Bëhu ai që je!

0
157

Nga Kaon Serjani

Kur e ke parë për herë të fundit filmin e animuar “Mbreti Luan”?

Për shkak se kam dy fëmijë të vegjël, e shoh shpesh. Ka nje pjesë tek “Mbreri Luan 2” kur Rafiki e gjen Simbën dhe i thotë:

“Më ndiq! Do të të tregoj Mufasën”! (Mbretin Luan, të atin e Simbës, që nuk jetonte). Simba bënë ashtu si i thotë Rafiki dhe shkon në rrjedhën e një lumi. Kur shikon në ujë zhgënjehet, sepse shikon reflektimin e vet dhe jo babin e tij siç i kishte premtuar Rafiki. Por Rafiki këmbëngulë që ai të shikojë më thellë në reflektimin e tij, sepse aty do të gjejë Mufasën, duke i thënë: “Babi yt jeton në ty.” Në atë moment Simbës i shfaqet Mufasa dhe i thotë këto fjalë: “Ti ke harruar kush je dhe më ke harruar edhe mua. Shiko brenda vetes Simba! Ti je me shumë sesa ky që je katandisur.” Me fjalë të tjera, Mufasa po i thoshte Simbës: “Ti  ke një identitet tjetër. Ti je Luani mbret. Pse po shfaqesh luani frikacak dhe indiferent? Bëhu ai që je, Simba!”.

Mendoj se kjo është një analogji shumë e përshtatshme për të ilustruar marrëdhënien e të krishterit me mëkatin.

Pali tek Romakët 6:2 tha:Ne që jemi të vdekur për mëkatin, si do të jetojmë akoma në të?, ndërsa në vargun 11 shkruan : “Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë.”

Vini re, në fillim shkruan se nuk duhet të mëkatojmë pasi “jemi të vdekur për mëkatin” – kurse më pas shton duke thënë “ta konsiderojmë veten të vdekur për mëkatin.”   Tani cila është e vërtetë nga këto ? “Jemi të vdekur” apo “të bëhemi të vdekur” ? Duket si kontraditë. Në fakt, të dyja janë të vërteta dhe prandaj mund ta përmbledhim kështu atë që Pali po thotë “Të behemi ata që jemi”..

Çfarë jemi ? Cili është Realiteti ynë shpirtëror”? Kur vdiq Krishti, ne vdiqëm me të dhe kur u ringjall Krishti ne u bëmë të gjallë në të, për të ecur në risinë e jetës.

Çfarë të bëhemi ? Si duhet të jetë “Realiteti ynë jetësor” Të vdesim për mëkatin, dhe të jetojmë për Perëndinë.

Pali po thotë, meqenëse kjo është e vërtetë për ju shpirtërisht silluni ashtu edhe praktikisht .

Të synojmë të ndahemi çdo ditë nga mëkati, ashtu sic jemi ndarë njëherë e përgjithmonë për shkak të bashkimit me vdekjen e Krishtit.  Të përputhim atë që ne jetojmë çdo ditë praktikisht me atë që është e vërtetë për ne shpirtërisht.

“Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t`i bindeni atij në epshet e veta. As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë.” Rom 6:12-13

Ne si besimtar mund të mëkatojmë, por s’na ka hije. Nuk është një jetë sipas identitetit që kemi. Ne duhet t’ia kujtojmë vetes këtë identitet te ri, përmes të cilit ne kemi edhe të gjitha burimet për të mos jetuar sipas natyrës së vjetër. Kur ne i bindemi mëkatit, ne harrojmë kush jemi.

Prandaj Pali na bënë thirrje të “Bëhemi ata që jemi!”.