Ballina Artikuj Gjëmba e vdekjes

Gjëmba e vdekjes

0

Kur njeriu mëkatoi, vdekja hyri në ekzistencën tonë. Ajo u bë armiku që rrëmben fëmijën para se të ketë mësuar si të luajë në dritën e diellit; armiku që i merr jetën adoleshentit që sapo ka filluar të shijojë jetën; armiku që ndan burrin e sapomartuar nga gruaja e tij e dashur atëherë kur jeta është më e ëmbël se kurrë; armiku që mund t’u rrëmbejë fëmijëve të vegjël prindërit e tyre të dashur e t’i lërë jetimë.

Por Bibla na thotë edhe se, përmes Krishtit, ky armik, vdekja pra, mund të përballet, dhe na siguron se në fund Krishti do ta çrrënjosë plotësisht. Bibla thotë “Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.”

Vdekja është armik dhe pjesë e arsyes pse Jezus Krishti erdhi në tokë. Prandaj, për këdo që beson tek Krishti, vdekja mund të na thumbojë, por jo të na mposhtë. Kjo do të thotë se vdekja nuk na fshin, nuk i jep fund ekzistencës sonë, nuk është fundi i gjithçkaje. Te 1 Korintasve 15:51, Pali thotë “O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote? Edhe gjëmba e vdekjes është mëkati; dhe fuqia e mëkatit është ligji. Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezus Krisht.”

Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se, për shkak se mëkatojmë, do të përjetojmë gjembën e vdekjes, por ajo nuk do ta shkatërrojë përfundimisht të krishterin. Vdekja do të na vijë të gjithëve, por për të krishterin ajo nuk do të thotë mposhtje apo shkatërrim. Në fakt, ajo është momenti kur kalojmë nga ana tjetër e velit për të hyrë në një jetë të re për gjithë përjetësinë.

Jezusi shpalli “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në Mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në Mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë.”

Përktheu: Brunilda Rustani

Përdorur me leje nga www.jashow.org

Exit mobile version