Ne nuk e dimë se ç’do të bëjë Perëndia me ne. Por a jemi gati t’i japim Zotit kohën tonë, që ta përdorë siç e sheh të përshtatshme? Pse ndodh që e kemi një ide se si mund të dojë Perëndia të na përdorë, por pastaj i shuajmë ëndrrat dhe dëshirat që Ai na ka vënë në zemër? Nuk më besohet sa shumë të krishterë thonë se duan ta bëjnë diçka dhe nuk e bëjnë kurrë. Pyes veten pse.
Nëse Perëndia na jep një ide të qartë për çfarë të bëjmë, gjëja e parë që na vjen në mendje është “Kush jam unë që ta bëj këtë?” Le të kthehemi tek Eksodi 3:10, kur Moisiu ishte para shkurres që digjej dhe Perëndia i thotë “Shko, Moisi. Po të dërgoj te faraoni që ta nxjerrësh nga Egjipti Izraelin, popullin tim.” Perëndia i plotfuqishëm thotë “Unë po të jap këtë ide, këtë plan. Këtë dua që të bësh.” Po e thotë qartë, pa ngatërresa. Por çfarë thotë Moisiu? “Kush jam unë që të shkoj te faraoni dhe ta nxjerr Izraelin nga Egjipti?” Perëndia i tha Moisiut “Unë do të jem me ty.” Mbani mend “Unë do të jem me ty”, sepse Perëndia i ka ca ide për këtë vend. Ai ka ca ide për këtë botë nevojtare. Ka njerëz që u nevojitet Jezus Krishti dëshpërimisht, dhe Ai duhet të dërgojë njerëz tek ata.
Thuaji Perëndisë “Jam i hapur. Ti i njeh talentet dhe aftësitë e mia. Ti e di sa orë jetë më kanë mbetur. Jam i disponueshëm. Çfarë do që të bëj?” Do të habiteni nga çfarë do t’ju pëshpëritë Perëndia në mendje.
Përktheu: Brunilda Rustani
Përdorur me leje nga www.jashow.org
