Kryevepra

0
217

 

Nga Agustin Prenga dhe Merenglen Rexhaj

 

Pikturimi i “Kapelës Sistine” në qytetin e Vatikanit në Romë dhe sidomos afresku “Krijimi i Adamit” i dha famën piktorit të madh Mikelanxhelo në shekullin e XVI-të. Për shkak të ritit të ndezjes së qirinjve për 500 vite me radhë, afresku ishte nxirë dhe pothuajse ishte e pamundur të shquaje imazhet që kishte në të. Kuratorët ngurronin të ndërmerrnin një nismë për restaurimin e saj, nga frika se mos e humbasin një herë e përgjithmonë atë vepër madhështore. Në vitin 1984, pasi studiuan lëndën e tavanit, grupi i ekspertëve vendosën të ndërmerrnin një restaurim, i cili zgjati 10 vite. Vetëm pas këtij restaurimi, ekpertët e më vonë gjithë ata që e panë, njohën kryeveprën e vërtetë të Mikelanxhelos. Një afresk plot ngjyra dhe jetë që tregon historinë e njerëzimit. Duket ironike, por edhe historia e vetë njeriut duket po aq e nxirë sa dhe piktura që e tregon atë. Ne kemi ca njolla. Në një mënyrë apo një tjetër, jemi të vetëdijshëm se jeta jonë nuk është krejt mirë. E ndiejme se diçka nuk shkon, ashtu siç do të donim të shkonte. Jemi dëshmitarë të pakënaqësisë me të tjerët. Po të jemi të sinqertë e ta themi troç, jemi edhe dëshmitarë okularë të pakënaqësisë me veten. Jeta nuk është vetëm zi, por ndoshta po presim dorën e restauruesit, që të na shfaqen ngjyrat e vërteta të jetës. Ato origjinalet. Në Librin e Zanafillës, prejardhja e racës njerëzore përshkruhet ndryshe nga sa e shohim sot. Po të shfaqej në një video nuk do ishte vetëm HD, por edhe 3D. Pra, maksimumi i cilësisë për të paraqitur një qenie perfekte. Zoti krijoi gjithçka dhe, më pas, kur krijoi njeriun, tha: “Perëndia pa të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte SHUMË MIRË”. Por ne e humbëm madhështinë e krijimit dhe vajtëm të jetonim në Qytetin e dëshirave tona (Qyteti Skllavëria.) Adhuruam një Zot tjetër: Shën Veten. Duke bërë gjërat që kishim dëshirë, në mendjen tonë ishim të lirë. Ne ishim të lirë, aq sa është i lirë një njeri i dhënë pas pijes, i cili nuk mund të rrojë pa teken e rakisë. Ne ishim të lirë, aq sa është i lirë një kumarxhi apo një hajdut nga vesi i tij ose një duhanpirës nga nikotina. Por “këto liritë tona na kontrollojnë”, me një fjalë tjetër, na skllavërojnë. Rreth shekullit të VII para Krishtit, profeti Isaia do të shpallte me forcë: “ Jemi bërë të gjithë si një rrobë e papastër.” Kjo papastërti, kjo pashenjtëri nuk mund të durohet nga ai që është i shenjtë. Kjo e zezë nuk mund të pranohet nga e bardha. Ngjyra e zezë simbolizon Të papastrën, Vdekjen.

Nëse ti je KRYEVEPRA, cili është autori?

E KUQJA Në mes të qytetit Skllavëria, aty ku ne çonim dëm jetën tonë, Perëndia që i njihte ngjyrat e vërteta të jetës që nga fillimi, dërgoi Jezusin, që të na restauronte një herë e përgjithmonë. A e dini se si përkthehet fjala Jezus në shqip? Jezus do të thotë shpëtim, e thënë me fjalë të tjera shpëtimi që shpëton. Pra, erdhi një shpëtimtar që të na nxirrte nga e zeza ku kishim rënë. Besoj se e keni vënë re nëpër filma që, shpëtimtarit (heroit), për të kryer misionin, shpesh i kërkohet të heqë dorë nga vetë jeta. Madje, për këtë arsye më së shumti na pëlqejnë këta filma. Shembulli i sakrificës na prek. Të njëjtën gjë pohon Gjoni, nxënësi i Jezusit, dëshmitar okular, kur shpëtimtari dha jetën: “Askush s`ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij”. Por nuk mund të na pastrojë nga njollat një që është vetë i papastër. Duhej një i pastër. Në këtë rast, shpëtimtari merr përsipër gjithçka. Vendos drejtësinë në vend dhe të gjitha dëmet e shkaktuara paguhen, por nuk bien mbi atë që i bëri. Në rastin e Jezusit triumfon dashuria: pasojat bien mbi Shpëtimtarin, mbi Perëndinë. Pak para se të bëntë këtë skrificë dashurie, Ai tha: “Unë jam rruga e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati, veçse nëpërmjet meje”.

E BARDHA Me simbolikën e ngjyrave në afresk, Mikelanxheloja na e bën të qartë: ”Unë jam E bardha, askush nuk e largon të zezën, veçse përmes së kuqes. E zeza nënkupton mëkatin. E kuqja simbolizon sakrificën, dashurinë e pakushtëzuar. E bardha nënkupton paqtimin, ”kalimin nga shqetësimi, në gëzim, nga armiqësia me Perëndinë, në paqe me Perëndinë.” Tashmë libri i shkeljeve dhe faljeve në qytetin Skllavëri u shlye. Ti ke një mundësi të pranosh faljen. Një falje që marrësit nuk i kushton asgjë, por që dhënësit i kushtoi gjithçka … Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai. – Jezusi Kjo është një ftesë, jo një vendim. Është ftesa e krijuesit të dashur për t’u pajtuar me të dhe për të nisur një marrëdhënie të re. Është një jetë e re. Vendimi të përket ty.