rrezik madhor për të bekuar jetën siç Perëndia e ka diktuar: ushtarët u martuan me zonjat e tyre. Pa kaluar shumë kohë, Shën Valentini u arrestua, dhe historia tregon më tej se Perandori në fakt nisi ta kishte për zemër gjatë kësaj kohe. Bisedat me këtë shenjt të ditur ishin të pëlqyeshme për të, derisa u përmend një emër me shkronja të ngjashme si të tijit, por që kërcënonte me pushtet shumë herë më të madh dhe i kujtonte se njeriu nuk i përket njeriut, qoftë ky Perandori. Kjo ishte pika ku Perandori vulos dënimin e shenjtit me vdekje romake: shumë tortura para dërgimit në përjetësi.
Ndërkohë që me të drejtë festojmë dashurinë romantike në një ditë si kjo, ndoshta është koha të shkojmë edhe përtej. Ky shenjt dhe shembulli i tij meritojnë të shihen me më shumë nderim se kaq. Shën Valentini (apo të paktën çfarë dimë për të) është më tepër se versioni i krishterë i Kupidit, siç duket se trajtohet sot; është shembulli i një të krishteri që e ka vazhdimisht të qartë se cila është Dashuria më e madhe dhe ligji i Kujt është diktuesi parësor i jetës. Trajtimi komercial i figurave si Shën Valentini apo Shën Nikolla mund të ketë mbajtur gjallë një përngjasim e kujtim të largët të tyre në një kulturë që sa vjen e shekullarizohet drejt një mase pa bazë e pa individualitet të mirëfilltë e të mpirë ndaj frymores. Por është koha që familja e vet, kisha, ta rimëkëmbë si duhet kujtimin e tyre, të frymëzohet prej personave të vërtetë pas festa-bërësve e mbi të gjitha të rimëkëmbë gjallërisht mes kulturës kujtimin e Atij që i bëri këta shenjt të denjë për t’u festuar. Si dhe t’i rimëkëmbim vetes parimet se Perëndia ka fjalën e parë e të fundit në jetën tonë, dhe se pushteteve njerëzore u duhet dhënë bindje vetëm brenda kufijve të perëndishmërisë. Jashtë saj, jemi qytetarë të një tjetër mbretërie.