
Nga Marenglen Rexhaj
-E di që nuk ke ardhur në universitet pa bërë më parë një ”selfie”. Ti, si çdo bashkëmoshatar yti, nuk i ke rezistuar dot dëshirës për të shkrepur një foto me veten në qendër të saj (selfie). Nëse nuk e ke bërë akoma, ndalo së lexuari dhe bëje tani, sepse të gjithë shokët e tu të rinj e kanë bërë një selfie tashmë. Sipas fjalorit të Oksfordit, fjala “Selfie” është shpalluar fjala e vitit 2013, por, pavarsisht këtij fakti, kjo fjalë është përdorur shumë më herët. Gjithashtu, edhe dukuria selfie është shumë më e vjetër. Mendohet që fotografia e parë selfie të ketë qenë ajo e vitit 1839 e shkrepur nga një fotograf amerikan i quajtur Robert Kornelius, i cili po eksperimentonte me aparatin e tij fotografik. Megjithatë, me këtë shkrim kam deshirë që të mos mbesim vetëm mbi sipërfaqen e një fotografie. Si studentë, tashmë, do t’ju hymë gjërave pak më thellë dhe të flasim se si e nga lindi dëshira jonë për të bërë selfie. Selfie është një dukuri e re që pasqyron një dukuri të vjetër. Fjala selfie vjen nga gjuha angleze dhe është fjala që përshkruan egoizmin. Nëse ne do ta përkthenim në një kuptim popullor shqip, me të drejtë mund ta përkthenim me fjalën vetja. Pra një selfie është mënyra jonë moderne për të thënë që vetja ime të jetë në qendër. Të qenit në qendër të një fotografie, nuk është ndonjë e keqe në vetvete, madje është një mënyrë argëtuese për të ruajtur kujtime, pa pasur nevojë që ndonjëri të mbetet jashtë fotografisë. Suksesi i dukurisë së fotove selfie, në fakt, është edhe një tregues i mirë i realitetit të secilit prej nesh. Jetojmë në një botë të mbushur me njerëz të përqendruar te vetja, ku çdo fjali lavdëruese është në vetën e parë, e çdo fjali poshtëruese është në të dytën. Do të ishte me vend që fjala selfie të ishte, jo vetëm fjala e vitit 2013, siç e ka shpallur Oksfordi, por edhe fjala e historisë njerëzore, sepse, në fakt, historia e njeriut nis kështu. Dokumenti më i vjeter që flet për natyrën tonë selfiste është Bibla. Ajo tregon se njeriu që në fillim kishte dëshirën për të qenë vetë në qendër. Ngjan si një lidhje e largët, që fotoja jote selfie të ketë lidhje me çfarë thotë Bibla për njeriun. Por, prej kësaj kohe, bota në të cilën jetojmë është kthyer në një vendbanim selfistësh të lindur. Problemi i madh që ka sot bota është pikërisht dëshira jonë për selfie. Është provuar shumë herë e për shumë kohë që, në një botë të mbushur me selfistë, është e vështirë të jetosh lehtë. Kështu, në një realitet të tillë nuk do të duhej të përbënte lajm të bërit e një selfie, por e kundërta. Ky është lajmi që jep Bibla. Ajo flet për dikë që jetoi një jetë të përqendruar te tjetri. Ai na deshi aq shumë, sa mohoi të jetonte për vete, duke dhënë shembullin e një jete altruiste dhe duke na ofruar çlirim nga pasojat e një jete selfiste. Uroj që gjatë viteve të tua në auditoret e universitetit, sytë e tu të shohin larg UNI-t, të shohin lart nga universi e të gjejnë kuptimin që Ai ka për ty dhe kuptimin që ti ke në Të.