
Jezusi ishte para gjyqit që do të vendoste për jetën e Tij. Por ata nuk kishin asgjë kundër Tij, kështu që u përpoqën ta zinin në kurth e të gjenin diçka që t’ia paraqisnin Pilatit, që të mund ta kryqëzonin Jezusin. Ky njeri që nuk pushonte së thëni se ishte Ai që mund të falte mëkatet po ndërhynte në punën e tyre në tempull. Supozohej që ishte një prift aty, një person që ndërmjetësonte, personi që mund të thoshte “Unë mund ta bëjë këtë”.
Më në fund, kryeprifti i bën Atij këtë pyetje: “Në rregull. A je Ti Krishti?”, që do të thotë Mesia, një titull paksa politik: mbreti i judenjve. Së dyti: “A je Ti Krishti, Biri i të Bekuarit?” Pra, pyetja që po i bënin Jezusit, komenti që kërkonin prej Tij ishte: “A je Ti Mesia? A je Ti Biri i Perëndisë?”
Nuk e kuptoj si nuk e kapin njerëzit këtë, por mendojeni pak: “A je Ti Mesia? A je Ti Krishti? A je Ti Biri i Perëndisë?” Jezusi tha, “Po, Unë jam”. Çfarë pretendoi të ishte Ai? Biri i Perëndisë, Mesia. Por Ai nuk ndaloi aty. Ai tha: “Unë jam. Dhe ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur me retë e qiellit.” Në këtë pjesë, ata e humbin toruan. Shikoni çfarë ndodh: kryeprifti grisi rrobat duke thënë se tashmë nuk kishin nevojë për dëshmitarë të tjerë: “E dëgjuat blasfeminë. Çfarë mendoni?” Pastaj e dënuan Jezusin duke thënë se meritonte të vdiste. Por çfarë tha Ai? Duhet të dini kush është Biri i njeriut që të kuptoni çfarë po thoshte Jezusi: “Ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit (Perëndisë).” Mbretërimi i Tij, i Birit njeriut, është i përjetshëm e nuk do të kalojë. Mbretëria e Tij nuk do të shkatërrohet kurrë. Në gjyq Jezusi tha: “Unë jo vetëm që jam Mesia, Biri i Perëndisë, por edhe Ai për të Cilin foli Danieli; Ai të Cilit do t’i jepet çdo autoritet përmbi kombet, dhe ato do të më adhurojnë.”
“Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet Meje.” – Gjoni 14:6
Përktheu: Brunilda Rustani
Përdorur me leje nga www.jashow.org